Lidhje

Grupi i Kontaktit bën thirrje për bisedime konstruktive mes shqiptarëve dhe serbëve

  • David Gollast
  • Nju Jork

Anëtarët e Grupit të Kontaktit u kanë thënë të dyja palëve, si shqiptarëve, edhe serbëve, të angazhohen në bisedime serioze dhe konstruktive, ndërsa negociatat lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës hyjnë në fazën e tyre përfundimtare, para afatit të 10 dhjetorit.

Grupi i Kontaktit, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, zhvilluan këtu një takim të nivelit ministerial, para bisedimeve ballë për ballë, mes zyrtarëve serbë dhe udhëheqësve shqiptarë, që konsiderohen si rasti i fundit për arritjen e një marrëveshjeje të negociuar mes palëve, para aftit të 10 dhjetorit.

Serbia e ka kundërshtuar me forcë planin e OKB-së, që do t’i jepte pavarësi të mbikqyrur Kosovës. Shqiptarët e Kosovës kanë kërcënuar se do të deklarojnë pavarësinë e njëanshme, pavarësisht nga paralajmërimet e Beogradit, se mund të përdorë forcën për ta ndaluar këtë proces.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Grupit të Kontaktit mbështesin planin e pavarësisë të të dërguarit të OKB-së Marti Ahtisaari, ndërsa Rusia, aleate e Serbisë që prej një kohe të gjatë, është zotuar se do të bllokojë çdo zgjidhje të papranueshme nga Beogradi.

Por, në komentet që bëri pas takimit të Grupit të Kontaktit, Sekretari i Jashtëm britanik, David Milliband, tha se takimi ishte shumë konstruktiv, ku u shprehën mendime kolegjiale dhe se të gjithë anëtarët e Grupit shpresojnë se bisedimet e drejtpërdrejta, me ndërmjetësinë e së ashtuquajturës, Trojka, (ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Bashkimi Evropian) do të kenë sukses.

"Ai që ne kemi nisur, është një proces, mandati i të cilit përfundon më 10 dhjetor, që është edhe mandati i përfaqësuesve të Trojkës. Ky është një proces për gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes të dy palëve. Ka përfaqësues nga të dyja palët; secili nga anëtarët e Grupit të Kontaktit theksoi rëndësinë e angazhimit të të dyja palëve me një frymë konstruktive dhe serioze dhe kjo është baza, mbi të cilën do të zhvillohen diskutimet e mëtejshme," - tha Sekretari i Jashtëm britanik.

Më parë, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti serb Boris Tadiç, përsëriti qëndrimin e qeverisë së tij, se pavarësia e Kosovës është e papranueshme, por se Beogradi është përgatitur t’i ofrojë Kosovës një autonomi tepër gjerë dhe të pashembullt. Ai paralajmëroi se pavarësia e njëanshme do të nxiste lëvizje separatiste në mbarë botën dhe do të shkaktonte, sipas fajëve të tij, pasoja të paparashikueshme.

"Pas njohjes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, sistemi ligjor ndërkombëtar nuk do të jetë më ai që është, ndërsa një numër i madh lëvizjesh separatiste të botës do ta shfrytëzonin atë si një precedent të ri. Në këtë mënyrë, një numdër rajonesh të botës do të destabilizoheshin" ,- tha Presidenti serb.

Zoti Tadiç tha, se ndërsa negociatat më të fundit po zhvillohen nën kujdesin e Grupit të Kontaktit, një vendim i ligjshëm për të ardhmen e Kosovës mund të arrihet vetëm në Këshillin e Sigurimit, ku Moska mund të përdorë të drejtën e vetos, për ta bllokuar rezultatin që kundërshton Beogradi.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme mbrëmë, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha tha se pavarësia e Kosovës është një kusht themelor për paqen afatgjatë në rajon. Ai tha se kundërshtimi i Beogradit buron nga mungesa e realizmit dhe ajo që ai e cilësoi, fantazma e Serbisë së madhe dhe shtoi se pavarësia e Kosovës nuk ka pse të shërbejë si precedent për konflikte të tjera.

"Pretendimet se pavarësia e Kosovës krijon një precedent ndërkombëtar, apo krijon kushtet për krijimin e Shqipërisë së Madhe, ashtu sikurse edhe frika që të mos ketë dy shtete shqiptare në Ballkan, nuk ka baza. Atyre që u intereson e vërteta dhe realiteti, mund ta kuptojnë lehtësisht, se Kosova është një rast unik, si nga perpektiva historike, edhe nga ajo e tanishme" ,- tha Kryeministri shqiptar.

Zoti Berisha tha se Kosova e pavarur do të orjentohej nga Brukseli dhe nga Evropa dhe jo tek aleanca me Shqipërinë, për të cilën ai u zotua se do të respektojë integritetin territorial të fqinjëve të vet.//lk

XS
SM
MD
LG