Lidhje

Xhejms Dabins: Kosova e pavarur brenda kufijve të sotëm


Kosova do të jetë e pavarur brenda kufijve të saj të tanishëm, thotë Xhejms Dabins, Drejtor i Qendrës për Politikat Ndërkombëtare të Sigurimit dhe Mbrojtjes në korporatën RAND. Ish ndihmës sekretari i Shtetit, ish këshilltar i posaçëm i presidentit dhe sekretarit të Shtetit për Ballkanin, një nga autoritetet e Uashingtonit për çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare, thotë se as qeveria e Serbisë dhe as qeveria e Kosovës nuk kanë propozuar dhe as janë të predispozuara të pranojnë ndryshimin e kufijve.

Zëri i Amerikës: Zoti Dabins, duket se shqiptarët dhe serbët nuk janë të predispozuar të bëjnë ndonjë kompromis për statusin përfundimtar të Kosovës. Ku mund t’i çojnë palët këto qendrime?

Xhejms Dabins: Ata mund të merren vesh që të mos bien dakord. Siç ka qënë, për shembull, rasti i Gjermanisë Lindore me atë Perëndimore që nuk ishin dakord me njera tjetrën, por jetuan në kushte miqësie për 40 vjet me radhë, pavarësisht nëse Gjermania Lindore ishte e pavarur ose jo. Ata mbajtën marrëdhënie diplomatike dhe zhvilluan marrëdhënie në fusha të tjera me njera tjetrën, megjithëse Gjermania Perëndimore këmbëngulte se Gjermania Lindore ishte pjesë e Gjermanisë së Madhe dhe jo shtet i veçantë, e megjithatë mbante marrëdhënie me Gjermaninë Lindore. Nëse Kosova dhe Serbia ndjekin rrugë të ndryshme dhe Kosova shpall pavarësinë, shumica e vendeve të Evropës do ta njihnin atë, po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe eventualisht pjesa më e madhe e vendeve të tjera të botës, por jo Serbia, dhe kështu këto dy vende nuk do të kenë marrëdhënie. Prandaj varet nga Serbia nëse do t’i përmbahet qendrimit të saj por të ketë marrëdhënie me Kosovën, ose të mos ketë fare marrëdhënie me Kosovën.

Zëri i Amerikës: Në qoftë se ju kuptova drejt, kjo në një periudhë më të largët. Por cili është vizioni juaj për të ardhmen e afërt? Për periudhën menjëherë pas 10 dhjetorit?

Xhejms Dabins: Mendoj se një numër i madh shtetesh evropiane, Shtetet e Bashkuara, dhe shtete të tjera të botës janë të predispozuara, që me kushte të caktuara ta njohin pavarësinë e Kosovës. Mendoj se autoritetet e Kosovës duhet të përfshijnë pjesën më të madhe të planit Ahtisati në strukturën pas pavarësisë. Dhe kjo do të ishte një nga kushtet për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ata kanë qënë të gatshëm ta pranojnë planin Ahtisari dhe besoj se edhe aktualisht janë të angazhuar ndaj tij. Besoj se ky kusht do të plotësohet dhe si rezultat Shtetet e Bashkuara dhe shumica e qeverive të tjera do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Disa analistë mendojnë se ndarja e Kosovës nuk duhet të përjashtohet si një variant i mundshëm. Madje, ata e shikojnë atë më tepër si faktor stabilizimi në rajon se sa destabilizimi? Cila është pikpamja juaj?

Xhejms Dabins: Unë mendoj se Kosova do të jetë e pavarur brenda kufijve të saj të tanishëm. Besoj se as qeveria e Serbisë dhe as qeveria e Kosovës nuk kanë propozuar dhe as janë të predispozuara të pranojnë ndryshimin e kufijve. Kosova nuk do të pranonte të hiqte dorë nga zonat e populluara me shumicë serbe, në qoftë se ato nuk do të shkëmbeheshin me zonat me shumicë shqiptare në Serbi. Edhe serbët nga ana e tyre nuk janë të gatshëm ta pranojnë një shkëmbim të tillë. Prandaj unë nuk shikoj asnjë bazë për shkëmbim teritoresh dhe përshtatje kufijsh. Mendoj se eventualisht Kosova do të njihet nga të dy shtetet brenda kufijve të tanishëm dhe zonave me popullatë serbe do t’u krijohen kushte të posaçme.

Zëri i Amerikës: Analistë të tjerë janë të mendimit se njohja e pavarësisë së Kosovës do të shërbente si precedent për rajone të tjera nëpër botë që duan të jenë të pavarura nga shtetet ku ato përfshihen tani. Si e shikoni ju këtë çështje?

Xhejms Dabins: Kjo është një çështje tjetër që mund të shërbejë si temë diskutimi. Mendoj se duke njohur Kosovën, komuniteti ndërkombëtar do ta bëjë fare të qartë se kjo nuk do të shërbejë si precedent dhe nuk është i gatshëm ta pranojë rastin e Kosovës si një precedent të zbatueshëm.

Zëri i Amerikës: Por kjo nuk do ta ndalonte Rusinë, për shembull, të njihte Osetinë Jugore ose Abkhazinë, ose veprime të ngjashme në rajone të tjera të botës?

Xhejms Dabins: Mendoj se Rusisë i duhet të zgjedhë. Nëse e shfrytëzon Kosovën si precedent, ajo do të kishte probleme me Çeçeninë dhe rajone të tjera që nuk duan të jenë pjesë e Rusisë. Në qoftë se ajo nuk do që ky të jetë precedent, atëhere nuk e përdor. Por në qoftë se Rusia ose vende të tjera vendosin ta përdorin rastin e Kosovës si precedent, atëhere ka shumë të ngjarë të shohin se ai do të kthehej kundër tyre. //iç//

XS
SM
MD
LG