Lidhje

Di Karlo: Shqipëria ka ecur me reformat, por ka ende për të bërë


Zëvendëndihmes Sekretarja e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Rozmari DiKarlo tha se pavaresia e Kosoves është e pashmangshme dhe shtoi se nëse deri më 10 dhjetor nuk arrihet një marrëveshje për statusin, mendimi i Shteteve te Bashkuara është se plani Ahtisari mbetet zgjidhja më e mirë për të ardhmen. Zonja Di Karlo i bëri keto komente, para nisjes për një turne në Ballkan në kuadër të Kartës së Adriatikut, ku theksoi gjithashtu nevojën për vazhdimin e reformave për të bërë realitet ambicjet e këtyre vendeve për integrim euroatlantik.

Zëri i Amerikës: Zonja Di Karlo, në vizitën tuaj në rajonin e Evropës Juglindore, çfarë mesazhi u dërgoni nga Uashingtoni vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut dhe si i vlerësojnë Shtetet e Bashkuara përpjekjet e këtyre vendeve për integrim në Nato?

Rozmari Di Karlo: E mirëpres takimin në Split. U takuam kohët e fundit me përfaqësues të vendeve të Kartës së Adriatikut në Nju Jork dhe do të vazhdojmë bisedat e filluara atje. Mesazhi që do të dërgojmë është i njëjti që kemi theksuar gjatë viteve të fundit: Dyert e Natos janë të hapura dhe çdo vend që përmbush kërkesat e Natos do të jetë i mirëpritur për antarësim. Shpresojmë se do të mund të shohim të tria vendet anëtare të Kartës së Adriatikut në një pozitë si kandidatet më të forta të mundshme për të marrë ftesë për antarësim. Kjo varet prej tyre dhe ftesa është individuale dhe kushtëzohet nga niveli i arritjeve.

Zëri i Amerikës: Në ç’nivel është Shqipëria krahasuar me vendet e tjera anëtare të Kartës së Adriatikut dhe si duken shanset e saj për të marrë ftesë antarësimi në takimin e ardhshëm?

Rozmari Di Karlo: Ua kemi bërë të qartë zyrtarëve shqiptarë dhe e kemi shprehur publikisht se Shqipërisë i duhet të vazhdojë reformat para se të marrë ftesë, megjithatë ka kohë për ta realizuar këtë. Shqipëria ka realizuar tani përparim të ndjeshëm dhe mirëpresim vazhdimin e reformave. Ne vlerësojmë angazhimin aktual të Shqipërisë në Afganistan, Irak dhe gjithë bashkëpunimin tonë në Nato përmes Partneritetit për Paqe. Ushqejmë shpresa të shumta se Shqipëria do të vazhdojë përparimin në këtë rrugë.

Zëri i Amerikës: Në cilin drejtim Shqipëria ka nevojë për reforma të mëtejshme?

Rozmari di Karlo: E kemi të qartë se Shqipëria ka shënuar përparim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por duhet bërë më shumë në atë drejtim. Po ashtu zgjedhjet e dy radhëve të fundit kanë shënuar përmirësim, por është e nevojshme të miratohet kodi i ri elektoral pa vonesë.

Zëri i Amerikës: Të vazhdojmë me çështjen e Kosovës. Kohët e fundit Ambasadori Wisner tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se si rezultat i kufizimeve kohore, ka pak gjasa që të gjendet zgjidhja brenda këtij viti. Nëse ndodh kjo, a do të kalojë procesi në një fazë të re dhe nëse po, çfarë forme do të marrë kjo fazë?

Rozmari Di Karlo: Së pari dua të përsëris mesazhin që përcolli Ambasadori Wisner. Ne e trajtojmë me shumë seriozitet procesin e Treshes dhe do të vazhdojmë të nxisim angazhimin e palëve që nga ky moment e deri më 10 dhjetor kur Grupi i Kontaktit do t’i paraqesë raportin Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon. Ne mendojmë se kjo ka qenë një periudhë e rëndësishme dhe shpresojmë se do të japë rezultate. Por jemi shumë të prerë në pikëpamjen tonë se status kuoja nuk mund të vazhdojë dhe se procesi duhet të finalizohet. Ne dhe aleatët tanë evropianë e bëmë të qartë në qershor kur vendosëm të pezullojmë diskutimet mbi projekt-rezolutën në Këshillin e Sigurimit dhe të vazhdonim për katër muaj bisedimet mes palëve. Po ashtu jemi të mendimit se nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje deri më 10 dhjetor, plani Ahtisaari mbetet rruga më e mirë përpara. Kur Sekretarit të Përgjthshëm t’i paraqitet raporti do të vijojë një periudhë diskutimesh mbi hapat e ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs ritheksoi përsëri kohët e fundit qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se pavarësia mbetet zgjidhja më optimale për Kosovën, por njëkohësisht u bëri thirrje shqiptarëve të Kosovës të mos marrin vendime të njëanshme. Nëse shqiptarët shpallin pavarësinë e Kosovës, a do ta njohin Shtetet e Bashkuara një Kosovë të pavarur?

Rozmari Di Karlo: Nuk do të bëj spekulime mbi ato që mund të bëjnë në të ardhmen shqiptarët e Kosovës, apo ne, por dua të them se kemi një bashkëpunim shumë të mirë si me palën shqiptare ashtu edhe me atë serbe në këto bisedime. Mendoj se kosovarët janë angazhuar seriozisht në këtë fazë dhe kohët e fundit dolën me një propozim për bashkëpunim me Serbinë. Ne i kemi të qarta pikëpamjet e shqiptarëve të Kosovës në këtë drejtim. Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs e ka bërë të qartë se ne e konsiderojmë pavarësinë e Kosovës si të pashmangshme. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha palët për të gjetur një zgjidhje që do t’i shërbente më së miri qëndrueshmërisë në rajon dhe do të mbyllte kapitullin e konfikteve ballkanike.

Zëri i Amerikës: Në arritjen e kësaj zgjidhjeje a mbetet Këshilli i Sigurimit ende alternativë? A ka gjasa që të rifillojnë diskutime për një rezolutë të Këshillit dhe nëse po si do të kapërcehet kundërshtimi rus?

Rozmari Di Karlo: Është ende shumë herët të spekulojmë mbi këto mundësi. Për momentin duhet të përqëndrohemi në bisedimet dhe të mundohemi të gjejmë gjuhën e përbashkët mes palëve. Dëshirojmë që palët të dalin me propozime realiste. Kanë kaluar 8 vjet në këtë status, janë të qarta synimet e secilës palë në këtë drejtim. Po ashtu është e qartë se nevojiten masa më të forta për mbrojtjen e pakicave në Kosovë dhe integrim në shoqëri. Mbetet shumë për të bërë gjatë javëve të ardhshme.

Zëri i Amerikës: Megjithatë procesi që vazhdon me ndërmjetësimin e treshes, deri tani nuk ka rezultuar në propozimet realiste që ju prisni nga palët. Ç’nënkupton kjo për procesin?

Rozmari Di Karlo: Duhet ta provojmë deri në fund dhe të mos e paragjykojmë. Por gjithashtu duhet të jemi realistë sepse e kemi të qartë se palët kanë qëndrime të papërputhshme. Por siç e thashë, status kuoja nuk mund të vazhdojë; duhet një zgjidhje që të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës dhe që sjell stabilitet në rajon.

Zëri i Amerikës: Sa opmitiste jeni se fuqitë evropiane do të dalin me një qëndrim të vetëm mbi çështjen e Kosovës?

Rozmari Di Karlo: Jam gjithmonë optimiste.

Zëri i Amerikës: A ka shenja drejt këtij uniteti?

Rozmari Di Karlo: Mendoj se Bashkimi Evropian e ka marrë këtë proces shumë seriozisht. Çështja e Kosovës është shumë e rëndësishme për Evropën, pasi Kosova dhe Serbia janë në Evropë. Kur ka probleme në rajon, Evropa është e para që i ndjen ato, qofshin dyndje refugjatësh apo probleme të tjera. Bashkimi Evropian e ka këtë çështje në krye të listës së përparësive. Zoti Solana dhe shumë udhëheqës të tjerë evropianë e ka bërë shumë të qartë se duan një zgjidhje për këtë problem; një zgjidhje që do t’i jepte mundësi rajonit të shihte drejt së ardhmes dhe jo vazhdimisht në të kaluarën.//kk//

XS
SM
MD
LG