Lidhje

Njesimi i politikës së jashtme, sfida e Bashkimit Evropian


Gjatë 50 vjetëve të fundit, vendet evropiane kanë shënuar sukses drejt integrimit të tyre ekonomik. Organizata me 27 anëtarë është tregu më i madh i njesuar në botë. Ekonomitë e zhvilluara dhe një monedhë e fortë e përbashkët e kanë ndihmuar Bashkimin Evropian të bëhet një klub, ku të gjithë duan të bëhen anëtarë. Por përsa i takon politikës së jashtme, kjo organizatë mbetet një kombinim vendesh të veçanta dhe zërash kundërthënës.

Gjatë gjithë historisë së tyre të trazuar, vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë krijuar aleanca dhe kanë luftuar kundër njëri-tjetrit. Tani, kjo organizatë me pushtet të jashtëzakonshëm po përpiqet të bëhet një fuqi botërore në politikën e jashtme.

Por disa ekspertë thonë se për shkak të historive dhe interesave kombëtare të ndryshme, anëtarët e Bashkimit Evropian kanë politika të jashtme të ndryshme. Gerald Baker, gazetar i së përditshmes britanike “The Times” thotë se nuk është realiste të shpresosh që Bashkimi Evropian të arrijë të dalë me një zë në politikën e jashtme. Rasti i Kosovës e pasqyron më së miri këtë prirje. “Bashkimi Evropian është thellësisht i përçarë në këtë drejtim. Arsyet janë të ndryshme: Disa vende nuk duan të ofendojnë Rusinë, që mbron Serbinë, disa fqinjë janë të shqetësuar për paqëndrueshmërinë politike në Serbi dhe në rajon, nga ana tjetër disa vende të Bashkimit Evropian kanë lidhje historike fetare dhe etnike me Serbinë, jo me Kosovën”, thotë zoti Baker.

Shtetet e Bashkuara thonë se duan që Brukseli të jetë partner për të përballuar sfidat gjeopolitike. Por analistët theksojnë se që Bashkimi Evropian të bëhet një partner efektiv duhet të ketë vullnetin që të bëjnë disa zgjedhje të vështira. Jackson Janes është Drejtor i Institutit Amerikan për Studime Bashkëkohore Gjermane. “Mendoj se Bashkimi Evropian nga pikëpamja ekonomike dhe nga pozita e një partneri me peshë të Shteteve të Bashkuara, ka një rëndësi të madhe. Por nga pikëpamja afatgjatë, mendoj se Bashkimi Evropian duhet të dalë dhe të shfaqë hapur qëndrimin e tij ndaj çështjeve globale që duhet të marrin zgjidhje. Ato janë të shumta dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë”.

Gerard Baker i gazetës The Times thotë se Evropës megjithë suksesin ekonomik, i mungon vullneti që të ndërmarrë përgjegjësitë që i takojnë një fuqie të madhe. “Të gjithë jemi robër të së kaluarës dhe Evropa është rob i një të shkuare të përgjakur, të dhunshme dhe të përçarë. 50 vitet e fundit ajo ka gëzuar një paqe dhe begati relative, por për fat të keq kjo ka shkaktuar një mungesë vullneti për të bërë sakrifica të nevojshme për të mbrojtur rolin e vet udhëheqës dhe lirinë e vet”. Diskutimi për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian u mbajt tek Fondacioni Heritage, një organizatë konservatore në Washington. //rd//

XS
SM
MD
LG