Lidhje

SHBA: Mbushen 50 vjet që nga miratimi i Aktit për të Drejtat Civile


50 vjet më parë, u kthye në ligj Akti i të Drejtave Civile amerikane. Ai ishte i pari i disa akteve të të drejtave civile gjatë disa dekadave të ardhshme që synonin mbrojtjen e të drejtave të afrikano-amerikanëve dhe të pakicave të tjera.

Akti i të Drejtave Civile i vitit 1957 ishte i pari legjislacion federal kundër diskriminimit në 82 vjet. Ai erdhi në një kohë kur shtetet e jugut vazhdonin të miratonin ligje për ndarjen racore në shkolla, menca dhe vende të tjera publike. Afrikano-amerikanët dhe përkrahësit e tyre të bardhë filluan të kundërshtonin. Në vitin 1955 ata kundërshtuan izolimin racial në autobuzët e qytetit në Montgomery të Alabamës. Një grua e vetme – Rosa Parks refuzoi t’ia lironte karrigen një të bardhi. Disa liberalë të bardhë në Kongres paraqitën Aktin e të Drejtave Civile në vitin 1957. Të tjerë e kundërshtuan fuqimisht projektligjin fillestar, që çoi në nënshkrimin e një versioni më të zbutur të ligjit nga Presidenti Dwight Eisenhower.

Legjislacioni i siguronte afrikano-amerikanëve të drejtën e votimit. Ai krijonte një zyrë të Departamentit amerikan të Drejtësisë për të vëzhguar shkeljet e të drejtave civile. Akti vendosi gjithashtu Komisionin e parë të të Drejtave Civile për të hetuar diskriminimin. Kenneth Marcus e drejton tani këtë komision.

“Akti ishte i rëndësishëm pasi ishte angazhimi i parë nga Kongresi dhe presidenti që nga mesi i shekullit të 19të për të drejtat civile. Ai krijoi një mekanizçm përmes të cilës do të punohej më shumë në vitet 1960”.

Zoti Marcus thotë se projektligji i dha gjithashtu Komisionit për të Drejtat Civile mundësinë të ndihmonte në mbrojtjen e minoriteteve.

“Funksioni ynë ka qënë të gjejmë problemet që kemi në vend, çfarë legjislacioni duhet të kemi, për çfarë lloj ndryshimesh kemi nevojë në procesin tonë federal dhe kur bëhen këto ndryshime ne vëzhgojmë për të parë si punojnë agjencitë tona të të drejtave civile”.

Zoti Marcus thotë megjithatë se projektligji ishte i dobët krahasuar me legjislacionin tjetër të të drejtave civile që do të vinte më pas.

“Për shembull, akti i vitit 1957 nuk ndalonte në përgjithësi diskriminimin në punësim në mënyrën siç do ta ndalonte atë akti i vitit 1964. Ai nuk ndalonte diskriminimin e të drejtës së votimit në atë mënyrë siç do ta bënte ai i vitit 1965. Dhe në përgjithësi nuk ndaloi diskriminimin e strehimit siç u bë në vitin 1968”.

Por ai thotë se ai i hapi dyert ligjeve të reja të të drejtave civile.

“Ai çoi në një seri rekomandimesh që në fund çuan në statutet e të drejtave civile në punësim, strehim, votim dhe më vonë edhe në legjislacionin për barazinë gjinore dhe të paaftësisë. Kështu që në të gjitha këto fusha përsa i përket racës, origjinës kombëtare, gjinisë, moshës dhe grupeve të tjera akti i vitit 1957 çoi në ndryshime të thella”.

XS
SM
MD
LG