Lidhje

Di Carlo: Në mungesë të marrëveshjes, plani Ahtisaari mbetet rruga më e mirë 


Zëvendëndihmës Sekretarja e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Rozmari DiKarlo tha sot se pavarësia e Kosoves është e pashmangshme dhe shtoi se, në se deri më 10 dhjetor nuk arrihet një marrëveshje për statusin, mendimi i Shteteve të Bashkuara është se plani Ahtisari mbetet zgjidhja më e mire për të ardhmen. Zonja Di Karlo i bëri këto komente para nisjes për një turne në Ballkan në kuadër të Kartës së Adriatikut.

Zyrtarja amerikane theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ajo shprehu shpresën që ky proces të japë rezultat deri në datën 10 dhjetor kur Grupi i Kontaktit do t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Zonja di Carlo nuk pranoi të spekulonte se çfarë mund të ndodhë, nëse nuk arrihet në përparim, ose nëse shqiptarët e Kosovës, ashtu siç kanë paralajmëruar, do të shpallin pavarësinë në mënyrë të njëanshme.

Megjithatë ajo theksoi se status-quoja është e papruanueshme dhe nëse nuk arrihet një zgjidhje deri në fund të këtij viti, Shtetet e Bashkuara i përmbahen qëndrimit se plani Ahtisaari mbetet rruga më e mirë përpara. Ajo theksoi se pavarësia, ashtu siç ka thënë edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, është e paevitueshme dhe mbetet zgjidhja më optimale si për Kosovën, ashtu edhe për mbarë rajonin.

Zonja Di Carlo theksoi se megjithëse janë vërejtur shenja ngurrimi dhe një mungesë uniteti në Bashkimin Evropian, fuqitë evropiane janë shumë të angazhuara dhe shumë serioze në vullnetin për të gjetur një zgjidhje për këtë problem pasi siç theksoi edhe zonja Di Carlo, Kosova mbetet pjesë e Evropës dhe është një problem evropian.

Zonja DiCarlo niset këto ditë për një turne në Ballkan për t’u takuar me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Kartes së Adriatikut, Shqipëri, Maqedoni, Kroaci, qe synojnë të marrin ftesë anëtarësimi në NATO vitin e ardhshem.

Ajo do të vizitojë në fillim të Maqedonisë dhe pastaj do të shkojë në Split të Kroacisë për takimin e Kartës së Adriatikut. Ajo theksoi edhe një herë qëndrimin e Aleancës, se dyert e NATO-s janë të hapura për të gjithë ata që përmbushin kërkesat e anëtarësimit dhe shprehu shpresën që vendet e Kartës së Adriatikut t’i plotësojnë kushtet, që nga prilli i vitit të ardhshëm të marrin ftesën për anëtarësim. Ajo theksoi se mbetet ende kohë, por edhe reforma dhe detyra për t’u përmbushur. Ajo shprehu mirënjohjen për angazhimin e Shqipërisë në misione të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në Afganistan, apo Irak etj.

Megjithatë ajo tha se përsa u përket ambicieve për anëtarësim në NATO, Shqipëria duhet të përmbushë më tepër reforma dhe megjithëse ka kryer reforma kundër krimit dhe korrupsionit, ende ka shumë rrugë për të bërë. Zonja di Carlo theksoi edhe nevojën për miratimin e kodit të ri elektoral për të shmangur problemet e hasura në zgjedhjet e mëparshme. Ajo theksoi se megjithëse këto vende janë anëtare të Kartës së Adriatikut, nuk do të thotë që të gjitha këto vende do të futen si grup në NATO pasi siç theksoi ajo analiza përfundimtare është individuale për çdo vend, ashtu siç janë edhe reformat dhe kërkesat e secilit vend.

Intervistën e plotë me zv/ndihmës Sekretaren e Shtetit mund ta ndiqni ditën e shtunë në programin Ditari.

XS
SM
MD
LG