Lidhje

Fëmijët amerikanë me një prind në luftën e Irakut dhe Afganistanit

  • Keroll Pirsën

Një studim i ri i financuar nga ushtria amerikane arrin në përfundimin se fëmijët amerikanë, me një prind që shërben në Irak ose në Afganistan, ka më shumë të ngjarë të abuzohen ose të neglizhohen nga prindi, që i rrit ata, veçanërisht nëse prindi është nëna. Në studim u përfshinë rreth 1 mijë e 800 familje të ushtrisë amerikane.

Salli Hajns është mësuar tani të jetë e martuar dhe të rrisë fëmijët vetëm, pa praninë e të shoqit.

“Burri im është me forcat speciale amerikane. Ai është dislokuar 6 herë; 3 herë në Afganistan dhe 3 herë në Irak.”

Salli dhe të tjerë si ajo, bashkëshortët e të cilëve janë në luftë, përballen me shumë vështirësi.

“Është e vështirë. Përpiqesh të jesh nënë e mirë, kur babai nuk është fare këtu.”

Prandaj departamenti amerikan i mbrojtjes autorizoi një studim për të shqyrtuar statistikat e ushtrisë dhe për të parë nëse fëmijët e ushtarakëve ka më shumë të ngjarë të vuajnë nga abuzimi ose neglizhimi, kur njëri prej prindërve është në luftë.

Sipas rezultateve të studimit, këta fëmijë ka 40 përqind më shumë të ngjarë të abuzohen ose të neglizhohen nga prindi, që i rrit ata, veçanërisht kur ky prind është nëna e tyre.

Deborah Gibs kryesoi studimin e kryer nga grupi kërkimor RTI International dhe Universiteti i Karolinës së Veriut.

“Shkalla e keqtrajtimit nga nëna ose njerka ishte mbi 3 herë më e madhe gjatë dislokimit në luftë të babait në krahasim me periudhat e tjera.”

Nëse një shifër e tillë habit disa prej nesh, Salli Hajns thotë se nënat, që rrisin fëmijët, pa praninë e babait, ndjejnë shumë stres.

“Menaxhimi i situatës financiare, kujdesi për shtëpinë, çdo gjë që duhet rregulluar gjatë asaj kohe. Gjithashtu stresi që të krijohet kur e di se burri tënd është në luftë dhe pasiguritë, që shoqërohen me të.”

Studjuesit thonë se baballarët, që kujdesen për fëmijët ishin më pak të prirur sesa nënat t’i keqtrajtonin fëmijët e tyre. Studimi nuk shpjegon pse ndodh ky ndryshim, por zonja Gibs thotë se baballarët mund të ndihmohen më shumë nga pjesëtarë të tjerë të familjes kur gratë e tyre dislokohen në luftë. Zonja Gibs dhe kolegët e saj përfshinë në studim rreth 1 mijë e 800 familje të ushtrisë me të paktën një incident të dokumentuar për keqtrajtimin e fëmijës.

“Ne u habitën nga rezultatet thuajse të njëjta për çdo familje të përfshirë në studim, pavarësisht nga mosha apo raca e prindit, pavarësisht nga vendbanimi apo grada e ushtarakut. Keqtrajtimi i fëmijëve u rrit gjatë dislokimit në operacione luftarake të prindërve. Është mëse e qartë se këto dislokime janë shumë të vështira për të gjitha familjet ushtarake.”

Zonja Gibs thotë se studimi tregon se ushtria duhet t’i mbështesë më shumë familjet e trupave të dislokuara në luftë. (ze)

XS
SM
MD
LG