Lidhje

Gjykata e Mitrovicës fillon seancën e parë gjyqësore kundër një shqiptari të Kosovës


Në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë sot ka filluar seanca e parë gjyqësore kundër një shqiptari të Kosovës, i cili akuzohet për një shpërthim në vitin 2001 që la pas vetes të paktën dhjetë të vrarë.

Florim Ejupi, 29 vjeçar, ka mohuar sot në paraqitjen e parë para gjykatës, akuzat sipas të cilave ai ka vendosur një mjet shpërthyes në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdare në shkurt të vitit 2001. Atëbotë një autobus me të cilin po udhëtonin një grup pjesëtarësh të komunitetit serb ka shpërthyer dhe me këtë rast dhjetë persona kanë humbur jetën.

Një prokuror ndërkombëtarë tha se Florim Ejupi është përgjegjës për veprim terrorist dhe rrezikim të sigurisë së përgjithshme. I akuzuari i ka mohuar të gjitha akuzat. Ai është arrestuar pak kohë pas ngjarjes, së bashku me tre persona të tjerë të cilët janë liruar në mungesë provash. //rd//

XS
SM
MD
LG