Lidhje

Ukraina, mes Lindjes dhe Perëndimit


Votuesit në Ukrainë votuan të dielën për parlamentin e ri, me zgjedhje të parakohshme që synojnë t’i japin fund bllokimit të procesit politik.

Presidenti pro-perëndimor Viktor Jushçenko i shpalli zgjedhjet në përpjekje për t’i dhënë fund luftës për pushtet mes tij dhe kryeministrit pro-rus Viktor Janukoviç.

Presidenti e ka ndarë pushtetin me rivalin e tij në një aleancë të tensionuar gjatë së cilës partia e kryeministrit ka fituar forcë të madhe legjistlative këtë vit.

Anketat paraprake treguan se blloku i kryeministrit ka të ngjarë të fitojë pjesën më të madhe të votave, por jo mjaft për të fituar shumicën dërrmuese në parlament. Presidenti shpreson të formojë një koalicion mes partisë së tij dhe partisë së ish kryeministres Julia Timoshenko.

Tek ukrainasit ekzistojnë dyshime për besueshmërinë e zgjedhjeve dhe mundësinë që ato të sjellin ndryshime, për atë që shumë banorë besojnë se është problemi kryesor politik që ka vendi:

Partitë kryesore ukrainase kanë treguar gatishmërinë e tyre për të protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve, në se ato nuk janë në favorin e tyre. Kjo gatishmëri pasqyron dyshimet, se mund të ketë mashtrime gjatë numërimit të votave.

Ndryshimi i konsiderueshëm mes sondazheve pas votimeve dhe shifrave zyrtare të nxjerra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Ukrainës, pritet të shkaktojë protestat e palëve që ndjehen të mashtruara.

Serhi Tarnauski, nga Kievi, merret me shitjen dhe blerjen e veprave të artit. Ajo thotë se do t’i bojkotojë zgjedhjet dhe shpreh dyshimin se sondazhet pas votimeve do të mund t’u japin përgjigje pikpyetjeve të mundshme lidhur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Tarnauski thotë se sondazhet nuk janë me domosdo objektive. Ajo thotë se ato varen tek pyetjet që bëhen, se çfarë intonacioni përdoret dhe në çfarë çështjesh është vënë theksi. Tarnauski nuk është e sigurtë, në se zgjedhjet do të sjellin ndonjë ndryshim, por ajo pranon se çka rrezikohet me këto votime, është vetë uniteti i Ukrainës, si dhe orjentimi politik i vendit ndërmejt Lindjes dhe Perëndimit, midis Rusisë dhe NATO-s.

Partia e Rajoneve, e Kryeministrit Viktor Janukoviç, anon nga Rusia dhe ajo pritet të fitojë numrin më të madh të vendeve në Parlamentin e vendit. BYOT, që është shkurtimi për Bllokun e Julia Timoshenkos, pritet të zerë vendin e dytë në votime, e pasuar nga Partia pro-Perëndimit, Ukraina Jonë, e Presidentit Viktor Jushçenko.

Zonja Timoshenko, ish-kryeministre e vendit, u armiqësua me Presidentin Viktor Jushçenko, gjatë të ashtuquajturit Revolucioni Portokalli, pas zgjedhjeve të debatueshme presidenciale të vitit 2004.

Pas votimit të ditës së sotme, Partia Ukraina Jonë, mundet të krijojë koalicion me lëvizjen e zonjës Timoshenko, për formimin e shumicës në Asamblenë e vendit prej 450 vendesh. Mungesa e unitetit mes Forcave pro-perëndimroe të Revolucionit Portokalli, megjithatë, do të mund t’i jepte kundërshtarit të tyre të përbashkët, që është Partia e Rajoneve, avantazh në përcaktimin e koalicionit të zgjedhjeve parlamentare.

Valeria Vladimirovna, rusisht-folëse dhe gruaja e një piloti ushtarak sovjetik të dalë në pension, thotë se do të votojë për Partinë e Rajoneve, megjithëse ajo mbështet pavarësinë politike të Ukrainës. Ajo dyshon në se zgjedhjet do të ndryshojnë problemin themelor të politikës në vend, për të cilat ajo fajëson difektet e kushtetutës, të cilat lejojnë që të ketë një luftë të vazhdueshme për pushtet mes Presidentit, Kryeministrit dhe Parlamentit.

Zonja Vladimiriova thotë se megjithë difektet e Kushtetutës, ajo shpreson se do të dalë një pjesë e së vërtetës nga ajo të cilin ajo e cilëson si “keqkuptimi i tanishëm”. Ajo thotë se politikanët e pasur po sundojnë Ukrainën dhe po injorojnë nevojat e njerëzve të zakonshëm, pensionistëve, të pastrehëve dhe arsimimin e rinisë.

Bohdan Ostrovski është instrumentist i muzikës popullore nga një fshat i Ukrainës Perëndimore. Ai thotë se ai dhe miqtë e tij do të votojnë për parti të ndryshme. Ai vetë do të votojë për Partinë Ukraina Jonë, të tjerë, për Bllokun e Julia Timoshenkos.

Zgjedhjet e posaçme të 30 shtatorit po mbahen si rezultat i vendimit të Presidentit Viktor Jushçenko në muajin prill për shpërndarjen e Parlamentit të vendit. Ai e akuzoi Partinë e Rajoneve për përdorimin e taktikave jo-kushtetuese për t’i bindur ligjvënësit të ndryshonin partitë, me synimin për të fituar shumicën në Parlament.//lk

XS
SM
MD
LG