Lidhje

Shqipëria mikpritëse e njërës prej stërvitjeve më të mëdha të Nato-s për 2007-ën


NATO po organizon këto ditë në Shqipëri njërën nga stërvitjet e saj më të mëdha për vitin 2007. Komandantë dhe ushtarë të mbi 20 shteteve anëtare dhe kandidate të Aleances po kryejnë në Tiranë stervitje komandë dhe nesër fillojnë manovrat në terren. Shefi i Shtabit te Pergjithshem të ushtrisë shqiptare, gjeneral lejtnant Luan Hoxha thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se trupat shqiptare në këtë stërvitje do të vlerësohen se sa janë ato teknikisht të gatshme për antarësim në NATO.

Zëri i Amerikës: Duke ju uruar për punën me stërvitjen e re shumëkombshe, që sapo ka filluar, ju lutem na tregoni diçka për sfidat e organizimit të kësaj stërvitje dhe pjesën e kontributit të Shqipërisë si një vend mikpritës në të.

Luan Hoxha: Besoj se ardhja juaj dhe e shumë mediave të tjera, shpreh interesin e madh për këtë stërvitje. Kjo është një nga stërvitjet më të mëdha të zhvilluara në vendin tonë, jo vetëm për vendin tone, por edhe një nga stërvitjet më të mëdha që NATO zhvillon në Shqipëri. Është një stërvitje e cila ka filluar me kohë. Ka më se 7-8 muaj që ka filluar konferenca planëzuese për stërvitjen, një stërvitje që ka një përfshirje shumë të madhe. Janë mbi 20 vende që marrin pjesë, nga këto janë shumë vende të NATO-s, vende partnere dhe aspirante, si dhe vendeve të Dialogut Mesdhetar. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë stërvitje është shumë e madhe, për vetë faktin që ne shërbejmë si vendi pritës për zhvillimin e stërvitjes dhe në këtë stërvitje, në të gjitha fazat e saj, përfshihen rreth 120 oficerë e nënoficerë shqiptarë. Në fazën e dytë, “Lancer”, janë përfshirë edhe trupa që do të lëvizin dhe marrin përsipër stimulime të ndryshme në terren, veçanërisht nga Brigada e Reagimit të Shpejtë dhe Rregjimenti Komando.

Zëri i Amerikës: Zoti gjeneral, cila është e reja e kësaj stërvitjeje? Kemi dëgjuar që ka një pjesë teorike, ku komandat po mundohen të gjejnë gjuhën e përbashkët në veprimet e përbashkëta. Pra, cila është e veçanta e kësaj stërvitjeje? Ku ndryshon ajo nga stërvitjet e tjera?

Luan Hoxha: Veçanëria e kësaj stërvitje qëndron në faktin se është stërvitje Komando-Shtabi dhe, në vetvete, ka si synim të unifikojë veprimet dhe të standardizojë të gjitha proçeset vendimmarrëse në stërvitjet e tjera Komando-Shtabi për shtabet multinacionale. Duke qënë një stërvitje e tillë, që bazohet në shumë norma e standarde, ose me kodin që përdor, “CPX”, i jep mundësi të gjithë personelit të punojë me një gjuhë të përbashkët, me një kod të përbashkët, me një simbolikë të përbashkët për të ushtruar gjatë stërvitjes të gjitha kompetencat dhe veprimet që kanë të gjitha pjesët përbërëse të shtabit dhe për të dalë në vendimmarrjeje, të cilën e merr komandanti i Brigadës Shumëkombëshe. Veçanëri tjetër është që, në këtë stërvitje personeli shqiptar, i cili është angazhuar totalisht, është zgjedhur qëllimisht që të përfitojë nga kjo stërvitje, në rastin e një anëtarësimi të mundshëm dhe të dëshirueshëm në Aleancë. Ky personel duhet të jetë i gatshëm të punojë me këto standarde, duke përfaqësuar denjësisht dhe cilësisht oficerin shqiptar, në përbërje të shtabeve shumëkombëshe që do të bëhen në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zoti gjeneral, ju lutem na tregoni diçka lidhur me përpjekjet e FA shqiptare për t’u antarësuar në NATO. Cilat janë detyrat e fundit të cilat kanë mbetur pa u kryer për të plotësuar kriteret, pra për të marrë një ftesë për t’u pranuar si anëtar i plotë?

Luan Hoxha: Proçesi i anëtarësimit në NATO, ne kemi folur edhe herë të tjera, është një proçes shumë i gjatë dhe, natyrisht një proçes dinamik, që ndryshon nga koha në kohë. Pra, nuk do të thotë që këto masa do jenë statike. Vazhdimisht, dhe me marrjen e ftesës, do të ketë objektiva të reja, do të ketë sfida dhe objektiva të reja për t’u përballuar. Në këtë kohë që ka mbetur në Samitin e Bukureshtit, ne kemi ndërtuar një program të qartë pune, të cilin e kemi quajtur “Nga Samiti i Rigës deri në atë të Bukureshtit”. Në këtë program pune janë përfshirë të gjitha masat që do merren, të gjitha strukturat që do jenë të angazhuara për plotësimin e këtyre masave, koha në të cilat do të ekzekutohen këto masa dhe, niveli që do të arrihet për ekzekutimin e tyre. Mund të them që sfida kryesore është plotësimi i objektivit për kalimin në ushtri tërësisht profesioniste. Do të thotë që, deri në fund të vitit 2010 ne do të kemi një ushtri krejtësisht profesioniste. Sfida e dytë është përgatitja e një Batalioni të dislokueshëm dhe të gatshëm për t’u angazhuar në operacionet e NATO-s në rast nevoje. Faktikisht, edhe gjatë kësaj stërvitjeje ky batalion do të jetë i angazhuar dhe do të lozë në këtë stërvitje, në mënyrë që të mundësojë vlerësimin e tij për nivelin 1, sipas konceptit OCC, dhe më pas të kalojmë në fazat e tjera. Mendoj që këto janë dy objektiva madhore, të cilat do të kenë peshën kryesore edhe për vlerësimin e përgatitjes së Forcave tona të Armatosura për meritimin e ftesës për anëtarësim.

Zëri i Amerikës: Nuk është vetëm Shqipëria që pret një ftesë, janë edhe Kroacia e Maqedonia, si vende të “Kartës së Adriatikut”. Cili është mendimi juaj për bashkëpunimin dhe garën mes këtyre tre vendeve?

Luan Hoxha: Keni të drejtë. Realisht është bashkëpunim e garë. Nuk do të ketë kuptim bashkëpunimi pa patur garë dhe, mendoj që kjo garë është shumë pozitive, sidomos për atmosferën në të cilën tre vendet bashkëpunojnë në kuadrin e A3-it. Ne kemi takime të shpeshta dhe pas disa ditësh kemi takimin e shefave të Shtabeve të A3-it. Mendoj që kjo inciativë ka luajtur një rol të rëndësishëm për përgatitjen dhe përfitimin e ekperiencës së njeri tjetrit, por dhe përfitimin në kuadrin e A3-it të eksperiencave të tjera, nga secili vend që ka patur marrëdhënie ose aktivitete bilaterale me vendet e NATO-s ose jo të NATO-s. Mendoj që të tre vendet kanë arritur, për pjesën ushtarake, nivele jashtëzakonisht të mira. Një nivel të krahasueshëm edhe me vendet që janë pjesë e Aleancës sot dhe, mendoj se bashkëpunimi ynë ka qenë një nga sukseset e arritjes së këtyre niveleve. //rd//

XS
SM
MD
LG