Lidhje

Shqipëri: Kthimi i pronave pritet të favorizohet nga ndalimi i ligjit 7501


Intervistë me kryetarin e komisionit parlamentar të ekonomisë, Edmond Spaho.

Zëri i Amerikës: Zoti Spaho, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë shqyrtoi propozimin për të shtyrë edhe një herë tjetër afatin e dorëzimit të dokumentave të pronarëve sipas ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Pse lindi nevoja për një afat të ri?

Edmond Spaho: Ka një perceptim të përgjithshëm nga ana e deputetëve që duhet shtyrë ky afat për t'i dhënë edhe një mundësi tjetër kësaj kategorie ish-pronarësh që të përgatisin saktë dokumentat dhe të paraqesin pretendimet e tyre pronësore. Se sa do të shtyhet ky afat, kjo do të varet nga debatet në komision. Une do të isha pro një shtyrje jo shumë të madhe, pasi çdo shtyrje e gjatë afati ka efekte negative në vetë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, sidomos në procesin e kompensimit fizik dhe financiar.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë po diskutohet edhe ndalimi i ligjit 7501 për ndarjen e tokave bujqësore, pra, që ai ligj të mos veprojë më dhe tokat të mos ndahen më me të. Kur praktikisht do të ndalojë së zbatuari ky ligj?

Edmond Spaho: Midis amendamenteve, është edhe një, i cili kërkon që të ndalojë së vepruari ligji 7501. Këtu do të desha të sqaroj se nuk bëhet fjalë për shfuqizimin e ligjit 7501, pra, nuk ka kthim në gjendjen e vitit 1990-91, absolutisht nuk bëhet fjalë për këtë. Bëhet fjalë që të mos shpërndahet më tokë bujqësore me ligjin 7501. Amendamenti do të shqyrtohet me kujdes. Ka një nismë të Ministrisë së Bujqësisë, e cila po e studion e kujdes në gjerësi dhe thellësi zbatimin e ligjit 7501. Shpejt ata do të vijnë me një paketë ligjore, ku do të adresojnë cështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji. Kryesorja është që nga ky moment e tutje të mos shpërndahet më tokë bujqësore në emër të këtij ligji dhe ky fond toke të mund të shërbejë për qëllime të tjera, një nga të cilat është edhe kompensimi i ish-pronarëve.

Zëri i Amerikës: Çfarë lidhje ekzistojnë midis nismës së parë dhe asaj të dytë; pra mes shtyrjes së afatit për dokumentat e ish-pronarëve dhe ndalimit të ligjit 7501?

Edmond Spaho: Lidhja është organike. Çdo fond toke shtetërore që do të jetë i lirë do të përdoret në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Vetëm gjatë periudhës 1998 - 2004, sipas informacioneve që kam, janë shpërndarë rreth 120 mijë hektarë tokë, e cila fare mirë mund të ishte përdorur për kthimin dhe kompensimin e pronave. Sigurisht një pjesë e saj mund të jetë përdorur për qëllimet bazë për të cilat shërben toka, por ka edhe raste të tjera, të cilat toka iu është dhënë në mënyrë të padrejtë individëve të caktuar.

Zëri i Amerikës: Disa ditë kryeministri Berisha deklaroi se do të gjenden mekanizma që të nxitin fshatarët të punojnë tokat dhe të mos i lënë më djerrë ato. A ka ndonjë nismë konkrete në këtë drejtim?

Edmond Spaho: Ky ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i të gjitha qeverive, që toka të mund të punohet, pra të përdoret për qëllimin bazë të saj. Ka edhe një detyrim në legjislacionin ekzistues i cili ka ngelur i pazbatuar. Nuk besoj se do të ketë ndonjë iniciativë të mirëfilltë ligjore, e cila të mund të shënojë ndryshime dramatike në këtë cështje. Besoj se nxitja do të jetë praktike, në kuptimin që të arrijmë të fusim në procesin e prodhimit sa më shumë që të jetë e mundur sipërfaqe bujqësore, pasi eksperienca e këtyre viteve ka treguar që rritja e prodhimit bujqësor ka patur efekte shumë pozitive si në vetë jetën e zonave rurale, ashtu edhe në zhvillimin tërësor të vendit. //rd//

XS
SM
MD
LG