Lidhje

Shqipëri: 4 ish-zyrtarë të lartë të Albpetrolit nën pranga


Në Shqipëri katër ish zyrtarë të lartë të ndërmarrjes Albpetrol në Fier u arrestuan sot nën akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe atë të “Shpërdorimit të detyrës”. Urdhër arresti është lëshuar edhe për dy ish drejtues të një tjetër ndërmarrjeje të naftës në Fier “Armo” të cilët nuk janë prangosur pasi mendohet se janë larguar nga vendi. Ata akuzohen për “Shpërdorim të detyrës” ku janë vërejtur shkelje në të paktën 30 tendera.

Një valë tjetër arrestimesh për korrupsion ka përfshirë sot qytetin e Fierit. Në pranga kanë përfunduar këtë herë katër ish zyrtarë, drejtues deri në vitin 2005 të ndërmarrjes Albpetrol. Ish-Drejtori i Përgjithshëm Fatos Nika, ish-Drejtori i Nafta Impeks Agim Asllanaj, ish-Drejtori i Sektorit të Përpunimit të Rërës Bituminozë, Kasnicë Llambi Bucka dhe ish-Shefi i Departamentit të Projektimeve Hilmi Deraj janë vënë nën akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe atë të “Shpërdorimit të detyrës”.

Operacioni për kapjen e tyre u realizua falë bashkëpunimit të forcave të policisë dhe prokurorisë. Kjo e fundit kishte zhvilluar hetime prej katër muajsh pas materialeve të marra nga policia e Fierit.

Sipas prokurorisë gjatë rikonstruksionit të një rruge në Fier, janë evidentuar një sërë shkeljesh të ligjit për prokurimet publike si mungesa e lejes së ndërtimit, mos realizimi i një procedure tenderi, realizimi i rrugës jashtë investimeve të planifikuara dhe të miratuara nga Ministria e Ekonomisë, si dhe shkelje të tjera gjatë procedurave të zbatimit dhe të ndjekjes së kontratës, të cilat kanë shkaktuar dëm të rendësishëm ekonomik.

Po sot prokuroria njoftoi se janë lëshuar urdhërat e arrestit edhe me vendim të gjykatës, për dy drejtues të një ndërmarrjeje tjetër nafte, po në Fier “Armo”. Bëhet fjalë për dy ish zyrtarë që kanë drejtuesr ndërmarrjen në vitin 2006, ish-Drejtori i Drejtorisë së Bilancit Bashkim Avdulla dhe ish-Drejtori i Drejtorisë Ekzekutive Gëzim Osmanaj. Por për ta nuk është bërë I mundur arresti pas mendohet se janë larguar tashmë nga Shqipëria. Edhe për ta rëndon akuza e “Shpërdorimit të detyrës”.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se në rreth 30 procedura tenderi të realizuara nga Shoqëria Anonime “ Armo” gjatë vitit 2006, janë evidentuar shkelje të shumta të ligjit për prokurimet publike. Arrestimet e sotme pasojnë ato të nisura në muajin shtator me zyrtarë të Tatimeve në Tiranë e Lushnje dhe funskionarët e lartë të ministrisë së Transporteve.

Pesë nga 9 të arrestuarit për tenderat në ministrin e transporteve u paraqitën sot në Gjykatën e apelit e cila konfirmoi masën e arrestit në burg për ish zëvendësministrin Nikolin Jaka dhe tre zyrtarë të tjerë duke lënë në gjendje të lirë vetëm një person i dyshuar si ndërmjetës në aferat korruptive. //ad//

XS
SM
MD
LG