Lidhje

Zyrtarët në Europë të shqetësuar nga rritja e euros kundrejt dollarit


Euroja, monedha që përdoret nga 13 vende të Bashkimit Europian arriti rekorde të reja në vlerë kundrejt dollarit gjatë tetë ditëve të fundit të shkëmbimeve në treg. Kjo po i shqetëson europianët, eksportet e të cilëve po bëhen gjithnjë e më të shtrenjtë.

Euroja është rritur në masën 66 përqind kundrejt dollarit gjatë 5 vjetëve të shkuar. Vetëm në vitin 2007, euroja është rritur 8 përqind duke u shkëmbyer aktualisht me pothuajse 1 dollar e 43 centë.

Udhëheqësit europianë të biznesit dhe ata politikë janë të shqetësuar se forcimi i euros do të ulë fuqinë konkurruese të eksporteve të tyre dhe do të ngadalësojë rritjen ekonomike të këtyre vendeve. Ekonomia e 13 vendeve që përdorin euron është rritur me ritme prej 2,5 përqind në vit, diçka më shpejt se ritmi prej 2 përqind i regjistruar në Shtetet e Bashkuara gjatë 6 muajve të fundit.

Në një konferencë të mbajtur dje në Maltë, shefi i Bankës Qendrore Europiane, Zhan-Klod Trishe, tha se edhe Uashingtoni është i shqetësuar."E përsëris se kam përcjellë me shumë vemendje dhe interesim deklaratat e Sekretarit amerikan të Thesarit si dhe të homologut tim në Bankën Qendrore amerikane se një dollar i fortë është në interes të Shteteve të Bashkuara."

Zyrtar të eurozonës kanë thënë se në takimin e ministrave të financave të shtatëshes këtë muaj do t’i bëjnë presion Sekretarit amerikan të Thesarit, Henry Paulson që të riafirmojë se një dollar i fortë është në interesin amerikan. Ata shpresojnë se një deklaratë e shtatëshes në këtë aspekt do të ndihmojë për rivendosjen e balancës në tregjet monetare.

Në Uashington, Fred Bergsten, kreu i Institutit privat Peterson, tha se ngurrimi i Kinës për të lejuar rritjen e ndjeshme në vlerë të monedhës së saj juanit kundrejt dollarit, ka bërë që Europa të mbajë barrën kryesore të rënies së dollarit. Bergsten thotë se Europa dhe Amerika duhet të bashkëpunojnë për ta detyruar Kinën të bërë rivlerësimin e monedhës së saj. "Në procesin e korrigjimit të vlerave të monedhave, ku e gjithë barra bie mbi Europën, me sa duket është e nevojshme që Europa të ndërmarrë disa nisma më aktive së bashku me Shtetet e Bashkuara."

Bergsten e mbështet rënien graduale të dollarit dhe thotë se një dollar më i dobët ndihmon për të korrigjuar çekuilibrin e madh tregtar amerikan të shkaktuar nga fakti që Shtetet e Bashkuara importojnë shumë më tepër nga sa eksportojnë. //ii

XS
SM
MD
LG