Lidhje

Bode: Rruga Durrës-Kukës, përpara parashikimeve


Ministri i financave tha se firmat shqiptare janë 30 herë më të dobëta se kontraktori i rrugës Durrës - Kukës

Zëri i Amerikës: Zoti Bode, këto ditë ju keni patur bisedime me një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombetar lidhur me buxhetin e ri të shtetit për vitin 2008. Cilat janë të dhënat kryesore të buxhetit të ri?

Ridvan Bode: Ky buxhet përbën një moment tepër të rëndësishëm për zbatimin e programit katërvjecar të qeverisë "Berisha". Në të dallohen dy elemente: së pari është fakti që në vitin 2008 ne do të bëjmë uljen më të madhe të taksave të gjithë kësaj periudhe, uljen në masën 50 për qind të tatimit mbi fitimin, taksën korporative që përbën një shumë të madhe parash. Në terma realë është 120 milionë dollarë që i lihen biznesit në dispozicion për t'i riinvestuar, ndonëse kjo sasi parash do t'i mungojë buxhetit të shtetit. Nga ana tjetër do të merren edhe një tërësi masash të tjera të karakterit administrativ që synojnë plotësimin e këtij deficiti të krijuar dhe për më tepër rritjen reale të të ardhurave në raport me prodhimin e brendshëm bruto për të financuar bllokun e madh të investimeve publike që do të ndërmerren për vitin që vjen në Shqipëri. Rreth 800 milionë dollarë do të jetë vëllimi i investimeve publike që do të ndërmerren gjatë vitit 2008 dhe ato do të përballohen tërësisht me fondet e buxhetit të shtetit dhe me kreditë e tjerave brenda tavaneve të miratuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër! Ju herë pas here jeni përpjekur që të ulni taksat për bizneset e vogla dhe të mesme. Sa po ju mirëkuptojnë bizneset lidhur me këto përpjekje dhe cfarë po del në bisedimet shpeshta që keni me përfaqësues të tyre?

Ridvan Bode: Në këtë drejtim ka dy kategori: pjesa e bizneseve që kanë në rregull në raport me ligjin sigurisht që ndjejnë lehtësitë reale të kësaj politike dhe ndjehen më të cliruar dhe më aktivë në treg. Ndërkohë, segmente të ekonomisë që për shkak të informalitetit të përhapur vitet e mëparshme dhe pjesë të mëdha të biznesit që nuk i janë nënshtruar zbatimit rigoroz të ligjit, edhe pse ne u kemi përgjysmuar nivelin e taksave, ndjehen sikur po paguajnë më shumë për shkak se po afrohen me zbatimin e ligjit dhe po dalin nga informaliteti; ata po dalin nga biznesi i zi drejt një biznesi ligjor. Mendoj se të dy kategoritë kanë përfitimet e tyre, si ata që paguajnë më pak ose gjysmën e asaj që kanë paguar më përpara, dhe ata që deri më sot nuk kanë paguar do të ndjehen përsëri më mirë, sepse do të ndjehen të ligjshëm në aktivitetin e tyre dhe të parrezikuar nga risqet e falimentimit që vijnë për shkak të ligjit dhe zbulimeve që bën administrata përmes kontrolleve.

Zëri i Amerikës: Zoti Bode, disa nga rrugët e reja që po ndërtohen në veri dhe në jug të vendit, janë edhe konsumatorët kryesorë të buxhetit të shtetit për vitin 2007 dhe për vitin 2008. Çfarë të rejash ka për to në këtë pikë nga pikëpamja financiare, sidomos për rrugën e Kukësit, e cila është bërë edhe temë e sherreve politike?

Ridvan Bode: Pjesa më e madhe e fondeve që financohen për investime publike janë të destinuara në infrastrukturën rrugore. Disa prej objekteve janë më të mëdhatë dhe ato po vijojnë me shpejtësi dhe atje po kryhen vëllime të mëdha punimesh. Sigurisht që segmeneti i rrugës Durrës - Kukës është më i madhi, më kryesori. Atje po avancojnë punimet me një shpejtësi më të madhe nga sa pritej dhe kjo tregon realisht kapacitetin e një investitori të tillë për të kryer vëllime të mëdha të investimeve publike. Jashtë një kontraktori të tillë do të ishte tepër e vështirë për të shpresuar që brenda një viti të mund të realizohen 120 milionë euro punime konkrete, vëllime punimesh reale. Ndërkohë që pjesa dërrmuese e firmave më të mëdha shqiptare nuk arrijnë të konsumojnë më tepër se 3-5 milionë euro investime. Kjo është edhe një nga problemet e vonesave që ne kemi në realizimin e grafikut të investimeve dhe mosrealizimit të financimeve sipas atyre që parashikohen në buxhet. Janë duke ecur me shpejtësi punimet edhe disa segmente të tjera rrugore si Gjirokastër - Tepelenë, Lushnje - Fier, janë në fillim tani segmentet Korcë - Qafë Pllocë dhe Qafë Bllatë - Bulqizë, ndërkohë që është në vijim rruga turistike e bregdetit jugor. Këto janë segmentet që kanë edhe fondet më të mëdha dhe që po harxhojnë pjesën kryesore të burimeve financiare. Ne mendojmë që avancimi në këto segmente rrugore u arrit edhe prej një strategjie që ka ndjekur qeveria, duke e fragmentarizuar, duke e ndarë në pjesë më të vogla, për shkak të mungesës së kapaciteteve që kanë firmat shqiptare. Kjo masë do të përshpejtojë ritmet e investimeve që ne kemi programuar për vitin 2007 dhe për vitin 2008. //rd//

XS
SM
MD
LG