Lidhje

Shkaqet e protestave në Birmani në këndvështrimin e analistëve


Në vitin 1988, demostratat pro-demokratike në Birmani u kthyen në një gjakderdhje, kur ushtria, në mënyrë mizore, i shtypi protestat. Tani, në Birmani është duke u shfaqur përsëri një situatë e ngjashme, duke u bërë kërcënimi më i madh për qeverinë në 19 vjet. Korrespondenti i Zërit të Amerikës sjell një analizë mbi ngjashmërinë dhe ndryshimin midis të dy ngjarjeve:

Megjithëse protestat e vitit 1988 dhe 2007 janë politike, analistët thonë se të dyja lindën si shkak i problemeve ekonomike. Në vitin 1987, Gjenerali Ne Uin, që ishte sundues ushtarak i Birmanisë, urdhëroi një zhvlerësim të monedhës, që preku thellë ekonomikisht biramanezët e thjeshtë.

Këtë vit, një qeveri tjetër ushtarake urdhëroi një rritje të çmimit të benzinës në masën 500 për qind, duke krijuar më shumë vështirësi ekonomike.

Brixhid Uellsh, profesore e studimeve mbi Azinë Juglindore në Universitetin Xhon Hopkins, thotë se ekonomia e Birmanisë është në një gjendje të dërpëruar. Ajo thotë se ndërkohë që rritja e të ardhurave ekonomike ka qenë e njëanshme dhe nuk ka ndihmuar shumicën e njerëzve të thjeshtë, gjeneralët nuk kanë përjetuar vuajtje.

“Njerëzit e thjeshtë i shohin zyrtarët ushtarakë dhe njerëzit e qeverisë me makina të mira, me shtëpi të mira dhe ata në vetvehte janë të shokuar, duke e krahasuar me gjendjen e tyre ekonomike. Dhe kur çmimi i benzinës rritet 500 për qind, pasojat janë të shpejta sepse ato pyesin “si ka mundësi ti të kesh Benx dhe unë nuk mund të përballoj qoftë dhe të shkoj në punë”.

19 vjet të shkuara, ushtria reagoi shpejt me një shtypje brutale të lëvizjes pro-demokraci, duke vrarë qindra vetë dhe duke burgosur një numër të konsiderueshëm njerëzish. Këtë radhë, qeveria reagoi më ngadalë. Protestat filluan në gusht dhe vazhduan çdo ditë në Rangun, Mandalei dhe qytete të tjera, përpara se qeveria t’i shtypte.

Murgjit budistë, të cilët janë të nderuar në Birmani, ishin të parët që protestuan ndaj rritjes së çmimeve. Marvin Ott, profesor për strategjitë e sigurimit kombëtar në Kolegjin Kombëtar Amerikan të Luftës, tha se kjo ishte një sfidë e fuqishme ndaj gjeneralëve.

“Murgjit janë mbrojtës dhe mishërim i kuturës tradicionale budiste të Birmanisë. Ata kanë autoritetin moral. Ata janë më të respektuarit në shoqëri. Dhe kur ata japin publikisht mendime mbi regjimin, me gjykime të ashpra, kjo është një akuzë e fuqishme ndaj qeverisë”,- thotë studjuesi.

Analistët thonë se ndoshta brenda Këshillit Paqes dhe Këshillit të Zhvillimit, që qeverisin vendin, siç është bërë i njohur, u krijua një debat intensiv rreth konfrontimit të drejtpërdrejtë me murgjit.

Studjuesja Brixhid Wallsh thotë se elementët fanatikë ndoshta fituan, sepse pati një pakënaqësi, në një farë mase e drejtë, midis qarqeve drejtuese, se fetarët budistë që ata menduan se do të bashkëpunonin me qeverinë, iu kthyen kundër.

“Ata u përpoqën t'i blenë këta murgj. Ata ndërtuan faltore të reja, dhanë shuma të mëdha parash si donacioine, i shfrytëzuan vizitat e tyre në manastire dhe faltore, duke u përpjekur të mbivlerësonin mbështetjen e tyre. Ata ndeshën në kundërshtimin e një institucioni, për të cilin ata mendonin se kishin mbështetjen e mjaftueshme”.

Nuk është e qartë se kush është duke koordinuar pjesëmarrjen e popullsisë në protestat a tanishme. Fituesja e Çmimit “Nobel”, Aung San Su Ki ka kaluar 12 nga 18 vitet e fundit në arrest shtëpie dhe shumë nga drejtuesit e Lidhjes Kombëtare për Demokraci, janë të moshuar, kanë vdekur ose janë në burg.

Robert Templer, drejtues i programit për Azinë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thotë se koha dhe masat shtypëse kanë patur ndikimin e tyre në Lidhjen Kombëtare për Demokraci.

“Lidhja Kombëtare dhe Aung San Su Ki në veçanti, ende kanë një peshë të madhe. Ata ende janë të respektuar, si mishërimi i demokracisë në vend. Ata, në të vërtetë nuk kanë shumë mundësi udhëheqëse për momentin, sepse janë ose në burgje, në arrest shtëpie, ose në mërgim, si dhe nuk kanë mundësi për organizim, për shkak të shtypjes që ushtron ushtria”.

Një dallim kryesor midis demonstratave të vitit 1988 dhe atyre të tanishme, është teknologjia. Qeveria ka patur vështirësi për të bllokuar mënyrat e reja të komunikimit. Pamjet e protestave paraqiten me shpejtësi dhe reagimi ndërkombëtar ndaj protestave dhe përgjigjes së qeverisë ka qenë shumë më i shpejtë se ai i netëve të përgjakshme të gushtit të vitit 1988.//lk

XS
SM
MD
LG