Lidhje

SHBA: Veprimtarët përgatiten për një betejë ligjore mbi armët

  • Malkolm Braun

Veprimtarët në të dyja anët e debatit të ashpër në Amerikë lidhur me kontrollin e armëve po përgatiten për atë që mund të jetë një konfrontim i madh. Ata e kanë përqëndruar vemendjen e tyre tek Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara, së cilës i është kërkuar të vendosë nëse ndalimi nga Uashingtoni i pistoletave është kushtetutor. Nëse Gjykata e Lartë pranon ta shqyrtojë këtë çështje, kjo do të krijonte kushtet për një betejë të ashpër ligjore rreth domethënies së amendamentit të dytë të Kushtetutës amerikane.

Aktivistja Sandra Sigars viziton në një rrugë memorialin e një viktime të vrasjes me armë në lagjen e saj në juglindje të Uashingtonit. Kjo është një zonë krimi e qytetit me numrin më të lartë të vrasjeve në Shtetet e Bashkuara. Zonja Sigars kërkon një armë për t’u vetmbrojtur.

“U them atyre që nuk duan armë për vete se është e drejta e tyre por të gjithë duhet të kenë të drejtën të thonë po apo jo dhe jo ta vendosin të tjerët këtë zgjidhje”.

Zonja Sigars shkoi në gjyq vetë në një përpjekje të dështuar për të hedhur poshtë ligjin strikt të Uashingtonit për revolverët.

Tani gjykata më e lartë në vend duhet të vendosë në se do ta shqyrtojë çështjen pasi një gjykatë e një niveli më të ulët e hodhi poshtë ligjin.

Toni Mauro, korrespondent i gazetës Ligëll Tajms që mbulon Gjykatën e Lartë thonë se kjo e fundit e ka shmangur këtë çështje për gati 70 vjet.

“Kjo është pyetja më e vjetër pa përgjigje në ligjin amerikan, interpretimi i amendamentit të dytë, dhe mendoj se gjykata ndoshta më në fund do të vendosë se ka ardhur koha të japë një përgjigje”.

Amendamenti i dytë i kushtetutës amerikane flet për nevojën e një ligji të fortë për milicinë si dhe për të drejtën e njerëzve për të mbajtur armë.

Kundërshtarët e ndalimit të revolverëve këtu në Uashington e vënë theksin tek e drejta individuale. Përkrahësit e kontrollit të armëve theksojnë aspektin e milicisë.

Departamenti i policisë në Uashington mbron argumentin e zyrtarëve të qytetit – se në se ndalimi i armëve hiqet, rezultati do të jetë më shumë dhunë me armë.

Në selinë e policisë, një njësi speciale proceson armët e kapura – gjysma e të cilave janë revolverë.

Edhe me ligjin që ndalon armët, drejtoresha e Seksionit për Ekzaminimin e Armëve të Zjarrit, Kerën Uigins thotë se seksioni i saj është tejet i ngarkuar me punë.

“Në një ditë të zakonshme, kapim 15 deri në 20 armë zjarri. Vitin e kaluar kapëm 2 mijë e 656. Në vitin 2005, kapëm rreth 2 mijë e 400. Po të marrësh parasysh faktin se Distrikti i Kolumbias ka një nga ligjet më të rrepta për armët në vend, besoj se tregon se kemi një volum armësh që vijnë në Distriktin e Kolumbias”.

Gjykata e Lartë sapo filloi mandatin e ri dhe nuk ka lënë ende të kuptohet në se do ta shqyrtojë këtë çështje. Në se po, vendimi do të jetë historik.

Në gazetën Ligëll Tajms, Toni Mauro shtron pyetjen se çfarë mund të ndodhë në se ligji do të hidhet poshtë.

“Tani kemi një Gjykatë të Lartë më konservatore. Kështu që do të parashikoja një vendim me një shumicë të ngushtë dhe në fund të fundit amendamenti i dytë që mbron të drejtën e individit për të mbajtur armë do të dalë fitimtar”.

Në se gjykata vendos në këtë mënyrë, Mauro parashikon dekada të tëra debatesh ligjore për të përcaktuar kufijtë e kësaj të drejte. (ze)

XS
SM
MD
LG