Lidhje

Shkencëtarët parashikojnë krizë ushqimore nga ndryshimet klimatike


Shkencëtarët parashikojnë kriza ushqimore gjatë këtij shekulli, nëse ndryshimet klimatike vazhdojnë me këtë prirje. Ngritja e nivelit të detit ka prekur dukshëm vëllimin e peshkut të kapur, ndërkohë që temperaturat e larta dhe rreshjet e pakëta kanë ndikuar tek prodhimi bujqësor.

Gjatë gjithë jetës së tij, Badi Hans është marrë me bujqësi në jug të kryeqytetit Uashington. Ai është edhe Nënsekretar i Bujqësisë për shtetin Marilend.

“Misri që po korrim do të përdoret për ushqim në industrinë e pularisë në Bregun Lindor të Marylandit”, - thotë Hans.

Por këtë vit prodhimi i mistrit duket i pakët, nën atë normal.

“Kemi patur shumë vështirësi moti me këtë lloj drithi. Stina e verës ishte shumë e thatë.”

Marilandi dhe shumë prej pjesës lindore të Shtetetve të Bashkuara u prekën nga një thatësirë e madhe gjatë gjithë verës. Budi Hans thotë se prodhimi normal i kësaj fushe është rreth 70 kuintal misër për hektarë. Këtë vit ai llogarit të marrë vetëm afro 20 përqind të këtij prodhimi.

“Kokrrat e misrit janë shumë të vogla. Edhe kalliri është shumë më i shkurtër se sa duhej të ishte. Normalisht kalliri do të ishte deri 27 centimetra i gjatë dhe më i mbushur. Këtë stinë kalliri ka më pak rreshta misri sesa çduhej të kishte”.

Nuk ekzistojnë të dhëna shkencore që ta lidhin thatësirën e këtij viti me ndryshimet klimatike. Por thatësira tregon se si një ndryshim i motit mund të ndikojë tek rezervat ushqimore.

Një studim nga Qendra për Zhvillim Global tregon se ndryshimi i klimës mund të shkaktojë rënien e prodhimit global të ushqimit nga 5 deri 20 përqind deri në vitin 2080 dhe në disa vende kjo rënie parashikohet të jetë më e madhe. Uilliam Klajn është autor i studimit.

“.....rreth 30 deri 40 përqind në Indi, për shembull, dhe afro 20 përqind ose më shumë në Afrikë e AmerIkë Latine”.

Gjiri Çesapik në Marilend është zona më e madhe e prodhimeve të detit në Shtetet e Bashkuara. Në ujërat e këtij gjiri jetojnë mbi 250 lloje peshqish e kafshë të tjera deti. Disa prej tyre si gaforret dhe peshku “bass” përbëjnë burime ushqimore me shumë vlera për tregun. Por të dhënat qeveritare tregojnë se ushqimet e nxjerra nga ky gji kanë shënuar rënie gjatë viteve të fundit, kryesisht për shkak të ndotjes së ujit dhe mbishfrytëzimit.

Në rezervatin kombëtar "Blackwater" në gjirin Çesapik, ka shenja se ndryshimi i klimës po ndikon në mbarështimin e peshqëve dhe gaforreve. Më shumë se 3 mijë hektarë e tokës moçalore tani ndodhet nën ujë për shkak të rritjes së nivelit të detit.

Diksi Bërç, pranë shërbimit që kujdeset për ruajtjen e peshkut dhe kafshëve të egra, thotë se janë kryer studime që e lidhin ngritjen e nivelit të detit me ndryshimin e klimës.

“Zonat moçalore janë të rëndësishme për ushqyerjen e gjësë së gjallë duke filluar nga zogjtë e deri tek njerëzit, pasi ne konsumojmë gaforre e peshq që merren nga këto ujra.”

Diksi Bërç thotë niveli i detit në këtë gji do të vazhdojë të rritet dhe kjo do të ndikojë më tej tek prodhimet e peshkimit.

“Në këto raste do të pakësohej numri i gaforreve blu dhe i shumë llojeve të tjera peshku, tek peshkimi i të cilavëve varen shumë vetë”.

Badi Hans thotë se fermerët në Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje t’i përshtaten ndryshimit të klimës. Por kjo mund të mos jetë e mundur për bujqit në vendet në zhvillim.

Qendra për Zhvillim Global thotë se prodhimi ushqimor duhet të rritet në gjysmën e dytë të këtij shekulli për të ecur krahas rritjes së popullisë.

“Ekzistojnë kultura bujqësore, që mund të kultivohen pa patur nevojë për ujë, si fasulja, soja e të tjera. Do të mësohemi të përshtatemi",- thotë fermeri.

XS
SM
MD
LG