Lidhje

50 vjetori i lëshimit të satelitit të parë artificial në orbitë


50 vjet më parë, më 4 tetor Bashkimi Sovjetik dërgoi satelitin e parë në orbitë rreth tokës. Ishte një mjet i rrumbullakët i quajtur Sputnik – që rusisht do të thotë pikërisht satelit. Kjo ishte një arritje e mahnitëshme shkencore, por ata që e realizuan këtë nuk mendonin se një ditë do të pushtonin hapësirën. Më pas koha tregoi se Sputniku rezultoi nga një projekt ushtarak sovjetik me probleme.

Më 4 tetor 1957, një raketahedhës në Tiuratam, qendera e sotme e hapësirës në Bajkonur të Kazakistanit, hodhi në hapësirë një top të shkëlqyer alumini me diametër 58 centimetrash dhe me peshë 83 kilogram. Kontrollorët në tokë regjistruan sinjalin e tij të famshëm kur përshkoi orbitën eliptike të Tokës.

Krenarë për lëshimin e këtij sateliti, media sovjetike proklamoi triumfin e shkencës dhe teknologjisë sovjetike. Titujt e lajmeve nëpër botë pasqyruarn habinë ndërkombëtare për lajmin e hedhjes në orbitë rreth Tokës të satelitit të parë artificial.

Drejtori i tanishëm i agjencisë ruse të hapësirës, Anatoli Perminov, ndiqte atëhere klasën e nëntë. Ai thotë se kjo ngjarje ndikoi në vendimin e tij për tëpër t’u bërë shkencëtar raketash.

“Ishte një festim madhështor. Megjithatë, 90 përqind e njerëzve nuk e kuptonin qartë se çfarë kishte ndodhur. Por ishte euforia ajo që më mbërtheu shpirtin atë ditë”.

96 vjeçari, Boris Çertok është një nga pjesëmarrësit e programit për lëshimin e Sputnikut. Ai ishte zëvendës i kryeinxhinierit të Sergei Koroljov . Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, zoti Çertok tha se ata që morrën pjesë në lëshimin e satelitit ishin po aq të mahnitur nga reagimi ndërkombëtar.

“Ju a them me ndershmëri se për ne ishte një kënaqësi e papritur. Por natyrisht, na dha një satisfaksion të madh. Ishte, në se mund ta quajmë kështu, në arritje fatlume, e cila nuk ishte parashikuar si e tillë”.

Çertok thotë se Bashkimi Sovjetik po punonte për një raketë balistike ndërkontinentale për t’iu kundërvënë kërcënimit bërthamor amerikan. Por Çertok thotë se në provat e saj të para ajo shpërtheu me të hyrë në shtresat e dëndura të atmosferës. Ai thotë se drejtori i tij, Sergei Koroljov, ishte një nga ëndërrimtarët e programit të raketave, i interesuar në eksplorimin e hapësirës dhe jo në militarizëm. Korelov kishte argumentuar se hunda konike e Sputnikut nuk do të kishte problem të depërtonte shtresat e dendura të atmosferës, pasi sateliti nuk do të kthehej në Tokë. Ëndërra e Korolev u përputh me nevojat politike të Bashkimit Sovjetik.

“Udhëhqja jonë politike, duke përfshirë Kryeministrin Nikita Hrushov, besonte se Bashkimi Sovjetik nuk duhej të mbetej mbrapa. Ne duhet të demonstronim se sistemi ynë social kishte avantazhe të mëdha krahasuar me sistemin amerikan, prandaj ai e miratoi këshimin e satelitit”.

Çertok thotë se lëshimi i Sputnikut ishte rezultat e punës së një ekipi prej një mijë vetësh, që punonin në kushte skrete gjysmë shekulli më parë. Sateliti i tyre artificial qendroi në hapësirë për 21 ditë.

Duket se mjeti i parë i njerëzimit në orbitë rezultoi nga një projekt shkencor ushtarak nën ndikimin politik, i nxitur nga një grup njerëzish ëndërrimtarë. //iç//

XS
SM
MD
LG