Lidhje

Studjuesit: Ilaçet kanë efekte të ndryshme tek të rriturit dhe fëmijët

  • Astrit Lulushi

Sipas zyrës për regjistrimin e popullsisë, amerikanët do të shpenzojnë thuajse gjysmën e vitit përpara televizorit, radios, kompjuterit me lidhje në internet ose duke lexuar gazeta. Një vaksinë kundër një sëmundjeje virusale të lëkurës rekomandohet tani për persona të moshës 60 vjeç e sipër.Ndërsa një studim i kohëve të fundit tregon se 80 përqind e fëmijëve të shtruar në spitale trajtohen me barna që janë miratuar për t’u përdorur vetëm për të rriturit.

Roli i ndryshëm i ilaçeve tek të rriturit dhe tek fëmijët

Fakti është se Agjencia amerikane e ushqimeve dhe barnave nuk kërkon nga firmat farmaceutike që ilaçet të provohen tek fëmijët. Duke u nisur nga kjo mjekët arrijnë vetë në përfundimin që në se një ilaç jep rezultate tek të rriturit, i njëjti ilaç me dozë më të vogël do t’u bëjë mirë edhe fëmijëve. Por të dhënat tregojnë se një spekullim i tillë mund të jetë një gabim i rrezikshëm.

Spitali është një mjedis ku fëmijët ndjehen më të dobët e në varësi të të tjerëve më shumë se në asnjë vend tjetër. Ata shkojnë atje për t’u kuruar, por studimi duket se nxjerr në dritë fakte tepër shqetësuese.

Doktor Daniel Benjamin i universitetit Duke thotë se në shumicën e rasteve kur fëmijët trajtohen, mjekët nuk e dime nëse u japim atyre ilaçin e duhur apo dozën e përshtatëshme. Mjeku pediatër Daniel Benjamin thotë se sa herë që mbush një recetë ilaçesh për fëmijë, ai shqetësohet se ilaçi do t’i bëjë fëmijës mirë apo do ta dëmtojë atë më shumë sesa së vetë sëmundja. Ilaçet për të rriturit provohen dhe miratohen për përdorim, por shumë prej tyre nuk provohen tek fëmijët, pasi ligji e ndalon.

Mjekët thonë se organizmi i fëmijës e asimilon ilaçin ndryshe nga organizmi i një të rrituri. Ndryshimet në muskuj, kockë, lëngje, yndyrna, proteina të gjitha luajnë rol në asimilimin e ilaçit nga oganizmi. Por pa të dhëna të sakta mbi këtë rol apo ndikim, mjekët vendosin duke spekulluar rreth ilaçeve që japin.

Sipas të dhënave të nxjerra nga dokumentet qeveritare, nga 118 lloj barnash që u janë dhënë fëmijëve, 47 përqind e tyre rezultuan me probleme. Në shumë raste dozat ishin të tepruara, si përshembull në rastin e një ilaçi kundër reumatizmës që për fëmijët ishte rekomanduar dozë e dyfishtë.

Gjithashtu, shumë ilaçe mund të sjellin probleme serioze tek fëmijët. Një ilaç kundër asthmës mund të shkaktojë pneumoni dhe të pengojë rritjen apo zhvillimin e fëmijës. Një ilaç anestezie ngadalëson rrezikshëm zhvillimin e zemrës dhe aktualisht mund të shkaktojë vdekjen e një fëmije. Ndërsa 20 përqind e ilaçeve të përfshira në studim nuk patën asnjë sukses në trajtimin e fëmijëve, përfshi disa ilaçe kimoterapie kundër kancerit.

Kompanitë farmaceutike tani janë duke bërë kërkime në fushën e këtyre ilaçeve. Por shumë mjekë këmbëngulin se kjo nuk mjafton. Ata mendojnë se Kongresi duhet t’i japë më shumë kompetenca agjencisë federale të barnave për të kërkuar kryerjen e më shumë provave të ilaçeve përpara se ato të përdoren tek fëmijët.

Vaksinë kundër Herpesit

Herper Zoster është një sëmunje pezmatuese akute e shkaktuar nga një lloj virusi. Sëmundja shfaqet me skuqje e plagë të dhimbshme lëkurë. Kohët e fundit, Komisioni për imunizime pranë qëndrës për kontrollin e sëmundjeve, rekomandoi vaksinimin kundër kësaj sëmundjeje për të rriturit 60 vjeç e sipër.

Herper Zoster është emri latisht i sëmundjes, në anglisht ajo njihet si shingles, shqip Herpes, dhe zakonisht shfaqet vetëm në një anë të trupit dhe zgjat zakonisht 4 javë. Herë-herë, sëmundja krijon komplikime pasi virusi prek fijet nervore duke shkaktuar dhimbje, e deri në humbje të dëgjimit ose edhe verbim.

Vaksina kundër Herpesit është një vaksinë lie por shumë më e fortë dhe synon të parandalojë zhvillimin e sëmundjes dhe pasojat e rënda të saj.

Amerikanët dhe media

Media, shtypi apo ajo elekronike, kurrë nuk ka qënë më e përhapur dhe programet e transmetuara prej tyre tërheqin veçanërisht të rinjtë Me këtë, roli i medias bëhet vendimtar por të merret parasysh edhe fakti se sipas zyrës për regjistrimin e popullsisë, amerikanët parashikohet të shpenzojnë thuajse gjysmën e vitit 2007 përpara televizorit, radios, kompjuterit me lidhje në internet ose duke lexuar gazeta.

Njerëzit rrallë pyesin veten ose të afërmit e tyre sesa kohë shpenzojnë përpara televizorit ose kompjuterit. Një raport i zyrës për regjistrimin e popullsisë duket se i përgjigjet qartë kësaj pyetjeje.

Sipas të dhënave, një amerikan do të shpenzojë afro 5 muaj në vit duke u argëtuar nga mediat. Në raport thuhet se brenda një viti, njerëzit shpenzojnë mesatarisht 65 ditë përpara televizorit, 41 ditë duke dëgjuar radio dhe pak më shumë se një javë në internet.

Të rriturit dhe të rinjtë gjithashtu shpenzojnë një javë të plotë duke dëgjuar muzikë në pajisje MP3 ose iPod dhe 7 ditë në vit duke lexuar gazeta. Sipas parashikimeve, përllogaritet se amerikanët do të shpenzojnë 930 dollarë në vit për person për t’u argëtuar nga këto mjete mediatike. Ekspertët thonë se të dhënat e raportit ngrenë shqetësime se në ç’mënyrë media afekton sjelljet shoqërore, veçanërisht tek të rinjtë.//lk

XS
SM
MD
LG