Lidhje

Kina: Lojrat Olimpike dhe të drejtat e njeriut


Kur Kina fitoi të drejtën të organizonte Lojrat Olimpike të vitit 2008, udhëheqësit e vendit premtuan se do të bënin përmirësime të vazhdueshme lidhur me të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor. Një ekspert për sistemit ligjor të Kinës parashikon një përmirësim gradual, por përgjithësisht gjendja e drejtësisë në Kinë një vit para Lojrave Olimpike lë shumë për të dëshiruar.

Kina kishte thënë se një nga rrugët për të treguar përparim drejt vendosjes së shtetit ligjor do të ishte zbatimi i Konventës Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtat Civile dhe Politike që Pekini e nënshkroi në vitin 1998.

Por Jerome Alan Cohen, ekspert mbi sistemin ligjor të Kinës në Universitetin e Nju Jorkut thotë se shanset që ajo të zbatohet para Lojrave Olimpike të vitit të ardhshëm janë të pakta.

Duke folur në Klubin e Korrespondentëve të Huaj në Hong Kong, zoti Cohen tha se që ajo të vihej në jetë, do të duhej të ndërmerreshin shumë ndryshime radikale, si nxjerrja jashtë ligjit e kampeve të riedukimit.

Policia i pëlqen këto kampe, sepse mund t’i dërgojë njerëzit atje pa pritur për vendimin e gjyqit. Zoti Cohen thotë se megjithëse ka një mbështetje të fortë mes specialistëve ligjorë kinezë për t’i mbyllur kampet, policia dhe Ministria e Sigurisë Publike po ushtron një presion edhe më të fortë për t’i mbajtur ato.

“Ata shqetësohen për stabilitetin politik dhe social. Ky është një instrument i fuqishëm për të mbajtur situatën nën kontroll. Ka qenë një mjet shumë i rëndësishëm kundër disidentëve politikë dhe atyre që ata i quajnë huliganë. U ka shërbyer për ta përdorur kundër atyre për të cilët nuk mbledh dot prova të mjaftueshme dhe nuk i dënon dot penalisht”.

Por ai thotë se parashikon që do të bëhen disa reforma ligjore para Lojrave Olimpike. Ai thotë se Kongresi i Partisë Komuniste që mblidhet këtë muaj në Pekin, pritet të japë mbështetje ndaj parimit për të konsideruar dikë të pafajshëm derisa t’i provohet fajësia, që përbën një nga themelet e sistemit ligjor perëndimor.

Zoti Cohen thotë se parashikon gjithashtu që Kongresi i Partisë të konfirmojë një vendim të Gjykatës së Lartë sipas së cilit rrëfimet e siguruara me kërcënime dhe të dhënat e mbledhura në mënyrë të paligjshme nuk mund të përdoren si basë për dënime.

Eksperti thotë se një nga zhvillimet kryesore në Kinë është se gjykata e Lartë është kthyer në një reformatore aktive të drejtësisë për shembull në përpjekjet për të pakësuar numrin e dënimeve me vdekje.

“Gjykata e Lartë përballet me situatën që dënimi me vdekje mund të jepet për 68 lloje krimesh. Për arsye politike, organi legjislativ nuk po e ul këtë numër, por gjykata e Lartë praktikisht po përpiqet t’i bindë gjykatat e shkallës më të ulët që të kufizohen kur i japin vendimet”.

Qeveria kineze thotë se numri i dënimeve me vdekje ka rënë vitet e fundit. Zoti Cohen thotë se mund të jetë e vërtetë, por sesa vetë janë dënuar realisht është një sekret që ruhet me kujdes. //iç

XS
SM
MD
LG