Lidhje

A ka lidhje mes autizmit dhe mërkurit në vaksinat e fëmijëve?


Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve publikoi një studim që përpiqet edhe një herë të hedh poshtë pretendimet e lidhjes midis autizmit dhe një forme të mërkurit që gjendet në thimerosal, një mbrojtës që përdoret tek vaksinat e fëmijëve. Por shumë prindër të fëmijëve me autizëm mbeten të bindur se kjo është arësyeja.

Autizmi është një çrregullim neurologjik që zakonisht prek një fëmijë para moshës tre vjeçare. Sëmundja karakterizohet nga vështirësitë në mësim, të folur dhe marrëdhënie me të tjerët. Fëmijët me autizm mbyllen në vetvete, nuk reagojnë ndaj përkëdheljeve dhe ngurojnë të flasin.

Mjekët diagnostikuan shtatë vjeçarin Evan Riggle me autizm kur ai ishte një vjeç. Prindërit e tij kanë provuar pothuajse çdo gjë në kërkimin e tyre për një kurë. E fundit është një substancë e quajtur Glutathion, një antioksidant që zakonisht përdoret si mjekim alternativ për të fuqizuar sistemin imun. E ëma e Evanit, Emlyn Riggle është e bindur se ilaçi ka patur një efekt pozitiv tek i biri.

"Ka bërë ndryshim rrënjësor. A është shëruar Evan? Jo por është më mirë. Përparimi është ai që na duhet kur flitet për autizmin".

Ndërkohë prindër të tjerë thonë se përparimi mund të bëhet vetëm kur prodhuesit e mëdhenj farmaceutik eleminojnë thimerosalin nga vaksinat e fëmijëve. Substanca përmban një formë të mërkurit dhe është përdorur në vaksinat e fëmijëve për 70 vjet.

Shqetësimet rreth substancës u ngritën në fundin e viteve 1990 kur shkencëtarët në një studim vetëm me 12 fëmijë në Britani sugjeruan një lidhje të mundshme midis autizmit, sëmundjes së zorrëve dhe vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolën.

Si masë parandaluese, zyrtarët amerikanë të shëndetësisë rekomanduan në vitin 1999 që thimerosali të hiqej gradualisht nga vaksina. Disa nga shkencëtarët britanik më pas i tërhoqën zbulimet e tyre. Studime të tjera në vitin 2004 arritën në përfundimin se nuk ka prova se mërkuri në Thimerosal të shkaktojë probleme neurologjike apo psikologjike.

Një specialist i sëmundjeve infektive, doktor Paul Offit në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia, të Pensilvanisë beson se rekomandimet e qeverisë amerikane për të hequr gradualisht thimerosalin ishin të gabuara.

"Rekomandimi frikësoi më shumë. Mendoj se shkaktuam më shumë probleme".

Studimi i fundit i publikuar më 27 shtator në revistën New England Journal of Medicine përpiqet të shuajë frikën rreth substancës. Studimi mori në shqyrtim më shumë se një mijë fëmijë amerikanë që kishin marrë vaksinën që përmbante mërkur. Fëmijët nga mosha 7 deri në 10 vjeçare u ekzaminuan për efekte neuropsikologjike që mërkuri mund të kishte shkaktuar në aftësitë e tyre për të folur dhe në koordinimin fizik.

Autorët e studimit arritën në përfundimin se të dhënat nuk mbështesin një lidhje midis ekspozimit të hershëm me mërkur nga vaksina dhe funksionimit të trurit. Por Russel Mancino dhe prindër të tjerë vazhdojnë të fajësojnë thimerosalin.

"Ishte vendimi i duhur për ta hequr substancën nga vaksina. Të vish tani në 2007-ën e të thuash ishte gabim që e hoqëm, është krim".

Kështu që debatet vazhdojnë. Prindërit thonë se studimi i fundit ishte me të meta pasi nuk u përqëndrua veçanërisht tek autizmi. Një studim i ri i lidhur me autizmin është duke u kryer. //iç//

XS
SM
MD
LG