Lidhje

Kosova me ligjet sipas planit Ahtisari


Ndonëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk i ka dhënë dritën e gjelbër propozimit të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Maarti Ahtisaari, Parlamenti i Kosovës tashmë ka nisur miratimin e projektligjeve që dalin nga ky propozim.

Tre projektligje, ai për simbolet shtetërore, për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës tashmë janë miratuar në parim. Autoritetet e shohin miratimin e këtyre projektligjeve si pjesë të përgatitjeve që duhet të bëjë Kosova para përfundimit të procesit të negociatave shtesë për statusin e saj që pritet të përmbyllen më 10 dhjetor.

Hajredin Kuqi nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ligjërues i të drejtës ndërkombëtare nuk beson se pas këtyre negociatave, propozimi i zotit Ahtisaari do të pësojë ndryshime. “Pra, me fjalë të tjera, ne po mundohemi të bëjmë një përgatitje, e cila do të jetë pozitive në mënyrë që data 10 dhjetor, e sidomos pas 10 dhjetorit ta gjejë Kosovën me zotime të reja dhe në çdo rast edhe nëse ka nevojë për pavarësi apo shpallje të njëanshme ne tregojmë gatishmërinë tonë që po e plotësojmë obligimin ndërkombëtarë për pakon e Ahtisaarit në vazhdën e saj, ndërsa hyrja në fuqi e këtyre ligjeve me siguri do të jetë çështje e pas 10 dhjetorit”, tha zoti Kuqi.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, synon që deri më 10 dhjetor, t’ia kalojë Parlamentit shumicën e ligjeve që dalin nga propozimi i zotit Ahtisaari. Sipas zëdhënësit të qeverisë, Avni Arifi, këto ligje mundësojnë funksionimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. “Të gjitha ligjet e aprovuara deri më tash, p.sh ligji i shtetësisë dhe shumë aspekte të tjera, së pari, këto ligje janë të domosdoshme për një Kosovë me status, dhe së dyti, pakoja e Ahtisaarit për momentin nuk ka alternativë. Është i vetmi kompromis i mundshëm për Kosovën, për institucionet e Kosovës, pakoja e Ahtisaarit ka shumë komponentë që janë të dhimbshme, të vështira dhe që kanë lënduar shumëkë në Kosovë, por është e vetmja alternative me të cilën institucionet e Kosovës në të cilën Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare do të gjenin pikat e përbashkëta…. një ardhmëri”, theksoi zoti Arifi.

Zbatimi në praktikë i të gjitha ligjeve që miratohen nga Parlamenti i Kosovës varen nga miratimi i tyre nga ana e shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker. Ky i fundit i është drejtuar me një letër kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kolë Berisha nëpërmjet së cilës ka kërkuar që ligjet e tilla të miratohen gjatë periudhës së tranzicionit. “Unë kam kërkuar që parlamenti të jetë i kujdesshëm pwr ndikimet politike dhe ligjore gjatë diskutimit, por nuk i kam dekurajuar ata. Mendoj se parlamenti në bazë të kornizës kushtetuese nuk duhet t’i miratojë ende këto ligje”, tha zoti Ruecker.

Sidoqoftë, autoritetet në Prishtinë janë të vendosura të vazhdojnë me praktikën e filluar të përgatitjes së infrastrukturës ligjore mbi themelet e propozimit të zotit Ahtisaari, propozim ky që është miratuar nga Parlamenti me kusht që ai të jetë pjesë e një Rezolute ndërkombëtare për të ardhmen e Kosovës. Por zbatimi i një infrastrukture të tillë duhet të presë një vendim politikë për këtë të ardhmen. //rd//

XS
SM
MD
LG