Lidhje

Presidenti turk dënon rezolutën që e cilëson gjenocid masakrimin e armenëve

  • Robert Rafael

Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl, dënoi një rezolutë të miratuar nga komisioni për marrëdhëniet me jashtë i Dhomës së Përfaqësusve të kongresit amerikan, në të cilën vrasjet e qindra mijëra armenëve gjatë luftës së parë botërore karakterizohen si gjenocid. Ky komision miratoi dje rezolutën jo-detyruese me 27 vota pro dhe 21 kundër. Tani rezoluta do të debatohet dhe do të hidhet në votë në të gjithë Dhomën e Përfaqësusve me 435 anëtarë. Presidenti turk Gyl e cilësoi rezolutën të papranueshme dhe pa vlerë për popullin turk. Por grupe armeno-amerikane e përshëndetën miratimin e rezolutës, duke e quajtur një pranim nga ana e Shteteve të Bashkuara të gjenocidit të parë të shekullit të 20-të. Votimi në komisionin e Dhomës së Përfaqësusve u bë megjithë kundërshtimin e shprehur si nga Turqia edhe nga Presidenti Xhorxh Bush.

Armenia e akuzon perandorinë otomane për vrasjen e 1,5 milion armenëve në periudhën 1915-1923 në përpjekje për t’i larguar ata nga territori, që tani është Turqia lindore. Një memorial për këto viktima është ngritur tani në qytetin e Jerevanit. Turqia e hedh poshtë këtë akuzë, duke e cilësuar numrin e të vdekur si të ekzagjeruar, madje thotë se shumë armenë humbën jetën në trazirat civile gjatë rënies së perandorisë otomane.

Rezoluta e miratuar nuk ka fuqi detyruese, pra shpreh vetëm opinionin e komisionit. Ajo nuk ka fuqi ligjore, megjithatë politikanët turq ndërmorën një përpjekje lobiste intensive për të ndaluar miratimin e saj. Kryeministri Reçep Tajip Erdogan i telefonoi javën e kaluar personalisht presidentit Bush për t’i shprehur kundërshtimin e tij.

Tetë ish sekretarë amerikanë të shtetit i bënë thirrje kongresit që të hiqte dorë nga kjo rezolutë, duke thënë se ajo do të kërcënonte interesat amerikane në Lindjen e Mesme. Duke folur dje në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush u bëri përsëri thirrje ligjvënësve që ta hidhnin poshtë rezolutën.

“Ne të gjithë shprehim keqardhje të thellë për vuajtjet tragjike të popullit armen, që filluan në vitin 1915, por kjo rezolutë nuk është përgjigja e duhur ndaj atyre vrasjeve masive historike. Dhe miratimi i saj do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet tona me një aleat kyç në NATO dhe në luftën globale kundër terrorit”.

Kundërshtarët e rezolutës thanë se miratimi i saj mund ta nxiste Turqinë t’u mohonte forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara përdorimin e bazës ajrore turke në Incirlik, një bazë e rëndësishme strategjike për operacionet ushtarake amerikane në Irak dhe në Afganistan.

“80 për qind e turqve kanë thënë se do të kundërshtonin ndihmën për Shtetet e Bashkuara në Irak dhe Afganistan, nëse miratohet një rezolutë e tillë. Qeveria e Ankarasë dëboi nga territori i vendit forcat franceze. Ne jemi në mes të dy luftërave dhe kemi trupa në rrezik. Ndërkohë ne flasim rreth goditjes së një aleati që po na ndihmon në atë rajon. Një veprim i tillë për mendimin tim nuk ka kuptim”.

Por përkrahësit e rezolutës, mes tyre edhe kongresmeni i partisë republikane, Kristofër Smith, thanë se Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë me çdo kusht një qëndrim moral kundër krimeve të historisë.

“Qeveria turke në mënyrë të vazhdueshme dhe agresive refuzon të pranojë gjenocidin e popullit armen. Për armenët kudo në botë, mohimi nga ana e qeverisë turke, është një shuplakë tjetër në fytyrë”.

Edhe anëtarja demokrate e Dhomës së Përfaqësusve, Shilla Xhekson Li u bashkua me përkrahësit e rezolutës, që e cilësuan atë si një denoncim të gjenocidit dhe jo një ofendim për popullin e sotëm turk.

“Kjo rezolutë nuk është në asnjë mënyrë një ofendim, që do të dëmtonte marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë. Ajo duhet të jetë një celebrim”.

Udhëheqësit demokratë synojnë ta debatojnë rezolutën lidhur me gjenocidin e popullit armen në Dhomën e Përfaqësusve muajin e ardhshëm, ndërkohë që një projekt-rezolutë e ngjashme pritet edhe në senatin amerikan. (ze)

XS
SM
MD
LG