Lidhje

Shkencëtari Francis Kollins mes shkencës dhe besimit te Zoti


Më shumë se një dekadë më parë, shkencëtari dhe fizikani i shquar Dr. Kollins, në krye të një ekipi studiuesish, realizoi një mision historik, deshifrimin e kodit gjenetik të njeriut. Që nga kjo arritje shkencore triumfale, ai ka shkruar një bestseller, ku shpreh bindjen e tij të thellë për pajtueshmërinë që sipas tij ekziston midis shkencës moderne dhe besimit te Zoti.

Kërkimi i përgjigjeve për jetën shpirtërore të njeriut nga shkencëtari Francis Kollins është diçka më pak e njohur, se sa karriera e tij në mjekësi dhe shkencë. Rreth dy dekada më parë, ai drejtoi studimet e financuara nga qeveria amerikane, për të krijuar hartën e parë gjenetike të ADN-së njerëzore, ose të ashtuquajturin Projekt i Gjenomit Njerëzor.

"Të gjithë organizmat e ruajnë informacionin në ADN-në e tyre. Pikërisht në këtë mënyrë, ky informacion kalon nga prindi te fëmija për breza të tërë dhe tërësia e këtij informacioni quhet Gjenom. Projekti i Gjenomit Njerëzor filloi në vitin 1990 dhe synonte deshifrimin e të 3,1 miliard gërmave të kodit të ADN-së. ADN-ja e ruan informacionin me anë të një serie bazash kimike por ai mund të imagjinohet si gërmat e një libri. Gjuha e ADN-së është mjaft e thjeshtë. Tani ne kemi në dorë të tërë këtë libër pra kemi fuqinë për të gjetur se si funksionon ai dhe si ndonjë gërmë e gabuar mund të shkaktojë sëmundje" ,- thotë shkencëtari.

Ky projekt përfundoi në vitin 2003 dhe që nga ajo kohë, studiuesit e mjekësisë janë përqendruar në gjetjen e zbatimeve praktike, sidomos për gjetjen e bazës gjenetike të shumë sëmundjeve dhe për zbulimin e ilaçeve të reja për këto sëmundje.

"Për shembull, nëse në familje ke njerëz që kanë vuajtur nga kanceri i gjirit ose i zorrës së trashë dhe do të dish rreziqet që kërcënojnë jetën tënde personale, Projekti i Gjenomit ka bërë të mundur që të përqendrohesh në disa nga gjenet që lidhen me këto sëmundje dhe duke analizuar këto gjene, të gjesh nëse je apo jo i rrezikuar" ,- thotë Kollins.

Disa dekada para se të ndihmonte në zbulimin e gjuhës së trashëgimisë njerëzore, Dr. Kollins, i cili atëhere ishte ateist, i ndryshoi në mënyrë dramatike pikpamjet e tij për jetën dhe vdekjen dhe më vonë, kur studionte në fakultetin e mjekësisë, ai nisi t’i shihte këto çështje nga një këndvështrim i ndryshëm, më personal.

"Në moshën 25-vjeçare, e gjeta veten të ulur pranë shtratit të njerëzve me sëmundje të tmerrshme, të cilat nuk dija se si mund të shëroheshin. Shumë prej tyre përballeshin me vdekjen. Pra, të gjitha këto ide për jetën dhe vjekjen nuk ishin më hipotetike por shumë reale. Më bënte përshtypje se si disa nga këta njerëz mbështeteshin fort tek besimi i tyre dhe kjo u jepte qetësi, në një kohë kur unë nuk ndihesha aspak i qetë në shpirt."

Sidomos njëra nga pacientet, i bëri atij një pyetje që e tronditi mjekun e ri thellë.

"Një pasdite, njëra prej pacienteve, një grua e moshuar me sëmundje të avancuar të zemrës që nuk kishte shërim, më foli për besimin e saj që i jepte shpresë megjithëse e dinte se jetës së saj po i vinte fundi. Pastaj u kthye nga unë, më shikoi në sy dhe tha “Doktor, deri tani nuk ke folur asnjë fjalë. Në çfarë besoni ju?'"

Dr. Kollins thotë se për ditë të tëra, kjo që dëgjoi e turbulloi thellë në shpirt. Një mik i këshilloi të lexonte një libër me titull “Krishtërimi i Zhveshur”. Dr. Kollins u konvertua në i krishterë, por e brenin pyetje të shumta, si “çdo të thoshin kolegët e tij?” dhe “a përputhej kjo me karrierën e tij”?

Kohët e fundit, Dr. Kollins shkroi një libër që u bë bestseller, ai titullohej “Gjuha e Zotit” dhe fliste për rëndësinë e besimit në jetën e tij. Disa herë, thotë ai, një njeri që lutet shikon aty rezultate të matëshme. Të paktën kjo është përvoja nga jeta e tij: lutjet e përditëshme për sukses në punimin e tij për "Projektin e Gjenomit Njerëzor". Kjo, mendon Kollins, është shembull se si besimi dhe shkenca mund të kontribuojnë së bashku për të mirën e njerëzimit.//lk

XS
SM
MD
LG