Lidhje

Xhefri Sajmën: Kosova do të jetë e pavarur por jo në kufijtë e saj të sotëm


Xhefri Sajmën, analist në Institutin e Studimeve Strategjike Kombëtare, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes thotë se Kosova do të jetë e pavarur, qoftë nëpërmjet negociatave ose shpalljes së njëanëshme të pavarësisë, por jo në kufijtë e saj të sotëm. Megjithatë zoti Sajmën paralajmëron kundër shpalljes së njëanëshme të pavarësisë, ose veprimeve të tjera të njëanëshme, që mund të shërbejnë si shembull për akte të ngjashme në Maqedoni, në Republikën serbe të Bosnjes dhe në disa rajone të tjera në ish teritorin e Bashkimit Sovjetik.

Zëri i Amerikës: Zoti Sajmën, a shikoni ndonjë zgjidhje të ndërmjetme mes qendrimeve diametralisht të kundërta të Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e statusit të Kosovës?

Xhefri Sajmën: Po. Në fakt e shikoj të mundshme një zgjidhje tjetër dhe kjo është se më në fund ne do të kemi një Kosovë që do të jetë e pavarur, por jo një Kosovë me teritorin e saj të sotëm. Qoftë nëpërmjet negociatave ose qoftë nëpërmjet shpalljes së njëanëshme të pavarësisë apo veprimeve të tjera të njëanëshme, teritori i sotëm i Kosovës në veri të Lumit Ibër të mos jetë pjesë e një Kosove të pavarur.

Zëri i Amerikës: Në qoftë se Kosova shpall pavarësinë në mënyrë të njëanëshme, çfarë pasojash mund të kishte ky akt për sigurinë në Ballkan dhe më tej?

Xhefri Sajmën: Mendoj se pasojat do të ishin mjaft të ndjeshme dhe ekzistojnë shqetësime për këtë. Ka mundësi që e njejta gjë të ndodhë në Maqedoni dhe në Republikën e Serbëve të Bosnjes, me efekt të drejtpërdrejtë në vlerësimin e suksesit të operacioneve të mëparëshme diplomatike apo ushtarake si Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni, dhe i gjithë investimi i bërë që nga 6000 mijë trupat e vendosura atje tek forca për zbatimin e marrëveshjes, forca e stabilizimit dhe misioni i Bashkimit Evropian në Bosnje. Por është gjithashtu edhe komponenti i NATO-s atje. Por ka edhe pasoja me një shtrirje më të gjerë, në rast të shpalljes së njëanëshme të pavarësisë së Kosovës për sa u përket atyre që quhen “konflikte të ngrira”, si Abkhazia apo Osetia Jugore në Gjeorgji, si dhe çështja e Transdnistias, që janë më të afërta me rastin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Sajmon, Shtetet e Bashkuara kanë thënë në mënyrë të përsëritur se Kosova është rast i veçantë dhe presupozohet që Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin pavarësinë e saj por jo të rajoneve të tjera nëpër botë?

Xhefri Sajmën: Kjo është plotësisht e saktë. Kur ish Bashkimi Sovjetik u shpërbë, ne pranum të njihnin shtetet që dolën prej tij, duke përfshirë edhe Rusinë, në kufijtë e tyre ekzistues në atë kohë. Kështu Transdnjistria, Abkhazia, Osetia Jugore to të mbeteshin brenda atyre shteteve. Por rasti i Kosovës në Serbi apo në Federatën Serbi – Mal i Zi është krejt i ndryshëm në aspektin ligjor. Megjithatë kjo nuk do ta pengonte Rusinë që të njihte pavarësinë e Osetisë Jugore ose Abkazisë. E çfarë mund të bësh në këtë rast?

Zëri i Amerikës: Ju përmendët ndarjen e Veriut të Kosovës si një variant të mundshëm të zgjidhjes së statusit të saj. Nga një këndvështrim më pragmatik, çfarë do të humbisnin shqiptarët në këtë rast dhe çfarë do të fitonin serbët?

Xhefri Sajmën: Në qoftë se shqiptarët besojnë se duhet ta kenë të tyrin gjithë teritorin e sotëm të Kosovës, por ju thuhet se një pjesë të saj nuk do ta kenë, për ta është humbje. Kjo është një çështje sa psikologjike aq edhe emocionale për ta. Në qoftë se kjo do të ishte një zgjidhje e arritur përmes negociatave, rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkaura do të ishte ende në fuqi, ajo do të mbante KFOR-in në vend, kështu që do të garantohej mbrojta e pakicave të të dy palëve, sërbëve në pjesën jugore të Mitrovicës dhe shqiptarëve në pjesën veriore. Kjo do të ishte një nga avantazhet e një zgjidhjeje përmes negociatave, po ashtu kjo do të sillte që ekspozim më të madh si të Serbisë ashtu edhe Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe stimuj ekonomikë nga Bashkimi Evropian dhe eventualisht hyrjen e tyre në BE në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Si e shikoni Ballkanin pas 10 dhjetorit?

Xhefri Sajmën: Kjo duhet parë në një perspektivë më të gjerë. Është objektivi ynë, është në interesin tonë që në një periudhë më afat gjatë, 5, 10 apo 20 vjet nga sot, të kemi një Ballkan, cilado qoftë struktura e shteteve të tij, të jenë anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kjo është plotësisht e realizueshme sapo të kapërcejmë pengesat që kemi tani përpara. //iç//

XS
SM
MD
LG