Lidhje

Kryeministri Berisha në OKB: Pavarësia është zgjidhja e vetme për Kosovën

  • Ilir Ikonomi

Kryeministri i Shqiperise Sali Berisha përsëriti mbrëmë në fjalimin që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se zgjidhja e vetme për Kosovën që do të sillte qendrueshmëri në rajon është pavarësia e plotë e saj.

Kryeministri Berisha tha se Shqipëria mbështet plotësisht planin e zotit Ahtisari që i jep Kosovës pavarësi të mbikqyrur. Zoti Berisha kritikoi qeverinë serbe për mospranimin e planit Ahtisari, i cili sipas tij, garanton standardet më të larta për pakicat në Kosovë. Kjo tregon, tha kryeministri i Shqipërisë, se ajo që ka më shumë rëndësi për Beogradin nuk janë liritë dhe të drejtat e serbëve në Kosovë por ideja e Serbisë së Madhe.

Ai tha se pavarësia për Kosovën do të ishte vullneti i shprehur i qytetarëve të saj dhe hodhi poshtë pohimet se kjo mund të krijonte një precedent për rajone të tjera. Zoti Berisha shpjegoi se ata që janë të interesuar për të vërtetën mund ta kuptojnë lehtësisht se përse Kosova është një rast i veçantë.

Kryeministri i Shqipërisë tha gjithashtu se pretendimet se pavarësia e Kosovës mund të çonte në krijimin e Shqipërisë së Madhe janë larg së vërtetës. Në realitet, tha ai, pavarësia e Kosovës vetëm se do t’i jepte fund fluiditetit së shqiptarëve në Ballkan. Shqiptarët e Kosovës kanë vendosur t’i bashkohen Brukselit dhe jo Tiranës tha kryeministri Berisha. Ai tha se vendi i tij garanton njëkohësisht respektimin e plotë të kufijve të fqinjëve, përfshirë ato të Kosovës.

Shqetësimi për ekzistencën e dy shteteve shqiptare në Ballkan është ksenofobik, u shpreh zoti Berisha në fjalimin që mbajti mbrëmë përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në komentet që bëri një ditë më parë për Zërin e Amerikës, zoti Berisha tha se proçesi i statusit të Kosovës për shkak të mekanizmave ndërkombëtarë ka hasur në disa vështirësi por Shqipëria privatisht dhe publikisht u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin veprime të njëanëshme.

Udhëheqja politike e Kosovës, Shqipëria, dhe vendet e rajonit në vendimet e tyre, tha zoti Berisha, duhet të bashkërendojnë me ato vende të cilat, me në krye Shtetet e Bashkuara, janë të sigurta se pavarësia është zgjidhja e vetme që jep paqe e stabilitet në Kosovë dhe rajon.//lk

XS
SM
MD
LG