Lidhje

Banka Botërore: Globalizimi duhet të ndihmojë të varfërit pa dëmtuar mjedisin


Presidenti i Bankës Botërore Robert Zollik paraqiti një strategji që synon të bëjë të mundur që shtresat e varfëra të globit të përfitojnë nga globalizimi. Zoti Zollik mori përsipër drejtimin e Bankës pas dorëheqjes së Presidentit të mëparshëm Pol Uolfovic në maj. Ai thotë se ky institucion duhet t’u kushtojë vëmendje nevojave të njerëzve në vende të varfëra.

Presidenti i Bankës Botërore Robert Zollik thotë se tregtia globale është rritur mbi 2 fish që në vitet ’90, duke krijuar mundësi të reja për vendet në zhvillim dhe duke ulur çmimin e mallrave dhe shërbimeve. Por zoti Zollik shton se rritja e konkurencës dhe globalizimi nuk duhet të jenë prirje të verbëra para nevojave të të varfërve dhe shqetësimeve për mjedisin:

"Globalizimi ofron mundësi të pabesueshme. Por, përjashtimi nga kjo prirje, varfëria dhe dëmet e mjedisit shndërrohen në kërcënime. Ata që vuajnë më shumë janë pikërisht shtresat më të varfëra – popullatat indigjene, gratë në vendet në zhvillim dhe të varfërit në zonat rurale, afrikanët dhe fëmijët e tyre".

Zoti Zollik i bëri këto komente në një fjalim që mbajti dje në Qendrën Kombëtare për Shtypin në Uashington. Ai bëri të ditur zotimin e Bankës për të dhënë 3 presje 5 miliardë dollarë për Shoqatën për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila mbështet me fonde dhe kredi pa interes 81 nga vendet më të varfëra të botës.

"Banka Botërore ka krijuar një vizion për të ardhmen, ku ky institucion do të kontribuojë për një globalizim gjithë-përfshirës dhe të qëndrueshëm për të zhdukur varfërinë, për të vazhduar rritjen ekonomike duke u kujdesur për mjedisin dhe për të krijuar mundësi dhe shpresa për individin".

Zoti Zollik u bëri thirrje vendeve dhuruese të rrisin shumat që japin për vendet e varfëra dhe për mbështetje për vendet që sapo kanë dalë nga konflikti.

Ky fjalim u mbajt në përmbushjen e 100 ditëve të para të zotit Zollik në post dhe përcakton strategjinë për të ardhmen e organizatës me 185 vende anëtare në prag të takimit të saj vjetor në fund të tetorit. //iç//

XS
SM
MD
LG