Lidhje

Kryeministri Berisha: Statusi i Kosovës zë vend kryesor gjatë takimeve në Nju Jork


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se Shqipëria e ka mbështetur dhe do ta mbështesë pa asnjë lloj hezitimi pavarësinë e Kosovës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Berisha u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin veprime të njëanëshme. Gjatë intervistës, kryeministri Berisha foli edhe për zhvillimet e brëndshme të politikës shqiptare. Me kryeministrin bisedoi në Nju Jork, kolegu ynë, Ilir Ikonomi.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, çfarë vendi po zë Kosova në takimet që ju po zhvilloni këtu në Kombet e Bashkuara?

Sali Berisha: Padyshim, një vend kryesor. Sepse statusi i saj final ka një rëndësi shumë thelbësore për Kosovën dhe stabilitetin e saj, e jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë të Kosovës së pari; së dyti nuk mund të injorohet se projekti i qytetarëve të Kosovës për pavarësi, është një problem madhor për çdo shqiptar. Pra në këto dy aspekte, Kosova nuk mund të mos jetë çështje kryesore në axhendën e të gjitha takimeve të mia, së bashku me ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe marrëdhëniet bilaterale me secilin nga homologët dhe interlokutorët e mi.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, do të nxisë qeveria juaj Kosovën që të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanëshme pa pritur një sinjal të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian?

Sali Berisha : Shqipëria mbështet, e ka mbështetur dhe do ta mbështesë pa asnjë lloj hezitimi pavarësinë e Kosovës. Por Shqipëria privatisht dhe publikisht u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin veprime të njëanëshme. Pavarësia e Kosovës ka një mbështetje të gjerë dhe të madhe. Proçesi për shkak të mekanizmave ndërkombëtarë ka hasur në disa vështirësi. Udhëheqja politike e Kosovës, Shqipëria, dhe vendet e rajonit në vendimet e tyre, duhet të bashkërendojnë me ato vende të cilat, me në krye Shtetet e Bashkuara, janë të sigurta, të bindura se pavarësia është zgjidhja e vetme që jep paqe e stabilitet në Kosovë dhe rajon. Edhe dje në takimin me presidentin Bush mora siguri të plotë se Presidenti dhe qeveria e tij do t’i përmbahet qëndrimit të shpallur ; Sekretarja e Shtetit Rice ka deklaruar se pavarësia është ajo që jep stabilitet dhe paqe në Kosovë e rajon. Kështu që nuk mendoj se veprimet e njëanëshme janë të dobishme.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeminstër, a parashikoni që shpallja e njëanëshme e pavarësisë së Kosovës në rast se ndodh, të nxisë zhvillime të paparishkuara në rajon si përshembull ndryshime kufijsh apo për shembull që të lindin kërkesa për një bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës?

Sali Berisha: Nuk parashikoj; mendoj se autoritetet e Kosovës nuk do të ndërrmarrin përsipër veprime të njëanëshme. Sikundër projekti i qytetarëve të Kosovës është katërcipërisht e faktuar që nuk është bashkimi me Shqipërinë, është pavarësia. Historia është e tillë që në një shekull janë zhvilluar dy realitete shqiptare, njëri në Tiranë, tjetri në Prishtinë. Qytetarët e Kosovës kanë votuar, kanë luftuar, kanë faktuar me të gjitha mënyrat se janë për pavarësinë e vendit ku jetojnë. Ndaj në këtë kontekst nuk mund të them se do të mund të nxitet një gjë e tillë. Ajo çka është shumë e rëndësishme është integriteti i Kosovës në kufijtë e saj aktual. Kjo është shumë, shumë e rëndësishme. Çdo proçes për ndarje, është hapja e një proçesi për riformatimin e kufijve të Ballkanit, proçes i gjatë, i dhimbshëm nga i cili, shqiptarë në fund të fundit, nuk do të ishin të humburit. Por faktikisht në statusin aktual Kosova ka vendosur për pavarësi. Shqipëria ka aspiratë kryesore Bashkimin Europian dhe NATO-n; po kështu dhe kombe të tjera, ndaj dhe është në interesin më të mirë të të gjithë këtyre kombeve, respekti i kufijve aktual ndërkombëtar dhe bashkëpunimi për të realizuar dy projekte madhore: integrimin në Bashkimin Europian dhe integrimin në NATO.

Zëri i Amerikës: Le të kalojmë tani tek disa çështje të politikës suaj të brendshme. Arrestimet e disa zyrtarëve dhe biznesmenëve për korrupsion me tenderat e rrugëve është një episod i shkëputur apo është pjesë e një nisme më të gjerë të qeverisë suaj për të goditur korrupsionin?

Sali Berisha: Absolutisht nuk është i shkëputur, por është një strategji, për zbatimin e ligjit ndaj kujtdo, është një aspekt i rëndësishëm dhe jo i vetëm i luftës kundër korrupsionit, është një përpjekje e vazhdueshme dhe do të jetë një përpjekje e vazhdueshme gjersa Shqipëria, të zbresi tek vendet me korrupsion të ulët. Kështu që në këtë proçes nuk ka dyshim që veprimi i ligjit është kondicion sinekuanon për funksionimin e kësaj lufte, por është njëri aspekt i kësaj lufte.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, a keni plane për të përmirësuar marrëdhëniet tuaja me Prokurorinë dhe kryesisht me zyrtarët e saj kryesor?

Sali Berisha: Marrëdhëniet tona me seksionin e krimeve të rënda kanë qenë të shkëlqyera, dhe seksioni i krimeve të rënda në Shqipëri qoftë si Gjykatë qoftë si Prokurori, për mua, ka një funksionim të respektueshëm, ka një funksionim i cili i ka dëshmuar shqipëtarëve dhe botës se drejtësia shqiptare mund të funksionojë konform ligjit. Janë segmente të caktuar, të cilat do të zgjidhen nëpërmjet reformës. Unë jam optimist. Dy vjet më parë jo të paktë ishin ata që më thoshin “me kë do ta luftosh ti krimin e organizuar, pse zotohesh, çfarë do t’i bësh atij...”. Dhe unë kisha një përgjigje: me këta oficerë dhe inspektorë policie që janë sot. Dhe unë ua faktova shqipëtarëve këtë plotësisht. Ata kanë dëshmuar shkallën më të lartë të profesionalizmit, të kurajos, të integritetit.

Zëri i Amerikës: Por çfarë duhet pritur në marrëdhëniet tuaja me Prokurorin e Përgjithshëm, kur ju keni konsumuar thuajse gjysmën e mandatit dhe marrëdhëniet me të janë ende të vështira madje jo ekzistuese?

Sali Berisha: Ka një zotim Presidenti i Republikës dhe Parlamenti për këtë, kështu që çështja e Prokurorit të Përgjithshëm nuk është çëshje e imja, është çështje e Presidentit dhe e Parlamentit.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, a keni qenë ju një qeveri transparentë sa duhet në prokurimet për një projekt kaq të rëndësishëm dhe kaq strategjik për Shqipërinë siç është rruga Durrës-Kukës. A jepni ju garanci se nuk janë bërë shkelje në një investim të tillë strategjik?

Sali Berisha: Mund t’iu them se si prokurim, është prokurimi më transparent në historinë e atij vendi. Pse... të jem i hapur për faktin e thjeshtë se qeveria ime, në atë kohë por dhe sot, nuk kishte kapacitetet administrative të mjaftueshme të trajtonte atë prokurim. Dhe në këto kushte, në dijen time, ky është prokurimi i parë madhor, i bërë i tëri me një juri ndërkombëtare vlerësimi. Meqënëse “Bechtel” punon mbi bazën e një kontrate çmim për njësi vëllimi, kushdo që të ketë dyshimin më të vogël, se “Bechtel” po rrit çmimin për njësi vëllimi, jam i bindur se gjigandi amerikan është totalisht i hapur për çdo lupë, çdo kontroll.

Zëri i Amerikës: Pse nuk kërkoni ju vet i pari ngritjen e një komisioni parlamentar për sqarimin e këtyre akuzave?

Sali Berisha: Jam absolutisht i gatshëm, pa asnjë diskutim. Shiko çfarë ndodhi! E kisha biseduar edhe me bashkëpunëtorët e mi që të ngremë një komision. Epo meqënëse thanë që do të ngremë komisionin, mos t’ua marr inisiativën. Por ata nuk e ngritën komisionin. Kanë sjellë kërkesën si është shpenzuar buxheti 2006-2007, pa përmendur as me një fjalë rrugën (Durrës –Kukës). Kjo nuk është serioze, sepse ai është projekti më i madh i Shqipërisë, dhe unë e konsoideroj një fat të madh që po e ndërton ajo kompani. (ze)

XS
SM
MD
LG