Lidhje

Kosovë: Shtohen masat e sigurisë në pritje të rezultatit të procesit për statusin


Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka paralajmëruar për rrezikun e paqendrueshmërisë dhe dhunës në Kosovë, autoritetet atje kanë intensifikuar masat e sigurisë. Policia ka shtuar patrullimet ndërsa grupet ekstremise shqiptare dhe serbe kanë thënë se do të luftojnë nëse nuk gjendet një zgjidhje e pranueshme.

Policia e Kosovës ka qenë e suksesshme në vendosjen e patrullave të përbëra nga shqiptarë dhe serbë të Kosovës, sipas burimeve të rendit. Besnik Morina është oficer shqiptar në qytetin e Graçanicës.

"Në rastet kur jemi në zonat me popullatë serbe, kolegu im flet me ta. Në rastet kur kemi të bëjmë me zona shqiptare, flas unë. Kështë është më mirë dhe ne kemi patur sukses".

Kolegu i tij serb Janko Veliç po ashtu e vlerëson bashkëpunimin.

“Kemi më shumë sukses me patrullat e përbashkëta. Njerëzit kanë më shumë besim”.

UNMIK-u ka thënë se vonesat në zgjidhjen e statusit mund të minojnë punën e OKB-së në Kosovë dhe siç paralajmëron Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, rrezikojnë të shkaktojnë paqendrueshmëri.

Veton Elshani, zëdhënës i Policisë së Kosovës thotë se policia është e përgatitur për çdo lloj rezultati të bisedimeve për statusin.

“Ne kemi plane të ndryshme për situata të ndryshme: Çfarë do të bëjmë nëse bisedimet rezultojnë në pavarësinë e Kosovës, si do të veprojmë në rast të kundërt, apo nëse procesi i statusit zgjatet. Ne jemi të përgatitur për çdo lloj situate në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe policinë e UNMIK-ut”.

Një nga arsyet për shtimin e masave të sigurisë janë edhe zgjedhjet.

“Duke pasur parasysh bisedimet për statusin dhe zgjedhjet që po afrojnë ne kemi bërë plane operacionale brenda policisë për të ruajtur paqen dhe rendin”.

Pas takimit të parë në Nju Jork, delegacionet shqiptare dhe serbe pritet të vazhdojnë diskutimet direkte më 14 tetor në Bruksel. Të dërguarit ndërkombëtarë pritet t’i raportojnë Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon deri më 10 dhjetor. //iç//

XS
SM
MD
LG