Lidhje

Regjimi i Birmanisë përballet me izolim të mëtejshëm

  • Bill Roxhers

Ushtarët birmanezë paralajmëruan banorët në Rangun se ata që morrën pjesë në protestat pro-demokracisë javën e kaluar do të gjenden dhe do të arrestohen.

Trupat birmaneze paralajmëruan të mërkurën me autoparlantë duke thënë se kanë fotografitë e protestuesve dhe se do t’i arrestojnë ata. Diplomatët perendimorë thanë se forcat e sigurisë në Rangun kanë arestuar aktivistë të opozitës gjatë natës në shtëpitë e tyre.

Trupat birmaneze shtypën me dhunë një seri protestash paqësore anti-qeveritare javën e kaluar në Rangun. Dizidentët thanë se gati 200 protestues u vranë dhe mijëra të tjerë u arrestuan. Ushtria birmaneze tha se janë vrarë vetëm 10 persona.

Ambasadorët e Bashkimit Evropian, që u mblodhën në Bruksel të mërkurën, ranë dakord të parim të shtojnë sanksionet e BE-së kundër Birmanisë në përgjigje të shtypjes së protestave të opozitës. Diplomatët thanë se Bashkimi Evropian do të shtojë ndalimin e vizave për zyrtarët birmanezë dhe do të kufizojë edhe më shumë tregëtinë me Birmaninë.

Të martën, zyrtarja e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Luis Arbor i bëri thirrje Birmanisë të japë llogari të plotë për numrin e protestuesve të vrarë dhe të plagosur nga shtypja e demonstratave javën e kaluar. Thirrja vjen ndërsa vazhdon trysnia ndërkombëtare mbi udhëheqjen ushtarake të Birmanisë pas shtypjes së lëvizjes pro-demokratike të udhëhequr nga murgjët budistë të vendit. Por udhëheqësit e Birmanisë nuk po tregojnë asnjë shenjë përkuljeje ndaj kësaj trysnie – duke fajësuar për demonstratat oportunistët politikë.

Protestat që dikur zhurmonin rrugët e qytetit të Rangunit kanë përfunduar, të paktën tani për tani – dhe jeta duket t’i jetë kthyer normalitetit në Birmani.

Por shtypja e dhunshme e lëvizjes pro-demokratike e drejtuar nga murgjët budistë për disa analistë është një tregues i dobësisë së qeverisë ushtarake. Profesorja Brixhet Welsh në shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Xhons Hopkins thotë se shtypja e murgjëve ishte një gabim.

"Ata janë pararoja fetare, pararoja shpirtërore e vendit dhe regjimi nuk e ka më mbështetjen e tyre. Kështu që çfarëdo mase të marrë regjimi në të ardhmen, do të jetë një situatë tjetër, më e paqëndrueshme, pasi nuk do t’i ketë rrënjët në shoqëri. Sistemi duhet të përdorë frikën kundër njerëzve për të qëndruar në pushtet".

Grupet disidente thonë nse numri i vitkimave është shumë më i lartë sesa dhjetë vdekjet e njoftuara nga qeveria. Ata thonë gjithashtu se forcat e sigurimit kanë ndaluar mijëra protestues – një shqetësim i veçantë për organizatën Amnesty International. Katherin Bejber e kësaj organizate foli për Zërin e Amerikës në Londër.

"I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të përqëndrohet vërtetë në këtë problem pasi eksperienca jonë në dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Birmani tregon se ata që janë arrestuar janë në rrezik të madh për t’u torturuar".

Fushata e dhunës në Birmani u prit me protesta në mbarë botën, por nuk është e qartë në se ato kanë patur ndonjë ndikim mbi regjimin ushtarak të këtij vendi. Ushtria është në pushtet në Birmani që nga viti 1962 dhe në të kaluarën i ka injoruar thirrjet apo sanksionet ndërkombëtare për të hequr dorë nga shkelja e të drejtave të njeriut.

Ministri i jashtëm i Birmanisë tregoi të njëjtën mospërfillje gjatë fjalimit të hënën në Asamblenë e Përgjithshme duke fajësuar vendet e tjera për nxitjen e trazirave.

Presidenti Bush duke folur në një njëjtin forum javën e kaluar njoftoi sanksione të reja kundër Birmanisë. Shtetet e Bashkuara po i bëjnë trysni udhëheqësve ushtarakë të Birmanisë të hapin një dialog me opozitën veçanërisht me udhëheqësen pro-demokracisë Aung San Suu Çi e cila ka qënë nën arrest shtëpiak për më shumë se 18 vjet.

Por zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Tom Kejsi tha se Uashingtoni kërkon edhe vende të tjera – veçanërisht Kinën dhe Indinë të bëjnë pjesën e tyre.

"Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje që të vetme të detyrojnë qeverinë birmaneze të ndryshojë. Kjo është arsyeja që edhe vende të tjera shumë prej të cilave kanë marrëdhënie të ngushta me Birmaninë ose janë vende fqinje me të të përdorin ndikimin e tyre pasi kjo është mënyra më e efektshme për të parë ndryshim".

Kina dhe India kanë lidhje të ngushta ekonomike me Birmaninë dhe nuk është e qartë sesa janë të gatshme të ushtrojnë trysni mbi udhëheqësit ushtarakë. Por Pekini mund të jetë duke punuar prapa skenave, thotë profesorja Bridget Welsh.

"Pa shumë zhurmë, kinezët duket se janë angazhuar dhe po ushtrojnë presion. Deklarata e tyre publike i bënte thirrje regjimit të tregonte përmbajtje. Kjo është shenjë e mirë dhe më duket se kinezët kanë qënë shumë aktivë për të nxitur dialogun".

Mënyra e veprimit të Kinës mund të jetë një provë për rolin e saj në komunitetin ndërkombëtar. Grupet e të drejtave të njeriut po bëjnë thirrje për një bojkot të lojrave olimpike të vitit të ardhshëm në se Pekini nuk ushtronë më shumë trysni ndaj qeverisë së Birmanisë. (ze)

XS
SM
MD
LG