Lidhje

Iraku kritikon Sirinë për mbështetje ndaj Turqisë për mosmarrëveshjen kufitare


Presidenti i Irakut Xhalal Talabani kritikoi presidentin sirian Bashir Al Asad se po përkrah një operacion të mundshëm turk kundër rebelëve kurdë në Irakun verior.

Presdenti i Irakut tha se Siria duhet të përqafojë politikën e ndjekur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkufitare. Zoti Talabani i tha një gazetari të Zërit të Amerikës se ai beson që Uashingtoni do ta pengojë Turqinë të ndërmarrë një operacion ushtarak në rajonet kurde të Irakut verior. Parlamenti i Irakut po takohet sot për të diskutuar këtë çështje.

Në qytetin verior të Irakut Zako ndërkohë mijëra kurdë protestuan kundër kërcënimit të një sulmi ushtarak turk. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan i bëri thirrje Uashingtonit dhe Bagdatit të godasin Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit e cila fajësohet për një sërë sulmesh brenda Turqisë. Udhëheqësi turk tha se ishte i gatshëm të diskutojë mbi veprime të përbashkëta ushtarake me forcat irakiane. //rd//

XS
SM
MD
LG