Lidhje

Vladimir Putin bën thirrje për transparencë në programin bërthamor të Iranit


Presidenti i Rusisë, Vladimit Putin, thotë se Moska nuk ka vënë re asnjë të dhënë bindëse që Irani të jetë duke u përpjekur të ndërtojë një armë bërthamore, por ai shtoi se Teherani duhet të inkurajohet ta bëjë më transparent programin e tij bërthamor.

Zoti Putin tha se vendi i tij beson se Irani nuk ka plane të zhvillojë armë bërthamore. Por ai tha se ka të njejtën dëshirë si dhe Franca e vende të tjera që Irani t’i bëjë të qarta aktivitetet e tij bërthamore. Zoti Putin e bëri këto deklarata pas bisedimeve që pati sot në Moskë me Presidentin e Francës, Nikola Sarkozi.

Udhëheqësi francez theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Iranit me komunitetin ndërkombëtar. Ai vuri në dukje se komentet e zotit Putin bëheshin vetëm pak ditë para vizitës së udhëheqësit rus në Iran.

Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu edhe çështje të tjera, përfshirë Kosovën, Sirinë, tregtinë, bashkëpunimin ekonomik dhe planet e Rusisë për të ndërtuar një kompleks për hedhjen e raketave Sajuz në Qendrën e Hapësirës të Francës në Guinenë franceze. (ze)

XS
SM
MD
LG