Lidhje

Një dokumentar sjell në ekran dhimbjen e Luftës së Dytë Botërore


Në një dokumentar me shtatë pjesë të titulluar “Lufta” që po shfaqet në televizionin publik amerikan, regjisori Ken Burns rrëfen historinë e Luftës së Dytë Botërore nga një këndvështrim i veçantë. Çdo ditë, në Shtetet e Bashkuara vdesin rreth një mijë veteranë të Luftës së Dytë Botërore, shpesh duke i marrë me vete historitë e tyre. Burns thotë se kjo ishte një nga arsyet që e shtynë të filmonte dokumentarin. Ja si rrëfen një ushtar amerikan në Paqësor.

“Sot në mëngjes ra pak shi. Dje dhe sot, artileria jonë u dha japonezëve një goditje të fortë në plazh. Gazetat thonë se gjatë dy javëve të para të luftimeve në Saipan, mbi 6 mijë e 500 japonezë janë vrarë. Nga plazhi vjen një erë shumë e rëndë, ajo e mishit të djegur”.

Është një tablo rrënqethëse e Luftës së Dytë Botërore. Rrëfimi i tij dhe qindra të tjerëve thurin një histori lufte, vuajtjeje, kurajoje dhe vendosmërie. Ja ç’thotë autori Ken Burns.

"Ne u përqendruam në dy teatrot e luftës ku ishin përfshirë kryesisht amerikanët: Në Evropë, ku kemi përfshirë edhe Afrikën e Veriut dhe në Paqësor. Ne i kemi pasqyruar ato ndërsa zhvilloheshin në të njëjtën kohë, kronologjikisht e gjithashtu edhe në Shtetet e Bashkuara për të parë se si e përballuan njerëzit saktificën e përbashkët”.

“Kur pamë fotografitë e para të Tarawes, ishte shumë emocionuese. U tronditëm jashtë mase”, thotë Katharinë Filips, një bashkëkohëse e veteranëve.

Këto histori të jashtëzakonshme të njerëzve të zakonshëm paraqesin një tablo shumë personale të luftës. Ata kujtojnë ditët e mundimshme të luftës, netët pa fund, pritjen e gjatë për fundin e luftës. Për të treguar këtë histori Burns zgjodhi katër qytete amerikane.

"Waterbëri i Konektikatit në Verilindje, i quajtur “Qyteti i Tunxhit”, në mes të shekullit të 19-të prodhonte gjithçka që nga kutitë e të kuqit të buzëve dhe përzierës koktejlesh. Ai u kthye në një makinë lufte. Mobile e Alabamës, një qytet i fjetur ku ndërtohen anije që sapo kishte lulëzuar. Sacramento i Kalifornisë u bë me tre baza. Pu aty kishte një popullsi të konsiderueshme japoneze-amerikane dhe pastaj donim të gjenim një qytet të vogël amerikan me tre mijë banorë. Ky qytet ishte Luverna e Minesotës”.

Ja si rrëfen në një pjesë të dokumentarit aktori i mirënjohur Tom Henks.

“Luverne, Minnesota, gusht 1941. Zonjusha Agat Ryland që ka ardhur tek i vëllai, e di se ç’do të thotë të shohësh pjesë të tëra qyteti të shkatërruara nga bombat gjermane. Ajo kujton gjithashtu netët kur u dogj Londra dhe se si të lexonte një letër nën dritën e flakëve që shkëlqenin nga larg”.

“Ne përshkuam Francën, pjesë të Belgjikës dhe arritëm në vijën e parë të frontit mes një stuhie dëbore. Pothuajse nuk i përdornim dot makinat, thotë Burnett Miller nga Sacramento, një nga 16 milionë amerikanët që luftuan në Luftën e Dytë Botërore.

Çdo ditë, rreth një mijë veteranë të Luftës së Dytë Botërore vdesin. Shpesh duke i marrë historitë e tyre me vete. Burns thotë se kjo ishte një nga arsyet që e shtynë të filmonte dokumentarin. Një arsye tjetër ishte një anketë ku një numër i madh maturantësh në Shtetet e Bashkuara mendojnë se amerikanët luftuan në krah të gjermanëve kundër rusëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Burns thotë se për shkak të ovjektivit jashtëzakonisht të gjerë të luftës, xhirimi i dokumentarit ishte një nismë e vështirë por shumë e rëndësishme. Ai tha se seria e tij ka për qëllim që t’u paraqesë njerëzve një perspektivë për çdo lloj lufte.

“Më në fund, arrin të kuptosh se përvoja e luftës është gjithmonë e njëjtë. Kjo vlen për veprimet tona sot, po aq sa edhe për 5 mijë vjet të shkuara. Dhe se ajo që përjetojnë ushtarët në betejë është universale dhe ne të tjerët duhet ta dimë se çfarë është. Në momentin kur jeta është më e rrezikuar se kurrë, kur vdekja e dhunshme mund të të gjejë në çdo moment, paradoksalisht jeta jetohet më e plotë se kurrë dhe ne donim të zbulonim se si ishin këto momente”, thotë regjisori Burns.

Pas kritikave se nuk kishte përfshirë zërat e veteranëve hispanikë në dikumentar, Burns shtoi edhe historitë e tyre në serinë e tij që u transmetua në televizionin publik.//kk//

XS
SM
MD
LG