Lidhje

Cili ishte shkaku i vdekjes së Princeshës Diana?


Nesër do të fillojë më në fund në Londër procesi formal për të përcaktuar shkakun e vdekjes së Princeshës Diana, më shumë se 10 vjet pas ngjarjes tragjike që tronditi botën.

Një juri prej 11 vetësh do të përcaktojë nëse Diana dhe miku i saj Dodi al-Fajed ishin viktima të një komploti apo thjesht të një aksidenti tragjik. Procesi do të zhvillohet në Gjykatën Mbretërore të Drejtësisë.

Në përputhje me praktikën standarde të Anglisë, në gjykatë nuk do të lejohen kamerat gjatë procesit. Një proces i tillë nuk është gjyq por më tepër një hetim formal dhe vend të gjykatësit ai kryesohet nga një autopsist.

Diana dhe miku i saj Dodi al-Fajed humbën jetën më 30 gusht 1997 kur makina e tyre u përplas brenda një tuneli në Paris. Ata sapo kishin dalë nga hoteli Ritz dhe po ndiqeshin nga paparacët. Princesha u varros pas një jave me funeral shtetëror në Londër.

I ati i Dodit, Mohammed al-Fajed ia hodhi fajin për vdekjen e të dyve, bashkëshortit të mbretëreshës, Princit Filip dhe shërbimeve të fshehta britanike. Por hetimet e policisë treguan se faji ishte i shoferit të makinës dhe lanë të kuptohej se ai ishte i dehur. (ze)

XS
SM
MD
LG