Lidhje

Përhapja e kompjuterave me çmim të ulët për fëmijët


Grupi jofitimprurës “Një kompjuter portativ për çdo fëmijë” ka shpallur një program për t’u shitur kompjuterat e amerikanëve dhe kanadezëve me çmimin 399 dollarë copa. Fitimet e shitjes nga sejcili kopjuter do të bëjnë të mundur që ky program t’i dhurojë një kompjuter tjetër një fëmije në një nga vendet në zhvillim. Plani i quajtur “Jep një, merr një” synon t’u sigurojë kompjuter fëmijëve në të gjithë globin.

Kompjuteri plastik i gjelbër me të bardhë dhe me çmim të ulët është krijuar në mënyrë të tillë që të përballojë temperatura shumë të ulëta dhe shumë të larta, si dhe përplasjet nga rënia në tokë apo derdhjen e qumështit në të. Me pak fjalë, ky kompjuter është bërë për fëmijë. Ai është i lehtë dhe mund të përdoret jashtë nën dritën e diellit si dhe mund të ngarkohet me energji nëpërmjet një paneli diellor apo një manivel. Ai ka edhe rrjet interneti pa tel, video, muzikë dhe lojra që u pëlqejnë fëmijëve.

Programi “Jep një, merr një” është realizimi i një ëndrre për Nicholas Negroponte, bashkë-themeluesi i Laboratorit të Medias në Institutin e Teknologjisë së Masaçusets.

“Kjo ishte një ëndërr në fillim, ndërsa tani është kthyer në realitet, dhe kjo është diçka fantastike.”

Që nga viti 2005, kur Negropontes i lindi ideja e “Një kopjuteri për çdo fëmijë” ai ka udhëtuar në të gjithë globin duke u përpjekur të bindte udhëheqësit e vendeve në zhvillim të blinin kompjuterat me çmim të lirë. Shume vende kanë filluar të marrin pjesë në këtë program, duke përfshirë Brazilin, Uruguain, Libinë, Ruandën dhe Tailandën. Megjithatë, disa vende të tjera të varfëra kanë qenë më të ngadalshëm në pranimin e blerjes së këtyre kompjuterave.

Negroponte thotë se ai shpreson se plani “Jep një, merr një” do të ndihmojë në fillimin e programit. Ky plan fillestar do të zgjatë dy javë duke filluar që nga 12 nëntori. Zoti Negroponte thotë se synimi i tij është i thjeshtë.

“Kjo është mundësia që çdo fëmijë në botë të mund të mësojë.”

Deri tani, grupe fëmijësh amerikanë që i kanë testuar këto kompjuter të gjelbër janë përgjigjur në mënyrë entuziaste duke thënë se ata janë me të vërtetë zbavitës. Negroponte thotë se kjo gjë është shumë e rëndësishme.

“Duhet të jetë zbavitëse, sepse nëse zbavitesh duke bërë diçka atëherë mëson shumë më tepër.”

Sejcili kompjuter është i programuar me gjuhën e vendit ku do të dërgohet, së bashku me një mijë libra dhe programe të tjera kompjuterike edukative. Kompjuterat do t’u jepen disa fëmijëve, të cilët do t’i marrin në shkollë dhe pastaj t’i kthejnë në shtëpi në darkë. Zoti Negroponte thotë se shpreson që të mund të arrijë të shpërndajë 100 milionë kompjutera në vit, duke shtuar se mendon se në këtë mënyrë ne do të mund të krijojmë një botë shumë të ndryshme. (ze)

XS
SM
MD
LG