Lidhje

Kompania "Airbus" nxjerr përfundimisht avionin më të madh në botë


Pas vonesave të përsëritura kompania "Airbus" nxori përfundimisht aeroplanin e parë A 380, aeroplani më i madh për udhëtarë, një hap kritik për prodhuesin evropian të avionëve në përpjekjet për ta marrë veten nga problemet e panumërta.

Më në fund "Singapore Airlines" po merr aeroplanin më të madh në botë për pasagjerët me dy kate...thuajse dy vjet me vonesë. Ceremonia e dorëzimit të aeroplanit përfshinte mes të tjerash edhe fjalime dhe shkëmbim dhuratash. Presidenti i kompanisë Tomas Enders falenderoi të pranishmit në Tuluzë në ceremoninë e dorëzimit të avionit.

“Tani është koha për t’i dorëzuar avionin A 380 shoqërisë ajrore të Sigaporit. Është koha për t’i hedhur një vështrim së ardhmes.”

Në falimin e tij, ai hodhi poshtë sugjerimet se "Airbus" po ndiqte një strategji të gabuar, duke prodhuar super-gjigandin në një treg që me sa duket ka interes në aeroplanë më të vegjël.

Kompania "Airbus" ka ndryshuar deri tani pesë shefa ekzekutivë ndërkohë që disa vonesa në prodhimin e avionit A 380 rezultuan në një plan risktrukturues, që parashikon shkurtimin e 10 mijë vendeve të punës në katër vitet e ardhëshme, pa përmendur humbjen e disa miliona eurove në fitime.

Përveç fitimeve, vonesa të tilla kanë ndikuar edhe në reputacionin e Airbusit, ndërkohë që konkuruesi amerikan "Boeing" pati shitjet më të mëdha në vitin 2006. Por edhe kompania amerikane "Boeing" njoftoi për një vonesë gjashtë mujore për avionin tejet të kërkuar, "787 Dreamliner", duke lejuar që avioni dy katësh A 380 të rrëmbejë të gjithë vëmendjen.

Ndërkohë, në firmën "Airbus" morali është dëmtuar nga akuza, se drejtues të rëndësishëm kanë përfituar nga njohuritë rreth problemeve të avionit A 380, dhe kanë shitur aksionet e tyre.

Një raport paraprak nga Agjencia Franceze për Tregjet Financiare bën të ditur për shitje masive të aksioneve nga zyrtarë të Kompanisë Evropiane për Mbrojtjen Aeronautike dhe Hapësinore, kompania ombrellë e Airbusit.

Ceremonia e dorëzimit me rreth 500 të ftuar, ishte më e vogël sesa e ajo e vitit 2005, kur u zbulua projekti për avionin gjigand. Ceremonia e atëhershme me mbi 10 mijë të ftuar përfshinte udhëheqës të Francës, Gjermanisë dhe Anglisë.

Zyrtarë qeveritarë, disa prej të cilëve akuzohen se janë përfshirë në shitjen e aksioneve, nuk ishin të pranishëm në ceremoninë e sotme. Aeroplani i ri i shoqërisë ajrore të Singaporit me 471 vende ka tre klasa, duke filluar me 12 vende luksi, 60 vende të klasës së biznesit dhe 399 vende të klasit ekonomik.

Aeroplani do të zëvendësojë një nga tre Boeingët 747-400, që shërbejnë në destinacionin Sidnej-Singapore. Fluturimi përurues do të zhvillohet me 25 tetor. Singapore Airlines i ka shitur me ankand në E-Bay të gjitha vendet, duke grumbulluar 1,25 milion dollarë për bamirësi.

16 kompani, përfshi "British Airways", kanë porositur 189 aeroplanë A 380 dhe zyrtarët thonë se ky numër mund të kap shifrën 200 deri në fund të vitit. Synimi i "Airbusit" janë shtatë linjat ajrore që përdorin aeroplanin "Boeing 747", momentalisht më i madhi, që ende nuk kanë porositur aeroplanin gjigand. A 380 ka mjedise luksoze si bare, dhe dyqane pa doganë.

Disa lloje të tjera do të ofrojnë mundësinë për të bërë dush. Avioni A 380 synon plotësimin e kërkesave për lidhjen e destinacioneve të largëta në një kohë që trafiku në aeroporte, që sa vjen e bëhet edhe më i rënduar. Nga ana tjetër, "Boeing" thotë se pasagjerët kërkojnë fluturime direkte me avionë më të vegjël dhe kjo kompani synon një treg më fitimprurës për avionët e mesëm.//lk

XS
SM
MD
LG