Lidhje

Britania do ta pakësojë numrin e trupave në Irak


Kryeministri britanik Gordon Braun bëri të njohur një tërheqje të mëtejshme të trupave britanike nga Iraku, duke lënë deri pranverën e ardhshme 2 mijë e 500 trupa në Irakun Jugor.

Duke ju drejtuar ligjvënësve në Dhomën e Komuneve, zoti Braun vlerësi suksesin e Britanisë në stërvitjen e rreth 30 mijë trupave ushtarake irakiane dhe oficerëve të policisë. Ai tha se aftësia e tyre për të marrë kontrollin e sigurisë në Irakun jugor, bën të mundur tërheqjen e një numri shtesë trupash britanike.

"Ne kemi në plan që, duke filluar nga pranvera e ardhshme, ta pakësojmë numrin e trupave në Irakun jugor, në 2 mijë e 500 vetë."

Zoti Braun tha se të gjitha tërheqjet e trupave do të bëhen në përputhje me kushtet e sigurisë në rajon. Në kulmin e ndërhyrjes ushtarake nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në Irak, Britania kishte 45 mijë trupa në Irak. Forcat britanike përgjigjeshin për sektorin jugor të vendit dhe duke filluar nga fillimi i shtatorit, numri i trupave britanike është pakësuar në 5 mijë e 500 vetë.

Deri në fund të vitit, numri i tyre është në plan të shkojë në 4 mijë e 500 vetë. Zoti Braun tha gjithashtu se me pakësimin e numrit të trupave, edhe detyrat e forcave që do të mbeten do të shndërrohen në një rol stërvitor dhe drejtues për forcat irakiane. Kryeministri britanik, po ashtu bëri të njohur ndihmën për civilët irakianë, të cilët kanë punuar për forcat britanike në Irak dhe që tani duan të rislokohen gjetkë, për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Zoti Braun tha se ndihma për ridislokimin do t’u jepen disa ish-profesionistëve irakianë, mes tyre edhe përkthyes. Pavarësisht nga kundërshtimet e shumta të mëparshme me karakter politik, planet e kryeministrit britanik për tërheqjen e trupave, në përgjithësi u mirëpritën edhe nga opozita.

Por ndërsa zoti Braun ishte në plan të shkonte për të mbajtur fjalimin e tij në Dhomën e Komuneve, mijëra protestues kundër luftës marshuan drejt ndërtesës së Parlamentit, duke shkaktuar pezullimin e përkohshëm të trafikut dhe duke thirrur parrulla kundër luftës.//lk

XS
SM
MD
LG