Lidhje

Bush: Irani me armë bërthamore rrezikon Luftën e Tretë Botërore


Presidenti Bush thotë se mendon që Rusia nuk ka hequr dorë nga synimi që të parandalojë prodhimin e armëve bërthamore nga Irani. Por ai shtoi se nëse Teherani shtie në dorë një armë të tillë do të sillte rrezikun e shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore. Komentet e Presidentit Bush pasojnë paralajmërimet e udhëheqësit rus Putin kundër përdorimit të forcës ndaj Teheranit. Kronika në vazhdim na sjell hollësi mbi këtë duel diplomatik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë lidhur me Iranin dhe çështje të tjera.

Presidenti Bush thotë se nuk e shqetësojnë pamjet e transmetuara nga media të Presidentit rus Putin duke buzëqeshur me Presidentin iranian Mahmud Ahmadinexhad në takimin e tyre në Teheran. Por ai shton se një Iran me armë bërthamore do të ishte kërcënim serioz për paqen në botë. Presidenti Xhorxh Bush E theksova në komentet e mia se nëse ekziston vullneti për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore, duhet të jemi të interesuar të mos lejojmë iranianët të përftojnë njohuritë e nevojshme për të prodhuar armë bërthamore.

Presidenti Bush foli dje në një konferencë për shtyp, ku theksoi se ai dhe zoti Putin nuk bien dakord për një numër çështjesh, por megjithatë ekziston një dialog i hapur mes qeverive të tyre. Presidenti Bush i bëri komentet ndërkohë që ekzistojnë shqetësime në rritje në Shtetet e Bashkuara për tkurrjen e ndikimit të Uashingtonit mbi politikën e jashtme ruse dhe pikëpyetje për ambicjet politike të zotit Putin.

Presidenti rus bëri kohët e fundit një njoftim të papritur se mund të bëhet kryeministri i ardhshëm rus pas mbarimit të mandatit presidencial vitin e ardhshëm. "Mirëpres me mirënjohje propozimin për të kryesuar listën e kandidatëve të partisë Rusia e Bashkuar", tha presidenti Putin.

Disa ekspertë të politikës ruse thonë se lëvizjet e fundit të Presidentit Putin tregojnë dështimin e përpjekjeve amerikane për të integruar Rusinë në Perëndim. Sara Mendelson kryeson programin për të drejtat e njeriut dhe sigurinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington: "Njoftimi i Presidentit Putin është në një farë mënyre pika kulmore e një prirjeje që vazhdon së paku prej 7 vjetësh, hap pas hapi, urdhër pas urdhëri, për të grumbulluar fuqi politike në një post, pa transparencë dhe kjo ka shënuar realisht fundin e të ashtu-quajturit tranzicion demokratik në Rusi". Shumë veprimtarë rusë për të drejtat e njeriut argumentojnë se Shtetet e Bashkuara kanë humbur ndikimin mbi zhvillimin e demokracisë në Rusi, si rezultat i luftës në Irak dhe zhvillimeve të tjera.

Tatiana Lokshina kryeson organizatën ruse për të drejtat e njeriut Qendra Demos në Moskë: "Sot, së paku për sa i përket Rusisë, nuk mjafton që Amerika të ngrejë zërin për disa raste të izoluara. Autoritetet ruse i kanë shfrytëzuar me efektivitet ato që kanë ndodhur në Amerikë gjatë viteve të fundit për t’iu kundërvënë kritikave të Uashingtonit". Zonja Lokshina ishte një ndër veprimtaret ruse që u takuan me Sekretaren amerikane të Shtetit Kondoliza Rajs gjatë vizitës së saj të fundit në Moskë.

Zonja Rajs i nxiti veprimtarët të mbrojnë të drejtat universale, por nuk bëri kritika të drejtpërdrejta ndaj Presidentit rus. Shumë analistë thonë se Rusia është bërë më e vendosur në politikën e jashtme nën udhëheqjen e Presidentit Vladimir Putin. Martha Brill Olcott është eksperte për politikat ruse në Fondacionin Carnegie për Paqe Ndërkombëtare në Uashington: "Në një farë mase vitet e fundit kemi vërejtur nga njëra anë që Rusia ka fituar shumë vetëbesim dhe gjithashtu po përpiqet t’i japë një përkufizim të ri imazhit rus. Të mos harrojmë se historia ruse është shumë e ndryshme nga historia e Evropës Perëndimore apo historia amerikane". Dje në konferencën për shtyp, Presidenti Bush pohoi se nuk mund të bëjë shumë për të ushtruar ndikim mbi Rusinë. Zoti Bush tha se nuk është e lehtë të riprogramosh, siç u shpreh ai, ADN-në ruse bazë, pushtetin e centralizuar rus. //rd//

XS
SM
MD
LG