Lidhje

SHBA: Shqetësime për vonesat në fluturime


Shtëpia e Bardhë po merr në shqyrtim vonenat e fluturimeve ajrore. Presidenti Bush i ka kërkuar Kongresit të punojë me Departamentin e Transportit për të modernizuar Administratën Federale të Aviacionit. Propozimet përfshijnë vendosjen e një tarife të re që shoqëritë ajrore duhet të paguajnë në se duan të kryejnë fluturime në kohën me trafik të rënduar. Por përfaqësues të industrisë së aviacionit thonë se kjo nuk është zgjidhje afatgjatë.

Departamenti i Transportit thotë se më shumë se 25 përqind e fluturimeve brenda Shteteve të Bashkuara midis janarit dhe gushtit të këtij viti kanë qënë me vonesë. Kjo është efektshmëria më e ulët që kur shoqëritë ajrore filluan të mbajnë të dhënat në vitin 1995. Megjithëse ka pak vonesa për avionin me të cilin ai udhëton, Air Force One, Presidenti Bush thotë se e kupton shqetësimin e udhëtarëve. "Një nga arësyet përse konsumatorët e kësaj industrie, pasagjerët përballen me këto vonesa është se qiejt janë të mbushur me avionë", tha presidenti.

Ngarkesa më e madhe ndodh në aeroportet në dhe përreth qytetit të Nju Jorkut. Qeveria thotë se një e treta e trafikut ajror kombëtar përdor këtë zonë ajrore dhe kjo është arësyeja për shumë nga vonesat kronike. Shtëpia e Bardhë u ka kërkuar zyrtarëve të transportit ta shqyrtojnë këtë problem me më shumë agresivitet.

Sugjerimet përfshijnë pagimin e një tarife nga shoqëritë ajrore që fluturojnë gjatë kohës me trafik të ngarkuar dhe kufizimin e numrit të vendeve që shoqërive ajrore kanë në aeroportet e ngarkuara. Sekretarja e Transportit Mary Peters. "Mendojmë se ky variant është mundësia më e mirë për të ndërhyrë dhe për të lehtësuar disi sistemin".

Përfaqësuesit e shoqërive ajrore që dëshmuan në kongres thanë se plani është afatshkurtër. Drejtuesi i shoqërisë Continental Airlines, Zane Rowe. "Vendet e parkimit mund të parandalojnë vonesat e fluturimeve të tjera, por ato nuk krijojnë vende pune dhe nuk inkurajojnë asnjë në apo jashtë qeverisë për të gjetur një zgjidhje të shkaqeve rrënjësore të problemit".

Nënpresidenti i shoqërisë Delta Airlines Joe Kolshak thotë se sistemi i vjetëruar i trafikut ajror është pjesë e problemit. "Duhet të ndërtohet një sistem bashkëkohor kontrolli dhe të gjendet financimi për të. Kjo do të zgjidhë problemin". Trafiku ajror pritet të dyfishohet deri në vitin 2025. Shoqëritë ajrore dhe Shoqata e Aviacionit po bëjnë trysni për të gjetur 15 miliardë dollarë për një sistem të ri të kontrollit të trafikut ajror. Sindikata e Kontrollit të Trafikut Ajror llogarit se vonesat do të shtohen më shumë në se qeveria nuk punëson më shumë njerëz. //rd//

XS
SM
MD
LG