Lidhje

Lenmarker: Bashkimi i Evropës, i plotë me Ballkanin Perëndimor


Një zyrtar i lartë i OSBE-së thotë se Evropa ka hyrë në rrugën e duhur për t’u bërë një kontinent i pandarë dhe i lirë, por se duhet bërë më shumë punë për të siguruar lirinë dhe begatinë në hapësirën që nga Oqeani Atlantik deri në Detin e Zi. Parlamentari suedez Goran Lennmarker u kërkoi ligjvënësve amerikanë që të mos heqin dorë nga angazhimi në çështjet e sigurisë dhe të drejtave të njeriut në Evropë.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i tha Kongresin Amerikan se Evropa ka shënuar një përparim dramatik drejt paqes dhe begatisë. Nga një zonë e me trazira ku e patën fillimin dy luftra botërore, Evropa po bëhet një oaz paqeje dhe begatie:

“Do të thoja që ajo që është realizuar në Evropë është bashkimi i gjithë kontinentit”.

Goran Lennmarker thotë se vendet e Evropës Lindore kanë bërë një përparim për t’u shënuar demokratik dhe ekonomik që pas rënies së komunizmit. Por Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Suedez thotë se ky bashkim do të jetë i plotë, vetëm kur i gjithë kontinenti të jetë i lirë dhe demokratik:

“E kam fjalën për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kosovën, që nuk janë ende pjesë e NATO-s dhe BE-së, të cilat stabilizuan Evropën”.

Zoti Lennmarker tha para Komisionit të Helsinkit të Kongresit se OSBE-ja duhet të forcojë angazhimin në ndihmë të demokratizimit të hapësirës më të gjerë Evropiane, përfshirë vendet e rajonit Detit të Zi dhe Azisë Qendrore.

Zyrtari i lartë i OSBE-së tha se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet shpejt për të mos lejuar që të kthehen në një konflikt tjetër të ngrirë.

Ai i tha Zërit të Amerikës se shpreson që negociatorët serbë dhe shqiptarë të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje për statusin e Kosovës. Por ai shpreson që Evropa të veprojë e bashkuar për një zgjidhje të përshtatshme për Kosovën, nëse Beogradi dhe Prishtina nuk heqin dorë nga qëndrimet që duken se janë të papërputhshme.

“Në Evropë ideja është që si Serbisë dhe Kosovës t’u hapet perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ne në Evropë duhet të marrim një vendim, por perspektiva e anëtarësimit që ne ofrojmë është një shtysë e madhe. Ne duam që të gjitha ato vende të hyjnë në BE. Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë përfshirë qartë në politikat e tyre perspektivën e anëtarësimit”.

Me një personel ndërkombëtar prej 310 vetësh dhe 990 vendas, misioni i OSBE-së në Kosovë është aktualisht më i madhi në terren. Zoti Lennmarker thotë se OSBE-ja do të vazhdojë angazhimin drejt demokratizimit të Kosovës, pavarësisht se cili do të jetë statusi.

Në fjalimin që mbajti të enjten në Komisionin e Helsinkit, zoti Lennmarker theksoi nevojën që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë pjesëmarrjen aktive në organizatën më të madhe evropiane që merret me sigurinë dhe bashkëpunimin. //kk//

XS
SM
MD
LG