Lidhje

BE-ja pritet të miratojë traktatin që zëvendësoi projekt-kushtetutën


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian filluan sot takimin e nivelit të lartë në Lisbonë, në përpjekje për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje dy-vjeçare lidhur me drejtimin e organizatës. Të 27 udhëheqësit po diskutojnë sot për projekt-marrëveshjen për politikat institucionale të BE-së dhe përshpejtimin e vendimarrjes.

Para takimit, Ministri i Jashtëm i Portugaisë, Jose Socrates, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, vuri në dukje disa nga problemet e dokumentit. Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, tha se pret që negociatat të jenë të vështira. Italia ka kërcënuar t’i vërë veton traktatit të ri, pasi në bazë të ndryshimeve të bëra ajo do të humbiste 6 nga 78 vendet që ka në parlamentin Evropian duke mbetur kështu mbrapa Britanisë së Madhe dhe Francës.

Nga ana e tij, Presidenti i Polonisë, Leh Kazinski, përsëriti kërkesat që traktati të përfshijë një dispozitë që do të lejonte disa vende të shtynin përkohësisht marrjen e vendimeve të BE-së.

Traktati është rezultat i një debati të gjatë dhe të hidhur. Ai ka si synim të reformojë dhe t’i organizojë institucionet e Bashkimit Evropian, si edhe të fuqizojë organizatën me 27 vende anëtare.

Ende nuk janë zgjidhur të gjitha çështjet. Polonia ka kërkuar ndryshime për rregullat e votimit të BE-së. Italia nuk është e kënaqur me ndarjen e vendeve në parlamentin evropian. Megjithatë shumë nga pengesat më të mëdha u kapërcyen në një takim të nivelit të lartë që u mbajt në qershor në Gjermani.

Një analist në Qendrën për Reformën Evropiane në Londër Hugo Brady thotë se nuk është e sigurt që në Lisbonë do të arrihet një marrëveshje për traktatin e ri.

“Ka një numër problemesh me të cilat përballet ky takim, por nuk parashikoj që ndonjëri prej tyre të rrezikojë bisedimet, apo të sjellë dështimin e tyre. Sepse e vërteta është që këto probleme duken të vogla dhe të parëndësishme, pasi negociatat thelbësore u kryen në qershor”.

Marrëveshja e re do ta zgjaste mandatin e kryesisë së radhës së Bashkimit Evropian nga gjashtë muaj në dy vjet. Po ashtu do t’i jepte organizatës më shumë peshë në politikat e jashtme dhe të sigurisë së brendshme.

Megjithatë traktati është shumë më pak ambicjoz sesa projekt-kushtetuta që u bllokua në vitin 2005, pasi francezët dhe hollandezët votuan kundër saj.

Edhe nëse vendet anëtare bien dakord me dokumentin, ai duhet të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare. Analisti Hugo Brady thotë se nuk ka siguri që kjo do të ndodhë.

“Mendoj se për çdo reformë në të ardhmen, pyetja që shtrohet nuk duhet të jetë: a ekziston mundësia që ato të mos miratohen? Pyetja duhet të jetë: pas referendumeve të vitit 2005, a ka ndonjë shans që ato të ratifikohen?”

Përkrahësit e traktatit të ri thonë se ai është thelbësor për kryerjen e reformave të nevojshme në Bashkimin Evropian dhe për forcimin e tij të mëtejshëm. Por skeptikët thonë se organizata ka funksionuar deri tani pa këtë traktat. //kk//

XS
SM
MD
LG