Lidhje

Karter bën thirrje për vazhdimin e negociatave me Korenë e Veriut


Tetorin e kaluar, komuniteti ndërkombëtar e dënoi Korenë e Veriut për një provë bërthamore dhe e akuzoi se po destabilizonte Azinë Verilindore. Ndërsa negociatat aktuale me Phenianin po fillojnë të tregojnë shenja përparimi, korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh foli me ish-presidentin Xhimi Karter mbi shanset për një paqe të qëndrueshme në gadishullin Korean.

Në vitin 1994, Xhimi Karter, u dërgua nga administrata e Presidentit Klinton në një vizitë historike në Korenë e Veriut, duke u bërë presidenti amerikan që vizitonte vendin e mbyllur komunist. Vizita u konsiderua një përpjekje e suksesshme diplomatike gjatë së cilës Koreja e Veriut ra dakord ta minimizonte programin e vet bërthamor. “Kur administrata aktuale mori pushtetin, ata hoqën dorë nga ky angazhim dhe Koreja e Veriut filloi të përpunonte plutonium. Tani ajo ka një sasi plutoniumi të mjaftueshme për gjashtë ose shtatë eksplozivë”. Administrata e Presidentit Bush parapëlqeu bisedime shumëpalëshe me Korenë e Veriut kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja e vitit 1994 që u arrit me ndërmjetësimin e zotit Karter.

Tetorin e kaluar, përpjekjet diplomatike arritën në nivelin më të ulët kur Koreja e Veriut bëri një provë bërthmore. “Koreja e Veriut ka rreth 50 kilogramë material të rrezikshëm në kompleksin e Yongbyongut”. Ambasadori Kristofer Hill është kryenegociatori i Shteteve të Bashkuara në bisedimet aktuale gjashtëpalëshe me Korenë e Veriut. Në bisedime përfshihen dy Koretë, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kina dhe Rusia.

Këto bisedime janë tani rruga kryesore drejt një gadishulli korean pa armë bërthamore. Si pjesë e bisedimeve, Koresë së Veriut i duhet ta deklarojë hapur kapacitetin e vet bërthamor. “Atyre u duhet të deklarojnë me saktësi sesa material të tillë kanë. Elementi i dytë që na shqetësonte ishte mbyllja dhe bllokimi i kompleksit të Yongbyongut që sasia prej 50 kilogramësh të mos kthehet në 100 ose në 150, përkundrazi të mos prodhohen më pluton”.

Presidenti Karter thotë: “Shpresoj që tani megjithëse është vonë dhe ata e kanë kapacitetin, të mund ta mbajmë nën mbikqyrje Korenë e Veriut që të mos prodhojë më eksplozivë”. Një ekip amerikan ndodhet aktualisht në Korenë e Veriut duke u përgatitur për mbylljen e kompleksit bërthamor të Yongbyongut.

Zoti Hill thotë se është një hap i rëndësishëm për t’u dhënë fund ambicjeve bërthamore të Koresë së Veriut. Koreja e Veriut kërkon negociata dypalëshe me Shtetet e Bashkuara për të normalizuar marrëdhëniet diplomatike. Po ashtu ajo do që të hiqet nga lista e Shteteve të Bashkuara e mbështetësve të terrorizmit. “Presioni nga jashtë së bashku me nxitjen nga ana e vendeve fqinjë, mund të kenë forcë bindëse ndaj udhëheqësve shumë të çuditshëm të atij vendi të izoluar”, tha zoti Karter.

“Ndoshta Koreja e Veriut po fillon të kuptojë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e një komuniteti”, thotë zoti Hill. Koreja e Veriut ka afat deri më 31 dhjetor për ta mbyllur komplet kompleksin e Yongbyongut dhe të deklarojë me saktësi kapacitetin e vet bërthamor. //rd//

XS
SM
MD
LG