Lidhje

SHBA: Senatorja Klinton  udhëheq garën presidenciale me 53 përqind


Në Shtetet e Bashkuara, anketat e opinionit tregojnë se gara presidenciale përmban lajme të mira për demokraten Hillari Klinton dhe republikanin Rudi Xhuliani, ndërkohë që gara presidenciale sa vjen e intensifikohet.

Një anketë e kohëve të fundit nga kanalit televiziv ABC News dhe gazeta Washington Post tregon se senatorja Hillari Klinton udhëheq me 53 përqind, krahasuar me kandidatin tjetër demokrat, Barak Obama, që ka një mbështetje prej 20 përqindësh, ndërkohë që ish senatori John Edwards është në vendin e tretë, me 13 përqind mbështetje.

Mbështetja për senatoren Klinton ka shenuar rritje në muajt e fundit, duke bërë që disa udhëheqës demokratë të arrijnë në përfundimin se ajo mesa duket, do të jetë kandidatja e Partisë Demokrate për postin e presidentit vitin që vjen. Senatorja Klinton po premton ndryshime në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, nëse zgjidhet. Ajo bëri një thirrje të tillë gjatë një tubimi elektoral në Ajova. “Nuk do të pres deri ditën e inagurimit. Ditën pasi të shpallem fituese, do t’u kërkoj amerikanëve të nderuar të të dy partive, që të ndërmarrin një udhëtim në mbarë botën me një mesazh të vetëm.... Koha e diplomacisë së kaubojsve ka marrë fund. Amerika është përsëri ajo që ka qenë vitet e mëparshme.”

Megjithëse zonja Klinton ka një udhëheqje të madhe në anketat kombëtare mes kandidatëve demokratë, ajo ende ndeshet me sfida të mëdha në zgjedhjet paraprake përballë Obamës dhe Eduards në shtetet ku votohet së pari, si Ajova dhe Nju Hampshir.

Ekspertët theksojnë se rezultatet e hershme të anketave janë shpesh faktorë çorientues mbi popullaritetin e kandidatëve. Për shembull, demokrati Xhon Kerri ishe shumë mbrapa të tjerëve në garë disa javë para se të fitonte në zgjedhjet paraprake në Ajova dhe Nju Hampshir çfarë e bënë atë kandidatin e Partisë Demokrate në zgjedhjet e vitit 2004.

Në këtë cikël zgjedhjesh, fuqia e Hillari Clintonit është gjithashtu një faktor në garën e Partisë Republikane për kandidatin e tyre për postin e presidentit. Po e njëjta anketë nga ABC News dhe Washington Post, tregon se ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani udhëheq mes kandidatëve republikanë me 34 përqind mbështetje, i ndjekur nga ish senatori Fred Tomson i shtetit Tenesi me 17 përqind. I treti në radhë është senatori i Arizonës Xhon Mekein me 12 përqind dhe ish guvernatori i Masaçusets Mit Romni me 11 përqind. Xhuliani thotë se republikanët duhet ta zgjedhin atë kandidat, sepse ai ka shanset më të mira për të mundur zonjën Klinton në zgjedhjet e përgjithshme. “Jam më konkuruesi ndaj Hillari Klintonit me një diferencë të madhe. Unë i grabis mbështetjen asaj nga disa shtete demokrate. Askush nga republikanët nuk e arrin këtë.”

Anketa tregon se Hillari Klinton kryeson ndaj Rudi Xhulianit, me një mbështetje 51 përqind me 43 përqind. Megjithatë, Xhuliani vazhdon të kryesojë fushatën republikane me një diferencë të madhe në Ajova dhe nuk ka diferencë nga kandidatët e tjerë në Nju Hampshir. Fitoret e mëparshme në këto dy shtete do t’i japin aktorit më pak të njohur, Mit Romni një shtytje në betejën për të fituar kandidaturën e Partisë Republikane.

Rudi Xhuliani është gjendur ditët e fundit nën kritikën e konservatoreve fetarë brenda Partisë Republikane, të cilët e venë nën pikepyetje qendrimin e tij ndaj abortit, martesës së homoseksualëve dhe kontrollin e armëve.

Por analisti Xhon Fortier i institutit American Enterprise thotë se reputacioni i Xhulianit për udhëheqje të fortë, i krijuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara po u reziston pikëpytjeve të ngritura nga disa konservatore. “Mendoj se Xhuliani është kryesuesi për këtë shkak. Mendoj se ai kryeson anketat kombëtare dhe ka qendruar në krye ndërkohë që ka qene tejet i hapur ndaj të drejtës për abortin dhe të qenurit ndryshe në çështje sociale nga republikanë të tjerë.”

Konkuruesit për garën presidenciale nga të dy partitë do ta intensifikojnë fushatën e tyre dhe përpjekjet reklamuese në javët që vijnë, para votimeve të paraprake në procesin e zgjedhjes së presidentit në fillim të janarit në Ajova dhe Nju Hampshir. //ii

XS
SM
MD
LG