Lidhje

Kosovë: Partitë politike zotohen për mirëkuptim dhe tolerancë në zgjedhje


Partitë politike të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë, nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët me të cilën janë zotuar që ato të zhvillohen në frymën e tolerancës.

Po sot, Misioni i Kombeve të Bashkuara shpalli vendimin se fushata për këto zgjedhje fillon më 25 tetor dhe ajo do të zgjasë 21 ditë. Nënshkruesit e deklaratës së sotme në mesin e të cilëve edhe tri subjekte politike serbe u zotuan për fushatë të dinjitetshme, që procesi zgjedhor të rrjedhë në frymën e tolerancës e të mirëkuptimit dhe të mos përdoren gjuhë dhe veprime në kundërshtim me etiken e kodit zgjedhor dhe të dispozitave ligjore në fuqi.

Deklarata e cila është mbështetur edhe nga autoritetet ndërkombëtare synon krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të cilat përkojnë me procesin e zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës. Udhëheqësit politikë të cilët hodhën firmat në deklaratën e sotme, shprehën bindjen se procesi për zgjidhjen e statusit do të përmbyllet deri më 10 dhjetor.

I dërguari amerikan në treshen e Grupit të Kontaktit, ambasadori Frank Wisner tërhoqi vërejtjen se nuk ka të ngjarë që çështja e Kosovës të zgjidhet këtë vit. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se ky qëndrim nuk nënkupton shtyrje të procesit. “Raportimi do të bëhet më 10 dhjetor nga ana e treshes dhe mendoj se mund të jetë një kohë shtesë e atyre aspekteve procedurale apo tentativave për të pasë një konsensus në vendimmarrje”, tha presidenti Sejdiu.

Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, beson se vendimi për pavarësinë e Kosovës do të merret shumë shpejt pas dhjetë dhjetorit. “Politika kosovare dhe qytetarët kanë besim të plotë në SHBA, në qëndrimin e presidentit Bush se Kosova duhet të bëhet e pavarur dhe duhet të bëhet sa më shpejtë që është e mundur. Ne kemi besim të plotë se pavarësia do të ndodhë shumë shpejt dhe vendimi dhe njohja ndërkombëtare gjithashtu do të përshpejtohet menjëherë pas datës dhjetë dhjetor”, tha zoti Thaçi.

Për nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ahmet Isufi paralajmërimet për shtyrje nuk i ndihmojnë procesit aktual. “Kjo është vetëm një deklaratë. Nuk do të thotë se mund të ketë shtyrje për arsye se dhjetë dhjetorin e konsiderojmë fundin e fundit të një procesi ku s’ka ku të shkohet më tutje”, tha zoti Isufi.

Ylber Hysa nga Partia reformiste Ora, thotë ndërkaq se ishte gjë e ditur që vendimi për statusin nuk mund të merret deri në fund të vitit 2007. “Mua nuk më ka befasuar. Kam shpresuar se kolegët tjerë do ta kuptojnë këtë gjë dhe do ta komunikojnë me opinionin në mënyrë që të jemi më transparent dhe të koordinohemi në mënyrë të drejtpërdrejtë me ata që interesohen më së shumti për statusin e Kosovës, qytetarët e saj”, tha zoti Hysa.

Negociatat për statusin e Kosovës pritet të vazhdojnë më 14 tetor në Bruksel, ndërsa është paralajmëruar intensifikimi i takimeve deri më 10 dhjetor. Nisur nga fakti se askush nuk pret ndonjë marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, çështja tash është përqendruar më shumë në zhvillimet që do të pasojnë fundin e këtyre negociatave. //rd//

XS
SM
MD
LG