Lidhje

Komisioni Evropian do t'i japë Shqipërisë ndihma me vlerë 200 milionë Euro


Shqipëria dhe Komisioni Europian nënshkruan sot një marëveshje për ndihmën e re financiare që BE do t’i ofrojë Shqipërisë.

Insrumenti i ri i Ndihmës së paraanëtarësimit, është një vazhdim i programit Kards të zbatuar deri më tani nga Bashkimi Europian. Ai përfshin vendet kandidate dhe vendet me statusin e kandidatit potencial.

Si një vend me statusin e kandidatit potencial, Shqipëria mund të përfitojë nga komponenti për “ndihmën e tranzicionit dhe ndërtimin e institucioneve” si dhe për “bashkëpunimin ndërkufitar” i Instrumentit të Ndihmës së paraanëtarësimit.

Shuma e parashikuar për Shqipërinë në buxhetin e Bashkimit Evropian për periudhën 2007-2009 është afërsisht 220 milionë Euro. Përmes këtij instrumenti të ri, Bashkimi Evropian ka për qëllim t’i japë ndihmë Shqipërisë për përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, për forcimin e institucioneve demokratike dhe vendosjes së shtetit ligjor, reformën në administratën publike, për reformën ekonomike, respektimin e të drejtave të njeriut, minoriteteve dhe barazisë gjinore, zhvillimin e shoqërisë civile dhe bashkëpunimit rajonal, për mbështetjen e zhvillimit dhe zbutjen e varfërisë.

“Ndihma financiare e ofruar nga Bashkimi Evropian përbën shtyllën kryesore mbështetëse për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Qëllimi i saj është mbështetja e Shqipërisë në procesin integrues të vendit duke përfshirë mbështetjen për forcimin e shtetit të së drejtës dhe stabilizimin demokratik, vendosjen e standarteve europiane si dhe zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, - tha ministrja Majlinda Bregu, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Ndërsa ambasadori Helmut Lohan, që drejton delegacionin e KE në Tiranë, tha se:

“Komisioni Europian pret që administrata shqitare të marrë në dorë gjithnjë e më shumë programimin dhe përgjegjësinë e vënies në jetë të aktiviteteve të financuara nga IPA” .

Shuma e programuar për vitin 2007 për Shqipërinë është 54.3 milion Euro dhe do të mbështesë kryesisht projekte të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve, ngritjen e qendrave të paraburgimit, forcimin e SME-ve, pjesëmarrjen në programet me shumë përfitues (Tempus, Erasmus Mundus).

Për vitin 2006, asistenca financiare e BE-së nën Programin CARDS ka qënë në shumën 45.5 million Euro.//lk

XS
SM
MD
LG