Lidhje

A do ta reformojë FMN-në drejtori i ri francez?

  • Liza Brajënt
  • Uashington

Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar emëroi dje ish Ministrin francez të Financave, Dominik Strauss-Khan në postin e drejtorit. 58 vjeçari Strauss-Khan e pranoi postin, duke u zotuar se do të zbatojë me shpejtësi reformat e nevojshme në këtë institucion. Ai do të zëvëndësojë Rodrigo Raton nga Spanja, i cili jep dorëheqjen muajin e ardhshëm. Rusia emëroi një tjetër kandidat – Josef Tosovski, ish-Ministri çek i Financave. Por Bordi zbatoi rregullin që ka ekzistuar që nga krijimi i Fondit, mbi 60 vjet më parë, që Drejtori të jetë nga Evropa Perëndimore.

58-vjeçari Dominik Strauss-Kahn sjell një eksperiencë të gjerë në Uashington, kur të marrë postin e Drejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ai është me profesion jurist, ka qenë gjithashtu profesor i ekonomisë dhe në vitet ’90 ka qenë edhe Ministër i Financave i Francës. Ai është gjithashtu një figurë kryesore e Partisë Socialiste të Francës, që kandidoi, por pa sukses, për postin e Presidentit të vendit, disa muaj më parë.

Ali Fatemi, Dekan i Fakultetit të Biznesit në Universitetin Amerikan në Paris, mendon se Strauss-Kahn është njeriu i duhur për të bërë reformat, tepër të nevojshme në FMN.

"Duhet një njeri me imagjinatën e tij, me formimin e tij profesional dhe politik, për të realizuar reformat. Ky mund të jetë kontributi më i rëndësishëm që ai mund të japë brenda 5 vjetëve të ardhshëm, kur do të shërbejë në FMN, ristrukturimin e Fondit, dhe shndërrimin e tij në një Bankë Qendrore, Ndërkombëtare të vërtetë."

Strauss-Kahn, do t’i zërë vendin drejtorit të tanishëm të FMN-së, spanjollit Rodrigo Rato, i cili largohet nga posti muajin e ardhshëm. Udhëheqja e Fondit, tradicionalisht u ka takuar evropianëve, ndërsa për atë të një tjetër insitucioni të rëndësishëm financiar, Bankës Botërore, zgjidhet një amerikan.

Kandidatura e zotit Strauss-Kahn u mbështet si nga Bashkimi Evropian, edhe nga administrata e Presidentit Bush. Por atë nuk e mbështesin të gjithë. Gazeta britanike Financial Times e cilësoi Strauss-Kahnin kandidatin e gabuar, të zgjedhur në mënyrë të papërshtatshme dhe argumentonte se procesi i kandidimit duhet të ishte më i zgjeruar dhe në të përfshiheshin edhe kandidatë jo-evropianë. Edhe vetë Staruss-Kahn ka bërë më parë një propozim të ngjashëm.

Në intervistën që dha para Bordit Ekzekutiv të FMN-së javën e kaluar, politikani francez tha se ai do të përpiqet të ndërtojë konsensusin, në se zgjidhet për postin e Drejtorit. Por analisti politik francez Etien Shueit-gush, thotë se beson se Strauss-Kahn nuk do të arrijë të realizojë ndryshime në FMN.

“Strauss-Kahn nuk do të jetë një reformator brutal, - thotë analisti,- ai do të bazohet tek diskutimet dhe bashkëpunimi”.

Francezi Strauss-Kahn është mes disa politikanëve të majtë kryesorë të vendit të tij, i zgjedhur për poste të rëndësishme politike nga Presidenti Nikola Sarkozi, i qendrës së djathtë i Francës. Një tjetër politikan i rëndësishëm i së majtës, Bernard Kushner, është aktualisht Ministri i Jashtëm i Francës.//lk

XS
SM
MD
LG