Lidhje

Thaçi: Mes Prishtinës dhe Beogradit, asnjë afrim në qëndrime


Në Bruksel përfundoi takimi i dytë i drejtpërdrejtë mes Prishtinës dhe Beogradit si pjesë e bisedimeve shtesë me ndërmjetësinë e treshes ndërkombëtare. Zëri i Amerikës zhvilloi një intervistë pas takimit me zotin Hashim Thaçi, anëtar i ekipit negociues shqiptar dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, na jepni ju lutem një karakterizim për takimin e sotëm me delegacionin e Beogradit. A kanë ndryshuar sadopak qëndrimet e palëve?

Hashim Thaçi: Takimi i sotëm ka qënë takim i dëgjimit dhe shkëmbimit të ideve për të ardhmen e Kosovës. Prishtina dhe Beogradi vazhdojnë të kenë dallime esenciale. Pretendimi i Beogradit është që të ofrohet një autonomi substenciale për Kosovën ndërsa qëndrimi i prerë i Prishtinës është respektimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran. Kosova dhe Serbia nuk mund të qëndrojnë në një Serbi të përbashkët dhe sovrane siç pretendon Beogradi. Për Kosovën është vetëm një zgjidhje, Kosova shtet i pavarur dhe demokratik. Kjo është zgjidhja e arsyeshme, e domosdoshme, e drejtë dhe mendoj se shpejt çështja e Kosovës në relacion me Serbinë do të hyjë në marrëdhënie të reja ndër-shtetërore. Çështja e Kosovës me Serbinë nuk është punë kompetencash apo intutucionesh të përbashkëta siç pretendojnë autoritetet në Beograd. Ne do ta vlerësojmë interesimin në drejtim të Beogradit për serbët qytetarë të Kosovës por gjithçka duhet të shkojë permes bashkëpunimit me institucionet legjitime të Kosovës. Pra mund të them edhe njëherë se janë dallime të mëhershme. Beogradi ka prezantuar një ofertë të regresit dhe të së shkuarës ndërsa ne kemi prezantuar realitetin kosovar, ne kemi prezantuar vizionin për të ardhmen, vizionin që garanton prespektivë për Kosovën demokratike, për Kosovën si vend i gjithë qytetarëve të saj dhe natyrisht vizionin që garanton paqe dhe stabilitet në rajon.

Zëri i Amerikës: Nëse nuk ka shenja për marrëveshje, a është e drejtë të thuhet se këto takime bëhen thjesht për të përmbushur një zotim para komunitetit ndërkombëtar?

Hashim Thaçi: Këto takime janë takime shtesë të dëgjimit të njëri-tjetrit, të shkëmbimit të ideve të ndryshme por asesi nuk mund të thuhet se ka afrim në qasjen për zgjidhjen, apo kompromis, për statusin politik. Pretendimi i serbëve është pretendim i cili është i njohur për opinionin në Kosovë, dhe komunitetit ndërkombëtar është një pretendim i cili ka gjeneruar një gjenocid në Kosovë ndërsa ne kemi prezantuar vizionin tonë për të ardhmen, shtet demokratik, vend ku do të respektohen të drejtat e njeriut dhe natyrisht një vizion i cili hap prespektivë të sigurtë dhe shumë të qartë për integrimin e Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian dhe ato euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni të ndodhë pas dhjetë dhjetorit?

Hashim Thaçi: Relativisht pas 10 dhjetorit do të ndodhë qartësia e madhe. Do të ndodhë qartësia dhe unifikimi dhe i komunitetit ndërkombëtar në raport me Kosovën ndërsa institucionet e Kosovës duhet të shkojnë në hapat e rëndësishëm të vendim-marrjes për shtet dhe bindjen në raport me komunitetin ndërkombëtar për njohjen ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: A do ta shpallni ju pavarësinë pas kësaj date?

Hashim Thaçi: Institucionet e Kosovës do t’i marrin përgjegjësitë e duhura në kohën e duhur dhe natyrisht do të marrin vendimin e duhur, vendimin për shtet.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ekipi i unitetit, nuk duket shumë unik për sa i përket veprimeve pas dhjetë dhjetorit. Një pjesë kërkon shpalljen e menjëhershme të pavarësisë, ndërsa ju u përkisni atyre që kërkojnë që kjo të bëhet vetëm me miratimin e Uashingtonit dhe Brukselit. A është për ju shqetësues fakti që pikpamjet nuk janë të njëjta?

Hashim Thaçi: Kosova është unike dhe shumë e përgatitur për shtet, edhe si qytetarë edhe si politikë. Unë përfaqësoj vizionin që duhet të kemi një fillim të suksesshëm, fillimin e implementimit të procesit të pavarësisë dhe asesi të hymë në ndonjë ngatërresë të panevojshme tani në finalen e madhe të njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Kosova më tepër sesa deklarime dhe rideklarime ka nevojë më tepër për vendim dhe njohje ndërkombëtare të pavarësisë. Por në çdo moment Kosova duhet të jetë unike dhe duhet të respektojë vizionin për shtet dhe një vizion modern për integrim.

Zëri i Amerikës: Shumë vëzhgues e shikojnë qëndrimin tuaj më të moderuar si pjesë e përpjekjeve tuaja për të siguruar mbështetje në garën zgjedhore, më konkretisht për të realizuar synimin për të marrë postin e kryeministrit. A është e saktë kjo?

Hashim Thaçi: Pavarësia e Kosovës nuk është e lidhur me garën zgjedhore, nuk është e lidhur me poste ministrore, kryeministrore apo presidenciale. Përgjegjësitë institucionale tash e tutje do t’i përcaktojë vetë legjitimiteti qytetar dhe jo makinacionet e ndryshme politike prandaj synimi im kryesor është sot zyrtarizimi i pavarësisë, implementi i këtij vullneti i qytetarëve të Kosovës, i sakrificës së hershme tonën dhe natyrisht i vizionit tone për integrim dhe qëndrimi im është i përgjegjshëm dhe asesi në garën e komplikuar apo të kalkulimeve të ndryshme. Qëndrimi im buron prej vullnetit të qytetarëve të Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG