Lidhje

Presidenti Bush emëron këshilltarin e tij të ri ushtarak


Presidenti Bush mori dje pjesë në një ceremoni ushtarake për nder të largimit të Shefit të Shtabit të Shtatmadhorisë dhe për t’i uruar mirëseardhjen shefit të ri.

Presidenti Bush vlerësoi periudhën e gjatë të shërbimit të Gjeneralit Piter Pejs, karriera ushtarake e të cilit filloi me Luftën e Vietnamit dhe që u bë kuadri i parë nga radhët e Marinsave, që shërbeu që nga viti 2005, si Shef i Shtabit të Shtatmadhorisë, posti më i lartë në ushtri.

Zoti Bush e vlerësoi gjeneralin si një nga udhëheqësit ushtarakë më të respektuar dhe më të kompletuar që ai ka njohur ndonjëherë.

"Ai ka dhënë ndihmesën e tij në formulimin e përgjigjes së Amerikës ndaj sulmit të paprecedent ndaj vendit tonë, më 11 shtator. Ai dha ndihmesën për çlirimin e dy vendeve nga tiranitë brutale dhe ka ndihmuar po ashtu për t’i dhuruar lirinë miliona njerëzve",- tha Presidenti.

Presidenti Bush i bëri këto komente në ceremoninë që u mbajt në Fort Majer, pranë Uashingtonit.

Gjenerali Pejs, të cilin administrata e Presidentit Bush nuk e emëroi për një mandat të dytë dy-vjeçar, shërbeu në një periudhë sfidash të jashtëzakonshme për ushtrinë amerikane në Irak, në Afganistan dhe gjetkë. Gjatë shërbimit në postin e tij, ai përjetoi shkallëzimin e madh të dhunës në Irak, deri në momentin kur atje u dërguan trupa shtesë, të cilat duket se e ndaluan gjakderdhjen në disa zona.

Në fjalimin që mbajti në ceremoni, gjenerali theksoi rëndësinë që ka mbështetja nga populli amerikan për trupat e veta, që ndodhen në një situatë të rrezikshme, dhe bëri thirrje për civilizim në debatin publik lidhur me luftën në Irak dhe konflikte të tjera. Gjenerali Pejs, po ashtu sugjeroi se nuk ekzistojnë rrugët e lehta për t’i dhënë fund ndërhyrjes amerikane në Irak.

"Dua që të gjithë ta kuptojnë, se ky dialog nuk ka të bëjë me çështjen në se ne mund të votojmë për t’i dhënë fund luftës. Ne kemi një armik, i cili ka deklaruar luftë ndaj nesh. Ne jemi në luftë. Ata duan të mos na lejojnë ta jetojmë jetën siç duam ne."

Shefi i ri i Shabit të Shtamadhorisë, është admirali i Marinës, Majk Mullen, i cili është zotuar se do të shkojë në Irak për të parë nga afër përparimin që po realizohet atje në saje të përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë seancës për konfirmimin e tij në Kongres, 60-vjeçari Mullen tha se edhe ai ka patur të njëjtat shqetësime që ka populli amerikan lidhur me ato që kanë ndodhur në Irak.

Pasi bëri betimin, zoti Mullen nderoi familjet e ushtarëve, duke pranuar vështirësitë që u duhet të kalojnë dhe sakrificat për të mbështetur trupat amerikane dhe misionin e tyre. Ai u zotua se do të bëjë maksimumin për t’u dhënë ushtarakëve amerikanë ato ç’ka u nevojiten për zbatimin e urdhërave dhe përmbushjen e misionit.

"Ju jeni pasuria më e madhe që kemi. Trimëria juaj dhe përkushtimi juaj janë dhurata më e mirë për kombin tonë. Ju jeni heronj të vërtetë," - tha zoti Mullen.

Presidenti Bush tha se shpreson të kthejë në atdhe një numër të kufizuar trupash nga Iraku gjatë vitit të ardhshëm. Si Shef i Shtabit të Shtatmadhorisë, Admirali Mullen pritet të japë vlerësimin e tij për kohën e qëndrimit dhe numrin e trupave amerikane që do të kthehen nga Iraku.//lk

XS
SM
MD
LG