Lidhje

Pelozi: Rezoluta për gjenocid ndaj armenëve do t'i çohet për votim Dhomës së Përfaqësuesve

  • Dan Robinson
  • Uashington

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi, thotë se rezoluta e miratuar këtë javë nga Komisioni i Kongresit, ku vrasja e dhjetra mijëra armenëve nga turqit e Perandorisë Otomane në periudhën Luftës së Parë Botërore, të cilësohet si gjenocid, do të hidhet për votim në të gjithë Dhomën e Përfaqësuevse. Siç njofton nga Kongresi korrespondenti Dan Robinson, Presidenti Bush kërkon që rezoluta të mos miratohet, duke thënë se ajo do të dëmtonte marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë:

Një ditë pas miratimit me 27 vota pro dhe 21 kundër të rezolutës në Komisionin e Jashtëm të Kongresit, zonja Pelozi ritheksoi vendosmërinë e saj, që votimi të bëhet edhe në Kongres. Rreth 224 ligjvënës kanë nënshkruar, për ta mbështetur rezolutën, për të cilën zonja Pelozi dhe Kryetari i Shumicës në Kongres Steni Hojer thonë se do t’i çohet për votim të gjithë Dhomës së Përfaqësuesve, ndoshta muajin e ardhshëm.

Zonja Pelozi u tha gazetarëve në një konferencë shtypi, se gjatë 20 vjetëve të fundit, rezolutat e Kongresit për t’i cilësuar vrasjet ndaj armenëve gjenocid, janë shtyrë, me justifikime të ndryshme. Nuk do të ketë asnjëherë një kohë të përshtatshme për të pranuar në se është kryer gjenocid, tha zonja Pelozi, qoftë ai në të shkuarën e largët, apo në të tashmen.

"Në se ka kaluar një kohë e gjatë nga vrasja e armenëve, gjenocid po ndodh tani në Darfur, ndodhi kohët e fundit në Ruandë, pra për sa kohë që ka gjenocid, është e nevojshme që ai të denoncohet,"- tha zonja Pelozi.

Pas votimit në Komisionin e Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, Turqia, thirri përkohësisht ambasadorin e vet në Uashington për konsultime, një metodë tradicionale për të shprehur protestë diplomatike.

Megjithatë, ligjvënësja Pelozi shpreson që marrëdhëniet amerikano-turke do të mbeten të forta:

"Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë marrëdhënie shumë të forta, që bazohen tek interesi reciprok, dhe unë, megjithë besimin që gëzon në botë qeveria e Turqisë, besoj se interesi ynë i përbashkët do të bëjë që marrëdhënia jonë të fuqizohet... Por kjo rezolutë nuk ka të bëjëme qeverinë aktuale të zotit Erdogan, por me Perandorinë Otomane," - tha zonja Pelozi.

Të mërkurën, votimi në Komisionin e Jashtëm, i theksoi ndryshimet në linja partiake për rezolutën, kur 8 demokratë votuan pro saj dhe 8 republikanë votuan kundër. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino, ritheksoi dje shpresën e Presidentit Bush që rezoluta të mos çohet për votim në Dhomën e Përfaqësuesve.

"Presidenti ka shprehur në emër të popullit amerikan tmerrin për tragjendinë e vitit 1915, por në të njëjtën kohë, ne kemi edhe shqetësime për çështjen e sigurisë dhe shumë nga trupat dhe pajisjet tona për luftën, shkojnë nëpërmjet Turqisë. Turqia është një aleate tepër e rëndësishme në luftën kundër e terrorizmit dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ta në këtë drejtim, prandaj shpresojmë që Dhoma e Përfaqësusve nuk do ta hedhë në votim Rezolutën," - tha zëdhënësja.

Në reagimin e tij, Departamenti amerikan i Shtetit shprehu keqardhjen lidhur me votimin në Komisionin e Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, duke thënë se rezoluta mund t’i dëmtojë rëndë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë dhe interesin amerikan në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.//lk

XS
SM
MD
LG