Lidhje

SHBA - Zgjedhjet Presidenciale 2008: Në janar fillon zyrtarisht fushata


Ndërsa republikanët ende nuk e kanë një kandidat që të kryesojë garën presidenciale të partisë së tyre për zgjedhjet e 2008-ës, demokratët tashmë e kanë atë: senatorja Hillary Rodham Klinton e Nju Jorkut. Por ky fakt nuk e ka penguar një grup aktivistësh demokratë të bëjnë edhe një përpjekje të fundit, që ish-nënpresidenti Al Gore t’i bashkohet garës së Partisë Demokrate:

Hillari Klinton, duket qartë, që është kandidatja e preferuar e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale. Senatorja Klinton udhëheq ndjeshëm në anketa, ndaj rivalit të saj më të afërt, Senatorit të Ilinoit, Barak Obama dhe ish-Senatorit të Karolinës së Veriut, Xhon Eduards.

Por të paktën një grup aktivistësh politikë të demokratëve nuk i ka dhënë fund shpresave për ta bindur ish-nënpresidentin Al Gore të hyjë në garën e 2008-ës për Shtëpinë e Bardhë.

"2008-a mund të jetë shansi ynë i dytë dhe i fundit për t’i rregulluar gjërat. Bashkohuni me ne, në faqen kompjuterike DraftGore.com dhe nënshkruani atje peticionin. Ai fitoi një herë, dhe mund të fitojë përsëri në 2008."

Kjo reklamë radioje transmetohet në shtetin e Floridës. Fitorja e ngushtë e Presidentit Bush ndaj ish-nënpresidentit Al Gore në Florida në zgjedhjet e vitit 2000, e çoi zotin Bush në Shtëpinë e Bardhë dhe zotin Gore në tërheqjen nga politika.

Lëvizja pro zotit Gore kishte botuar një artikull në një faqe të plotë të gazetës "The New York Times", ku i bënte thirrje ish-nënpresidentit të marrë pjesë në garën presidenciale, duke argumentuar se zoti Gore është kandidati që mund t’i sjellë shpresën Amerikës dhe botës.

Zoti Gore vazhdon t’i rezistojë thirrjes për të kandiduar, edhe pse ai nuk e ka mbyllur fare mundësinë e kandidimit të tij në të ardhmen. Ja si u shpreh ai në një intervistë për rrjetin ABC në fillim të vitit:

"Nuk po e mendoj tani për tani një gjë të tillë. Nuk po përqëndrohem tek kjo çështje, tani jam përqëndruar tek zgjidhja e krizës së klimës," - tha Gore.

Megjithë presionin ndaj zotit Gore, shumica e demokratëve duket se besojnë që Hillari Klinton vazhdon të jetë kandidatja e preferuar e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Gjendja në Partinë Republikane duket se është shumë më e pasigurtë. Ish-Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani vazhdon të udhëheqë garën brenda Partisë Republikane në anketimet në shkallë kombëtare, por diferenca e tij me kandidatët e tjerë është ngushtuar gjatë muajve të fundit.

Në debatin më të fundit presidencial, Xhuliani shkëmbeu replika me njërin prej rivalëve brenda partisë së tij, ish-guvernatorin e Masachusetsit, Mit Romni, lidhur me problemin pakësimit të taksave.

Xhuliani: Nën drejtimin e tij taksat u rritën me 11 për qind për frymë...

Romni: Këto janë marrëzira, ju zoti Krytar i Bashkisë, duhet t’i kontrolloni mirë faktet. Unë nuk i rrita taksat, në Masaçusets, përkundrazi, i ula.

Disa aktivistë konservatorë kanë shtruar mundësinë se mund të mbështesin një kandidat të tretë për partinë, në se Xhuliani fiton emërimin e partisë. Xhuliani mbështet të drejtën e abortit, që shumë grupe kristiane konservatore e kundërshtojnë.

Toni Perkins, i Këshillit për Kërkimet Familjare, bëri këto komente në një intervistë për televizionin MSNBS.

"Në se partia do të jepte shenja tërheqjeje në kundërshtimin ndaj abortit, duke emëruar një kandidat që mbështet të drejtën e abortit, në këtë rast, ne do të mbështesim një kandidat tjetër që e kundërshton atë. Por këtë do ta shohim gjatë muajve të ardhshëm.",- thotë Perkins

Anketimet tregojnë gjithashtu se demokratja Hillari Klinton do të ishte e preferuara ndaj çdo kandidati republikan vitin e ardhshëm. Por profesori i Universitetit të Virginias, Larri Sabato, paralajmëron se anketimet e hershme gjatë garës presidenciale mund të jenë çorjentuese.

"Cilido që mendon se zgjedhjet e kësaj radhe nuk janë shumë interesante, duhet të studjojë historinë amerikane, sepse zgjedhjet thuajse asnjëherë nuk kanë qenë të tilla. Garat janë tepër kompetitive kur nuk ka kandidatë të spikatur nga të dyja partitë."

Fushata elektorale fillon zyrtarisht në janar, kur zhvillohen zgjedhjet paraprake, që tradicionalisht mbahen në shtetet e Iowas dhe New Hampshire-it, kur fillon edhe procesi i seleksionimit të kandidatëve nga të dyja partitë.//lk

XS
SM
MD
LG